Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të mblidhet më 12 shtator, ora 10:00. Presidenti Begaj dekretoi sot datën dhe tha se Kuvendi është simboli i demokracisë dhe hapësira ku deputetët duhet të përkushtohen me përgjegjësi e njëkohësit edhe vendi ku duhet të dëgjohen dhe respektohen zërat e gjithë shqiptarëve, raporton Klan.
“Legjislatura e re ka përgjegjësinë e vazhdimit të reformave, ndërlidhjes së funksionit ligjvënës me prioritetet dhe sfidat e vendit, përditësimit të vazhdueshëm të legjislacionit, kontrollit dhe mbikëqyrjes së qeverisjes, respektimit të normave kushtetuese, transparencës, diskutimeve konstruktive, bashkëpunimit, si dhe vendimmarrjes me urtësi në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, interesave dhe të ardhmes së vendit”, tha Begaj në mesazhin e tij pas dekretimit të datës së nisjes së Kuvendit.
Ai bëri thirrje për një mazhorancë të përgjegjshme dhe të përulur e nga ana tjetër edhe një opozitë aktive dhe kontruktive.
“Dialogu dhe respekti për dallimet janë themel i bashkëjetesës demokratike”, tha ai.
Kujtojmë se një ditë më herët, më 11 shtator, Partia Socialiste do të mbledhë Asamblenë Kombëtare. Kryeministri Edi Rama pritet të bëjë publike edhe përbërjen e qeverisë së re në mbledhjen që do të zhvillohet në një kompleks privat në periferi të Tiranës.
Kujtojmë se në Kuvend do të ulen 140 deputetë. Sipas rregullores, seancën e parë e hap deputeti më i vjetër, që në rastin konkret është Sali Berisha. Por kryetari i Partisë Demokratike, refuzon që ta bëjë këtë.
“S’do ia bëja kurrë vendit tim… Në atë parlament, krimi… po të ishte parlament tjetër po me kënaqësi”, u tha ai gazetarëve kur u pyet më 25 gusht.
Pas Berishës, radhën e ka Tritan Shehu, po ashtu nga opozita. Nuk dihet nëse ai do ta pranojë ta drejtojë seancën. Pas hapjes, Kuvendi do të nisë me verifikimin e mandateve dhe më pas 140 deputetët e rinj bëjnë betimin.
Në katër vitet e ardhshme, Partia Socialiste do të përfaqësohet me 83 deputetë. Partia Demokratike, bashkë me aleatë, do të ketë 50 deputetë.
Tre karrige do t’i zënë deputetët e Partisë Socialdemokrate. Partia Mundësia e Agron Shehajt do të ketë dy deputetë, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një deputet.