Pasi iu ndanë 4 milionë euro nga Qeveria e Kosovës, minatorët e Trepçës u tërhoqën nga protesta

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka njoftuar se janë tërhequr nga protesta e paralajmëruar për të enjten – më 15.08.2024, kjo pasi Qeveria e Kosovës më 14.08.2024 i ndau katër milionë euro për pagat e tyre, raporton Kallxo.

Minatorët e Ndërmarrjes Publike Trepça kanë bojkotuar punën që nga data 10.07.2024 për mos pagesë të pagave.

“Nisur nga fakti se ditën e djeshme kemi njoftuar se do të mbajmë një protestë pran Qeverisë së Republikës së Kosovës, me qëllimin e vetëm që të kërkojmë ekzekutimin e pagave të papaguara, e duke pasur parasysh reflektimin e qeverisë, ne tërhiqemi nga protesta e cila do të ndodhte nesër” – thuhet në njoftim.

“Qëllimi i minatorëve për ekzekutimin e pagave thuajse është realizuar, ndaj edhe e vlerësojmë të paarsyeshme mbajtjen e protestës ditën e nesërme. Ky edhe ka qenë qëllimi i vetëm i protestës dhe se në asnjë moment kërkesave të minatorëve nuk mund dhe nuk duhet ti vihen ngjyrime politike” – thuhet në deklaratën e sindikatës.

Qeveria e Kosovës të mërkurën ndau nga buxheti i shtetit 4 milionë euro për pagat e minatorëve të Trepçës.

“Për ndërmarrjen publike Trepça do të ndajmë katër milionë euro dedikuar për mbështetje të Trepçës, në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat nga xehja e nxjerra” – tha kryeministri i vendit, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë më 14.08.2024.

KosovaQeveria e KosovësTrepça