Jeta e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut aktualisht është e njëjtë me gazepin e të ngujuarve brenda rrethit vicioz të një shpelle ku nuk ndrit asnjë xixë shprese për ndonjë të ardhme ndryshe. Kjo përsëritet vazhdimisht pas zgjedhjeve parlamentare, të cilat i fitojnë partitë me platforma politike për tkurrjen e gjithanshme të të drejtave legjitime të shqiptarëve, që nuk u shkelën as në stinën e monizmi titist.
Për marifetet e këtilla të pushtetarëve të padrejtë, Platoni shkroi para dy mijë e pesëqind vitesh se shteti më i mirë është ai që ofron liri, të drejta dhe mirëqenie jete. Thënia kuptimplote e filozofit të antikitetit tingëllon e freskët edhe pas aq shekujsh, tamam si e adresuar për shtetet që nuk e respektojnë multietnicitetin, multigjuhësinë dhe multikulturalizmin në nivelin e duhur të një demokracie.
Mjerisht, epoka që i fali njerëzimit njërin prej modeleve të qytetërimit, u rrënua nga mendësia mesjetare dhe u bë shkas hidhërimesh, zënkash dhe prapakthimesh në shoqëritë primitive dhe despotike të së shkuarës. Për çudi, nga iletet e këtilla nuk është imune as koha jonë, veçmas kur shtetet e vogla si ky yni tebdilosen në superfuqi, rimohojnë të drejtat e fituara të tjetrit dhe përpiqen të disiplinojnë rend me rend gjithsecilin që nuk pajtohet me udhët qorre të faraonëve, të cilët nuk e kuptojnë kur dhe përse këputet zullumi?
Në turrin pa krye nuk kursehet askush, veçmas shqiptarët, që tim për tim poshtërrohen nga padronët që e kanë marrë mësysh veten dhe turmën e izmeqarëve mendjegëzauët.
Në rethana të këtilla s’ka si të mos lindë pyetja: a mund të përparojë shteti pa harmonizimin e interesave të dy etnive më të mëdha të vendit, kur njëra palë përpiqet ta zhbëjë madje dhe Gjuhën amtare të palës tjetër?!
Thënë kah del shpirti: fort si gri duket shpresa e një të ardhmeje pa hegjemoni predominimesh etnike, gjuhësore, religjioze…, pa shilka dhe prapaskena të kushtueshme, që, kush e di sa herë na kanë kthyer te seftja e bashkëjetesave kubare. Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje. Ata duan të jenë të lirë në vatrat e të parëve, pa dëmtuar askënd. Ata, thjesht, duan të jetojnë në shtet etnishë të barabarta. Shi për këtë, relikti që më nuk vin në shprehje është respekti i njëanshëm, i imponuar nga frika e kërbaçit, statuset e betonuara dhe “e drejta” e të padrejtit që pandeh se ka në dorë përjetësisht caktimin e sasisë së dozave të kërmillta të rritës sonë.
Së këndejmi, askush nuk duhet të pandehë se i kemi harruar padrejtësitë e vazhdueshme të pushtetarëve ndaj nesh, si: paralelet e përziera, kur për një nxënës maqedonas, që futej kastile në mesin e 30 nxënësve shqiptarë, profesorët detyroheshin t’i mbajnë orët mësimore në gjuhën maqedonase; shprazjet e bibliotekave të shkollave shqipe dhe burgosjen e librave nëpër bodrume ndërtesash të braktisura; dënimet e intelektualëve, në shtëpitë e të cilëve gjendej ndonjë libër mbi historinë e shqiptarëve; diferencimet politike dhe përjashtimet nga puna të mësimdhënësve për shkaqe banale; ndalimin e përdorimit të toponimeve shqipe; ndalimin e pagëzimit të fëmijëvë me emra të bukur shqip; kufizimin e natalitetit të shqiptarëve që lidhej me gjoja luftën biologjike për të mundur numerikisht maqedonasit; shpifjen për vendosjen masive në RMV të shqiptarëve të Kosovës, pas vitit 1999; përrallat bishtdhelpër për shqiptarizimin e popullatës sllave të Rekës së Epërme; tekstet fyese mësimore të përgatitura nga autorët joshqiptarë dhe të ngarkuar me albanofobi; mohimin e autoktonisë sonë në këto hapësira; ulërimat kërcënuese të “kishe tifozëve sportdashës” që ushqejnë urrejtje patologjike ndaj nesh me parullat e stërpërsëritura dhe të padënueshme raciste: “komora gazi për shqiptarët”, “shqiptari i mirë – shqiptari i vdekur”…, pa çka se shqiptarët janë të vetmit që nuk i mohojnë bashkëvendësit maqedonas.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.