Për shkak vdekjes së 36 vjeçarit në port, dha dorëheqje ministri grek

Ministri grek i Transportit Detar Miltiadhis Varvitsiotis ka dhënë dorëheqjen mesditën e së hënës, pas rastit të vrasjes së një pasagjeri nga anëtarët e ekuipazhit të anijes Blue Horizon javën e kaluar, raporton TopChannel. Pjesëtarët e ekuipazhit kanë shtyrë në det 36-vjeçarin Antonis Kargiotis, që tentoi të hynte në bord në momentin kur anija po nisej dhe si pasojë u rrëzua dhe gjeti vdekjen prej helikave të anijes, e cila vazhdoi normalisht udhëtimin drejtë Kretës. Trageti u ndal një orë më vonë prej rojës bregdetare greke.

Pak orë më vonë kapiteni, dy oficerë dhe dy marinarët e përfshirë në incident u arrestuan prej rojës bregdetare.

Varvitsiotis u bë objekt i kritikave të shumta në media dhe qarqet politike, pas një komenti në një emision televiziv, ku po diskutonte rreth aktit të pjesëtarëve të ekuipazhit të anijes në fjalë. Ai u shpreh se ajo ditë ishte një ditë tragjike si për familjen e viktimës, ashtu edhe për familjet e pjesëtarëve të ekuipazhit që kryen këtë akt. Sipas tij autorët të cilët kryen këtë akt duhen mirëkuptuar për gjestin e kryer, pasi dalin për t’i siguruar familjeve të tyre bukën e gojës.

Kjo deklaratë e tij ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik.

Sa u përket 4 pjesëtarëve të ekuipazhit që u arrestuan, sot në mëngjes dy prej tyre, një prej të cilëve kapiteni, janë çuar në paraburgim me urdhër të prokurorit, ndërsa për dy të tjerët ende nuk është vendosur masa e dënimit paraprak deri në zhvillimin e gjyqit.

Në vend të Varvitsitis, kryeministri Mitsokais ka vendosur në Ministrinë e Transportit Detar , z. Christos Stylanidis, ish-komisioneri Europian për krizat humanitare dhe ish-ministër i Mbrojtjes Civile në qeverinë e mëparshme greke.

Në postimin e tij Varvitsiotis ndër të tjera përmend: Një deklaratë ime e keqinterpretuar lehtësisht shkaktoi indinjatë. Menjëherë kërkova falje sinqerisht. Në asnjë mënyrë nuk e barazova viktimën me autorët. Në asnjë mënyrë nuk i kam larë përgjegjësitë që ka kompania pronare e anijeve, të cilat ende refuzon t’i marrë. Nuk e pranoj të qëllohem me gurë si qenie njerëzore. Për këtë arsye i paraqita dorëheqjen kryeministrit. E falënderoj për besimin.

GreqiaKyriakos MitsotakisVdekje