PDSH-ja e Menduh Thaçit u largua nga Fronti Evropian

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) Menduh Thaçi mbrëmë konfirmoi se kjo parti nuk është më pjesë e koalicionit Fronti Evropian, raporton Portalb.mk.

“100 ditë janë pak për të analizuar drejt punën e një qeverie. Arsyeja se përse nuk kam qenë në konferencën për shtyp të Frontit (Evropian) është se unë dhe PDSH-ja nuk do të jemi më pjesë e Fronti ”, tha Thaçi në Klan Maqedoni.

Thaçi nuk tregoi arsyet e largimit të tij nga ky koalicion, ndërsa mes tjerash tha se nuk do të bëhet pjesë e Qeverisë.

Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami lidhur me hyrjen e mundshme të Thaçit në qeveri tha se “nuk kam komente dhe nuk besoj se do të bëhet pjesë e Qeverisë”.

Ndryshe, Fronti Evropian u krijua para zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Ky koalicion udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe përbëhet nga Aleanca për Shqiptarët (Ziadin Sela), Lëvizja Populli, Partia Demokratike Europiane, Partia Demokratike Turke Unioni i Romëve, Lëvizja e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, Unioni Demokratik Boshnjak).

Zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 8 maj, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6. Mirëpo, pas rivotimit me 22 maj në shtatë vendvotime për shkak të parregullsive gjatë votimit të 8 majit, koalicioni VLEN fitoi një deputet më tepër, duke i bërë 14 deputetë, ndërsa Fronti Evropian humbi një deputet, i cili shkoi për VLENIN.

Qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut u votua nga deputetët më 23 qershor të këtij viti në krye me kryeministrin Hristijan Mickoski. Kjo Qeveri përbëhet nga VMRO-DPMNE-ja me partnerët koalicionues – koalicionin VLEN dhe partinë ZNAM.

Fronti EvropianMenduh ThaçiPartia Demokratike Shqiptare (PDSH)