Përhapja e frikës nga Fronti Lindor në Ballkan

Meqenëse lufta në Ukrainë ka hyrë në një fazë tjetër me përdorimin e armëve perëndimore veçanërisht të armëve amerikane, gjithmonë në BE dhe në Ballkan ekziston frika se një ditë lufta në kufijt lindorë mund të shtrihet në tërë BE-në, dhe në shtetet ballkanike. Në vigjilje të Samitit të NATO-s, në Uashington 9-11 korrik, 2024, frika është rritur nga vazhdimi i dilemës se me çfarë armësh mund të sulmohen vendet e NATO-s, dhe shtetet që janë duke e ndihmuar Ukrainën.

Njoftohet se SHBA i ka dhënë dritë të gjelbër Ukrainës për të sulmuar objektivat ruse jashtë Kharkivit me armët amerikane. Derisa Perëndimi po ndërton një front të madh kundër Rusisë, njëkohësisht edhe Moska me armët që posedon, ka paralajmëruar SHBA-të dhe BE-në për mundësinë e të qenurit nishan i raketave ruse. Historikisht, në prag të shembjes së BRSS-së, disa marrëveshje hynë në fuqi për ta bërë transformimin më lehtë nga një sistem në tjetrin për popujt e Evropës Lindore.

Një ndër marrëveshjet ishte “Marrëveshjea e Belovezhit” e vitit 1991 që ka 14 nene me synimin që ish- shtetet e bllokut lindorë të kalonin në një sistem demokratik duke i përqafuar standarted e një shoqërie të lirë. Sot po i sjellim disa nene në kontekst të rëndësisë së zhvillimeve në Evropë dhe në rajon. “Marrëveshja e Belovezhit” tregonte për fundin e ekzistencës së BRSS-së. Më tej sipas marrëveshjes, shtetet kanë të drejtë të zbatojnë “të drejtën e vetëvendosje së bashku me normat që lidhen me të drejtat e njeriut”. Pra ish- shteteve të bllokut komunist përveç kalimit në një sistem demokratik, ju jepej e drejta të vendosin edhe për aleancat ushtarake dhe ekonomike.

Dhe ashtu ndodhi, pothujase e gjithë Evropa Lindore dhe shtetet nga Ballkani në përjashtim të Ukrainës, Serbisë, Bosnjës dhe Kosovës, sot janë anëtare të NATO-s dhe BE-së. Një memorandum tjetër i rëndësishëm që është aktualizuar pas tre dekadave e që ka peshë në sigurinë evropiane dhe botërore e në veçanti për të ardhmen e Ukrainës dhe rajonit të Ballkanit, është “Memorandumi i Budapestit” të vitit 1994 në mes Ukrainës, ish- BRSS-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, që garantonte neutralitetin e Ukrainës dhe njëkohësisht e çarmatoste Ukrainën nga armët bërthamore. Po sot në kuadër të ndarjes së sferave të interesit, ku SHBA-ja dhe Rusia kanë hyrë në një garë ushtarake, shtetet e Ballkanit poashtu vazhdojnë të armatosen jo vetëm si anëtare të NATO-s, por edhe jashtë saj.

Këtu Serbia vlerësohet si lidere në rajon me armatime të kohës së fundit. Në një skenarë të sulmit rus ndaj BE-së, padyshim se edhe disa shtete të Ballkanit ka mundësi të bëhen objekt i luftës së re. Nëse Ukraina dhe Rusia nuk arrijnë një marrëveshje gjatë (2024-25), shtetet e Ballkanit mund të jenë dëshmitare të tensioneve në kontekstin jo tradicional të luftës. Aleatët e Rusisë në Ballkan, me operacione speciale mund të hyjnë në Bosnjën serbe dhe në pjesën veriore të Kosovës. Teatri në jug të kontinentit evropian do të duket ndryshe nga pjesa lindore e Evropës ku Rusia do të luftojë ashpër me forcat e BE-së dhe SHBA-së. “Indeksi Global i Paqes” për 2023 tregoi se “shpenzimet ushtarake të shteteve të Evropës po rriten mes frikës se lufta në Ukrainë do të zgjerohet”.

Nga këndvështrimi historik, shtetet gjithnjë e kanë parë si përparësi kombëtare sigurinë dhe përgatitjet për të nesermen qoftë për paqe ose luftë. Andaj nuk është për tu habitur se pse “Indeksi Global i Paqes” nxjerr të dhëna për rritje të buxheteve shtetërore për forcat e armatosura. Në këtë drejtim, mësime mund të nxjerim nga botimi “Lufta dhe Paqja” të shkrimtarit rus Leon Tolstoi. Tolstoi e njihte mirë historinë e Rusisë në përfshirjen e saj në luftërat me Perandorinë Osmane, me shtetet evropiane dhe në luftërat me Francën. Ngjarjet e vërteta që ai i përshkruan, tregojnë për fuqinë e ushtrive evropiane në Evropën e atëhershme, dhe dëshirën e shteteve po të Evropës bashkë me Rusinë për pushtimin e territoreve të reja.

Dy shekuj pas nuk është për tu habitur se pse përsëri evropianët, ballkanasit, rusët dhe amerikanët në shekullin e fundit po bëjnë të njëjtën gjë. Zakonisht, armatimi i grumbulluar me dekada një ditë do të përdoret, por nuk dihet si dhe kur. Ndonjëherë, zhurma e daulleve të luftës dhe jehonës së ngjarjeve të së kaluarës nuk dihet se ku fillon dhe mbaron.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi