Materiale të përgjuara që aludojnë në skandalet e Fatmir Deharit në Komunën e Kërçovës: Përmbajtje seksuale dhe korruptive

Në rrjetet sociale qarkullojnë përgjime në Komunën e Kërçovës ku dëgjohet një zë i cili thuhet të jetë i kryetarit të komunës, Fatmir Dehari, me përmbajtje eksplicite, seksuale, korruptive, ofendime, sharje dhe të tjera. Edhe pse i kontaktuar nga Portalb.mk, Fatmir Dehari nuk u deklarua për përgjimet, kurse Portalb në mënyrë të pavarur nuk ka mundur t’i verifikojë përmbajtjet.

Këto përgjime janë publikuar ditëve të fundit në profilin në Facebook, El Cheka (Sheqerim Ahmedi), i cili ka publikuar edhe në të kaluarën përgjime të funksionarëve të BDI-së. 

“Ai përgjuesi që është gjetur në komunë më ka kushtuar 20-mijë dollarë për ta futur për të incizuar Don Zhuanin si sillet me punëtoret”, ka shkruar mes tjerash në një postim në Facebook, El Cheka. 

Kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari nuk u përgjigj në thirrjen e Portalb.mk dhe as në sms porosinë se a do të merr përgjegjësi për këto veprime, cili është qëndrimi i tij, a do jep dorëheqje nga funksioni dhe kandidatura për kryetar të Kërçovës. 

Nga Prokuroria Themeloe Publike konfirmuan për Portalb.mk se “në Prokurorinë Themelore në Kërçovë nuk është dorëzuar asnjë paraqitje apo informacion lidhur me ngjarjen”.

Ministria e Brendshme për Portalb.mk tha se “deri në këtë moment nuk ka paraqitje në SPB Ohër ngjarje të tillë”.

Nga BDI kanë reaguar duke i cilësuar këto publikime si shpikje dhe montime.

“Ne e njohim mirë këtë skenar: kur nuk mund të munden me ide, kur nuk kanë projekt, shpikin skandale, montojnë biseda, fabrikojnë “fakte”, dhe i shpërndajnë me qëllim të vetëm që qytetari të humbasë besimin te politika dhe të qëndrojë në shtëpi ditën e vendimit”, thanë nga BDI.

Ata thonë se është thelbësore që para çdo reagimi publik apo nxjerrjeje përfundimesh të verifikohet me kujdes autenticiteti i materialit audio.

“Vetëm pas një vlerësimi të qartë dhe të besueshëm nga institucionet apo ekspertët përkatës mund të flitet me përgjegjësi mbi përmbajtjen e tij. Çdo koment apo diskutim pa një konfirmim të tillë do të ishte spekulativ dhe potencialisht i dëmshëm, si për personat e përfshirë”, thanë nga BDI. 

Nga VMRO-DPMNE thanë se BDI duhet të ndalojë së mbrojturi Deharin dhe viktimat të marrin mbrojtje.

“Nuk është çështje etnike, por morale dhe penale. BDI po përpiqet ta shndërrojë skandalin me Fatmir Deharin në një histori etnike. Kjo nuk është shqiptarë kundër maqedonasve. Ky është abuzues ndaj viktimave. Kjo është çështje dinjiteti, ligji dhe përgjegjësie, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe fetare”, thanë nga VMRODPMNE.

VLEN ka thënë se kjo situatë e degradon imazhin e institucionit dhe moralin publik. 

“Ky është vetëm reflektim i kulturës politike që për 20 vite ka mbytur përgjegjësinë dhe ka ngritur turpin në standard”, thanë nga VLEN. 

Ndryshe, Fatmir Dehari kandidon për mandatin e katërt si i pari i Kërçovës në zgjedhjet lokale të 19 tetorit.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Fatmir DehariKeqpërdorim i pozitës zyrtareKomuna e KërçovësMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Policia e Maqedonisë së VeriutProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMVSkandalVLEN koalicioniVMRO-DPMNE