Parandalimi i një vale të re konfliktesh në Ballkan

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha në Bundestag se “është koha për të menduar për një konferencë paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë – këtë herë, me Rusinë në tryezë”. Megjithëse zërat janë në anën e Ukrainës, gjithashtu nevoja për të bërë një marrëveshje po bëhet e pashmangshme për shkak të rritjes së paqëndrueshmërisë në të gjithë BE-në, Evropën Lindore dhe në Ballkan. Në ndërkohë njoftimet për përdorimin e armëve me rreze të gjatë në territorin rus, kanë hapur dilema të reja se një politikë e tillë mund të përbëjë një kërcënim të drejtpërdrejtë për vendet evropiane.

Përderisa disa shtete evropiane dhe SHBA-të mendojnë në atë mënyrë, disa shtete të tjera në BE mendojnë ndryshe dhe në veçanti po mendojnë që të ndërpresin furnizimin me armë për Ukrainën. Përderisa në BE dhe SHBA po nxehen diskutimet në këtë drejtim, në Evropën Juglindore sidomos në Ballkan shohim disa forca në ngritje që mbështesin jo vetëm propagandën, por zhvillojnë aktivitete konkrete në rajon, në pikat e nxehta të Ballkanit sidomos në Kosovë. Maqedonia e Veriut dhe Bosnja gjithashtu janë bërë pjesë e lojës së nxehtë reale duke e shfrytëzuar fenë për qëllime të ndryshme. Situata duket jo stabile në veri të Kosovës, ku Serbia haptazi ka kërcënuar Kosovën me pushtimin e veriut nga forcat serbe ose ndryshe me shtrirjen e sovranitet serb në territorin kosovarë.

Historikisht shtetet dhe institucionet e tjera organizative janë përpjekur të zgjerojnë autoritetin e pushtetit në vende të tjera të cilat kanë përdorur fenë dhe përkatësinë etnike si pretekst për të zgjeruar pushtetin, dhe nganjëherë fillimin e një lufte me vendet e tjera për të arritur qëllimet kombëtare. Javën e fundit qeveria serbe ka përsëritur disa kërcënime se duhet bërë diçka me Kosovën, gjë që i vendosi aktorët ndërkombëtarë në gatishmëri të lartë. Në thelb, në Ballkan një paqe e qëndrueshme rrezikohet për shkak të ndërhyrjes që bëjnë shtetet në vendet fqinj duke e përdorur fenë si mjeti kryesor për të kompensuar nevojën e shtetit për ekspansionizëm nacionalist. Prandaj “sanctum bellum” po përdoret për të ndarë komunitetet dhe grupet e tjera në rajonet e nxehta, veçanërisht në Ballkan.

Të njëjtën luftë dhe propagandë e ka përdorur në Ukrainë Rusia në dy vitet e fundit e cila ka sjellë mijëra njerëz të vdekur. Gjithashtu në shekullin e kaluar, lufta në ish- Jugosllavi ishte një luftë kundër jo vetëm grupeve të tjera etnike, por edhe kundër fesë. Në këtë drejtim, kushtet aktuale tregojnë se rreziku është përpara për shkak të ndryshimeve në BE, dhe rritjes së paqëndrueshmërisë në shtetet veçanërisht ku partitë e djathta e kanë pushtetin.

Nga ana tjetër, është i pamundur të zbatohet projekti i vjetër i integrimit të shteteve ballkanike në BE, përderisa veprimet aktuale politike po përçajnë popujt, ndërsa bashkëpunimi dhe mirëkuptimi janë shumë larg. Në rajonet e lartëpërmendura, përveç veriut problematik të Kosovës, Maqedonia e Veriut në marrëdhëniet ndëretnike po bëhet një zonë e nxehtë për shumë aktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Këtu duhet të merren në konsideratë të gjitha thirrjet për bashkëpunim dhe zvogëlim të dallimeve, midis shteteve dhe etnive në rajonet me prirje për konflikte. Andaj thirrja gjermane për një mënyrë të re të zgjidhjes së luftës në Ukrainë duhet të merret seriozisht edhe prej fuqive të tjera evropiane si një shembull i vënies në funksion të negociatave. Por për fat të keq, përfundimi i luftës mund të jetë zhgënjyes për BE-në, sepse SHBA dhe Britania e Madhe janë gati të miratojnë përdorimin e armëve me rreze të gjerë për Ukrainën kundër Rusisë. Ky do të ishte një tjetër “zjarr” në BE, Ballkan e gjetkë. Në veçanti, do t’i fuste pikat e nxehta të Ballkanit në një konflikt të ri midis çështjeve tashmë të diskutueshme.

Duke i parë rrethanat ndërkombëtare dhe rajonale, të gjitha dallimet veçanërisht etnike dhe fetare do të duhet të kenë një zgjidhje paqësore. Koha është tani të parandalohen të këqijat jo vetëm në BE, Evropën Lindore, por edhe në Ballkan. Se sa do të shfrytëzohen nga qeveritë mbetet të shihet gjatë këtij viti dhe në 2025, ku BE, SHBA dhe aktorë të tjerë gjeopolitikë ndërkombëtarë do të përpiqen të mbyllin ose hapin çështjet aktuale me efekte për një kohë të gjatë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi