Për dermën e indiferentizmit

Ballkanasit i rriti Zoti në njërin prej djepeve të parë të qytetërimit njerëzor dhe ua dhuroi privilegjin e posedimit të dritës së mendjes dhe zjarrit të shpirtit prometean. Thuhet se asokohe njerëz të folmesh, tiparesh e fisesh të fisme jetuan në harmoni me njëri-tjetrin dhe gati nuk merrej vesh kush është kush. Kacagjelime pati, po ato u bënë në harmoni me parimet e kohërave që s’janë më, në pajtim me kanunet dhe me burrninë e njerëzve që, në krahasim me djallëzitë, mëritë, shtazëritë… e mëvonshme, dukeshin si të ishin të gjithë nga Abeli.

Kështu thuhet se ka qenë dikur, gjersa në siujdhesë u dyndën njëri pas tjetrit pushtuesit egërshanë dhe ua mësuan vendësve mjeshtërrinë e ngrënies së kokave të njëri-tjetrit dhe zanatin e kubarisë. Që atëherë gjërat morrën së prapthi, i shndërruan ballkanasit në ujt’ e shtonës dhe i lanë të busojnë gërditshëm nëpër kapërcyej mijëvjeçarësh. Më të dobtit e sollën punën të vajtojnë trojet e të parëve në stilin: Ti më ke pas ken nji zonj’ e randë… Më dinakët ndërkaq shpikën artin e huazimit, zaptimin e të huajës, përvetësimin e kuotave dhe vlerave të tjetrit, pa ia varur fort metamorfozimit në malukat sfrutonjës, që në pazarin e madh të vjedhjes së miteve, baladave, legjendave, heronjve të lashtësisë, figurave historike, personaliteteve të rëndësishme…, u kllumën më shumë nga kënaqësia e pudrosjes së vetvetes me vlerat e tjetrit, se sa nga lezeti që u krijon lakuriqësimi i fqinjëve.

Në këtë përshesh tebdilosjesh e krekosjesh me pendlat e tjetrit, natyrisht, marrim pjesë dhe ne, po vetëm si dhënës, si dhurues dorëlirë, si rokfelerë që s’çajnë kryet për kusur. Ne nuk huazojmë gjë prej të tjerëve dhe nuk i prekim figurat simbol të tyre, jo pse jemi më të ndryshëm se ata, po pse e vuajmë dermën e gjithmonshme të indiferentizmit kronik, që na bën t’i shohim të tepërt edhe thesaret tona pa të cilat nuk ka komb, nuk ka shtet, nuk ka qytetërim. Ne ua dhurojmë ato pa dhimtë të tjerëve, sepse jemi alergjikë dhe nuk i durojmë majat e bjeshkëve tona. Madje, si askush tjetër, ne pështyjmë dhe poshtërrojmë paturpësisht racën tonë, personalitetet, simbolet dhe dinjitetin kolektiv të katandisur në grahmat e fundit, në stinët kur të tjerët nuk bëjnë shaka të tilla.

Shi për këtë, duhet braktisur mospërfilljen që legjitimon zellin e hajnisë së tjetrit dhe lakuriqësimin kolektiv në shkallë gjynahu.

Është koha ta kuptojmë ku na shpiejnë uçkuret e ngushta mendore dhe noti pa busullë n’oqeanet e dallgëzuara?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit