Pendarovski zhvilloi takim me homologun e tij kroat Zoran Milanoviq, biseduan për perspektivën evropiane të vendit

Presidenti Stevo Pendarovski sot u takua me Presidentin e Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq, i cili po qëndron për vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut me rastin e pjesëmarrjes në takimin joformal të liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni, i cili po mbahet në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Në takim u shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme mes dy vendeve, bashkëpunimin në nivel rajonal dhe shumëpalësh, për perspektivat evropiane të vendit tonë dhe situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë drejtim, u shkëmbyen informacione për çështjet e sigurisë në një kontekst më të gjerë, si dhe për agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës dhe aktivitetet në rajon.

Të dy bashkëbiseduesit konfirmuan përkushtimin e tyre për thellimin e miqësisë tradicionale dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe shprehën gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin konstruktiv në kuadër të NATO-s. Presidenti Pendarovski falënderoi Kroacinë për mbështetjen parimore për integrimet evropiane të Maqedonisë.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Eurointegrime Negociata RMV-BEKroaciaStevo Pendarovski