Pasi u mbyll rreth tri orë, përsëri u hap kalimi kufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës

Autoritetet policore në Maqedoninë e Veriut dhe Republikën e Kosovës, në orët e pasdites përsëri e kanë hapur pikën e kalimit kufitar Bllacë – Hani i Elezit, transmeton Portalb.mk.

“Ju informojmë se është hapur kufiri në PKK Hani i Elezit, për qarkullim në hyrje- dalje për të gjitha automjetet, ndërsa në Terminalin Doganor ende është i mbyllur qarkullimi për automjete për bartjen e mallrave”, raportoi Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Policia e Maqedonisë së Veriut gjithashtu sqaroi që është hapur kufiri për kalimin e veturave, ndërkohë është hapur edhe qarkorja e Shkupit, e cila ishte e mbyllur në mesditë për shkak zjarreve.

Ministria e Punëve të Brendshme në RMV, në mesditë njoftoi se për shkak të rindezjes së zjarrit pranë Bllacës, trafiku në rrugën kufitare Shkup-Bllacë është ndërprerë plotësisht në të dyja drejtimet, dhe është mbyllur edhe pika kufitare e Bllacës.

Kujtojmë se për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve, Qeveria dje miratoi një vendim në një seancë me të cilin shpalli gjendje krize në të gjithë territorin e vendit për një periudhë prej 30 ditësh. 

BllacaMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Vendkalim kufitarZjarrZjarrfikës