Pas shpërthimit të vullkanit, u pezulluan 209 fluturime dhe u bllokuan mijëra pasagjerë

Shpërthimi i vullkanit Anak Krakatau ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në transportin ajror në Indonezi, duke detyruar pezullimin e 209 fluturimeve në aeroportin kryesor ndërkombëtar të Xhakartës, raporton TopChannel.

Hiri vullkanik u zbulua në hapësirën ajrore pranë Aeroportit Ndërkombëtar Soekarno-Hatta të dielën në mëngjes, duke prekur më shumë se 22 mijë pasagjerë. Ndërprerja e fluturimeve ka prekur kryesisht linjat drejt dhe nga Singapori, por edhe destinacione të tjera ndërkombëtare, përfshirë Dohan, Sidnein dhe Kuala Lumpurin. Pezullimi i operacioneve është zgjatur deri në orën 13:30.

Anak Krakatau nisi aktivitetin e fuqishëm vonë të premten. Autoritetet raportuan shpërthime të njëpasnjëshme, aktivitet sizmik, burime lave dhe zhurma të forta në zonat përreth. Dy shpërthime të tjera u regjistruan herët të dielën.

Nuk ka paralajmërim për cunami si pasojë e aktivitetit të fundit të vullkanit. Ndërkohë, hiri ka shkaktuar probleme edhe për banorët e zonave pranë vullkanit. Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë brenda dhe të përdorin maska për t’u mbrojtur nga irritimet e syve, lëkurës dhe rrugëve të frymëmarrjes.

Disa shkolla kanë anuluar aktivitetet, pasi nxënës dhe banorë kanë raportuar irritim të syve. Edhe peshkatarët kanë pezulluar daljet në det për shkak të pranisë së hirit.

Anak Krakatau, i njohur si “Fëmija i Krakatoas”, ndodhet në Ngushticën Sunda, mes ishujve Java dhe Sumatra. Vullkani u bë veçanërisht i njohur pas shembjes së një pjese të tij në dhjetor 2018, e cila shkaktoi një cunami që vrau më shumë se 400 persona.

Indonezia ndodhet në Unazën e Zjarrit të Paqësorit, një nga zonat më aktive në botë për tërmete dhe shpërthime vullkanike.

Aeroplan - AvionTransport ajrorVullkan