Pendarovski nga Praga: BE-ja duhet të rrisë praninë e saj në Ballkanin Perëndimor për të ruajtur besueshmërinë e saj

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski sot ndodhet për vizitë zyrtare në Çeki, ku me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake u prit nga homologu i tij çek Petër Pavel. Të dy zhvilluan kokë më kokë ku biseduan për marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe për aspiratat e Maqedonisë për anëtarësim në BE, partneritetin në NATO dhe situatën në rajon më gjerë. Kishte edhe takim plenar të delegacioneve, ku Pendarovski dhe Pavel mbajtën një konferencë për media, transmeton Portalb.mk.

Në fjalën e tij, Pendarovski theksoi se Republika Çeke është partner i dëshmuar i vendit, pasi ishte ndër të parat që na dha mbështetje dhe ndihmë konkrete në situata jashtëzakonisht komplekse politike dhe të sigurisë, siç është kriza e emigrantëve dhe pandemia Covid-19. 

“Ajo që ne e vlerësojmë veçanërisht është përkrahja e hapur dhe e qartë e integrimeve evropiane të Maqedonisë dhe negociatave për anëtarësim që po i zhvillojmë, me qëllim të zbatimit të të gjitha reformave thelbësore dhe integrimit tonë të shpejtë në BE”, tha Pendarovski.

Nga Praga, së bashku me presidentin çek, ai dërgoi mesazh se stabiliteti dhe siguria e rajonit varen nga perspektiva evropiane dhe prandaj BE-ja duhet të rrisë praninë e saj.

“Ne pajtohemi me Presidentin Pavel se stabiliteti dhe siguria e Ballkanit Perëndimor, si dhe zhvillimi i tij demokratik, varen nga perspektiva e tij evropiane, e cila është arsyeja pse Bashkimi Evropian duhet të rrisë praninë e tij në rajonin tonë për të ruajtur besueshmërinë e procesit të zgjerimit”, tha Pendarovski.

U bisedua edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Çeke, për të cilat, siç tha presidenti, u konstatua se për gjashtë e shtatë vjet ka pasur progres të vazhdueshëm ekonomik dhe rritje të tregtisë.

“Prandaj është e domosdoshme që ne të vazhdojmë me iniciativa që do të avancojnë kornizën tonë kontraktuale që shërben si platformë që mundëson bashkëpunim edhe më të mirë ndërmjet biznesmenëve çek dhe maqedonas. Me këtë rast, veçanërisht dua të përshëndes iniciativën për themelimin e asociacionit afarist maqedono-çek. Pritshmëritë tona janë që sektori i energjisë, infrastruktura e transportit, sektori i IT, bujqësia, industria ushqimore, si dhe mbrojtja e mjedisit, të jenë prioriteti ynë i përbashkët në të ardhmen, si fusha në të cilat kemi potencial të gjerë për intensifikimin e bashkëpunimit”, tha Pendarovski në konferencën për media.

Gjatë vizitës zyrtare në Çeki, Presidenti do të ketë takime edhe me kryetarin e Senatit të Parlamentit, Milosh Vistrçil, me kryetaren e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit, Marketa Pekarova Adamova, si dhe me kryeministrin çek Petër Fiala.

ÇekiaStevo Pendarovski