Parku i qytetit në Kumanovë i shndërruar në “xhungël”, komuna e ka “harruar” se ekziston

Kullosa të pakositura, bimësi të pakontrolluara, ulëse të dëmtuara, mungesë e shportave të mbeturinave, mungesë e tualeteve publike dhe shumë probleme tjera. Këto janë pamjet nga parku i qytetit në Kumanovë, për të cilin autoritetet nuk përkujdesen për t’i dhënë pamjen e një parku. Qytetarët të revoltuar kërkojnë mirëmbajtje të parkut. Ndërkaq Komuna e Kumanovës edhe pse premtoi zgjidhje, në terren situata mbetet e pandryshuar, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse një ndër parqet më të mëdha në Komunën e Kumanovës, mirëmbajtja për të është thuaj se inegzistente.

Për këtë problem, Portalb.mk bisedoi me qytetarët e Kumanovës. Ata duan park ku mund të relaksohen nga kaosi urbanistik i qytetit .

Një banor i Kumanovës për Portalb.mk tha se ka shumë qytetarë që dalin për të vrapuar në mëngjes, dhe disa dalin në piknik për të kaluar vikendin me fëmijët e tyre, megjithatë ata nuk mund të qëndrojnë gjatë për shkak se nuk ka ulëse, dhe fëmijët nuk kanë mundësi të pasi nuk ka kushte.

“Siç shihet ka hapësirë shumë të madhe, por nuk është aspak i mirëmbajtur. Unë si qytetar që jetoj këtu afër jam përpjekur të kujdesem për parkun ta mirëmbaj i vetëm por për shkak të moshës, nuk kisha mundësi. Parku nuk mirëmbahet, kullosat janë rritur, kushte minimale mungojnë, për kujdesen e parkut është i punësuar një djalë invalid, i cili përpiqet ta mirëmbajë, por më shumë nuk mund të bëjë i vetëm. Mendoj se komuna duhet të kujdeset për parkun, të vendosin karrige dhe shporta për hedhjen e mbeturinave, si dhe të kujdesen rregullisht për parkun që të shfrytëzohet nga ne qytetarët”, tha Qenan Fejzullahu.

Një banore tjetër, shprehi pakënaqësitë e saja në lidhje me parkun e qytetit, ajo tregoi se parku nuk mund të shfrytëzohet, sepse nuk ka kushtet bazë të një parku.

“Një park në qytet është për të ardhur keq se në çfarë gjendje të mjerueshme gjendet. Duhet të vendosen karrige, mungojnë vijat e bardha për çiklistët, pajisjet për këndin e lojërave janë vjetruar, duhet të ketë ndriçim publik dhe gjatë natës parku bëhet i pa sigurt, duke krijuar një ambient të rrezikshëm për lëvizje”, tha Silvija Ristiq.

Gjatë vizitës në park takuam një fëmijë me biçikletë, edhe ai u shpreh se dëshiron park me kushte të mira.

“ Unë dua që në park të dal më shpesh dhe të luaj me shokët, tani që nuk jam në shkollë dua ta shfrytëzojë kohën e lirë duke bërë edhe aktivitete sportive, mirëpo nuk mund të dal shpesh për shkak se parku nuk është i rregulluar, nuk ka kushte aspak, nuk ka as lodra, dhe ka raste kur mund të hasem me ndonjë qen endacak”, tha një 14 vjeçar.

Parku Qytetit Kumanovë, kënd lojrash. Foto nga Portalb.mk

Banorët e Kumanovës kërkuan një park me kushte më të mira edhe gjatë vitit 2021, për TV 21 atë kohë Komuna e Kumanovës premtoi se Parkun e Qytetit do ta shndërrojnë në park modern, me përmbajtje interesante për të gjitha brezat, dhe për realizimin e projektit ishin siguruar mjete përmes Byrosë për Zhvillim Rajonal me implementim, përmes Qendrës për Zhvillim të Rajonit Verilindor në bashkëpunim me Komunën e Kumanovës.

Por pavarësisht premtimeve, punë në terren nuk ka, ky park ende është në gjendje të mjerueshme, me kushte të këqija.

Për këtë problem pyetëm Komunën e Kumanovës, nga atje përgjegjësinë për parkun e hodhën te Ndërmarrja Publike për Pastrim dhe Gjelbërim.

Ndërkaq nga NP për Pastrim dhe Gjelbërim, drejtori Nenad Stojanovski shkurt na njoftoi sе “parku i qytetit mirëmbahet vazhdimisht, ku ndërmarrja pastron, kosit dhe ujit”.

Ndërkaq për pjesën e rikonstruimit topin e hodhën te Komuna e Kumanovës.

Pavarësisht këtyre deklaratave, pamjet nga terreni flasin ndryshe.

Artikuj të gjatëKomuna e KumanovësKumanova