Pabarazitë globale

Çështjet kryesore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Lindore mbeten ende të hapura. Të gjithë karakterizohen me rritje të tensioneve në marrëdhëniet ndërshtetërore, dhe me aksione hibride për të demotivuar kundërshtarin. Në terma praktikë, në Ballkan disa zhvillime nuk shkojnë rrugës së dëshiruar. Disa veprime të arsyeshme të qeverisë në Prishtinë për të vendosur rendin dhe sigurinë në veri assesi të bindin euro-amerikanët se Prishtina zyrtare po bën përpjekje për të integruar serbët pa ndërhyrje nga Serbia.

Përkundër përpjekjeve për shtet ligjor, raportet në mes qeverisë së Kosovës dhe Perëndimit mbeten të ftohta. Jo se Kosova po vepron keq, por se bota perëndimore ka interesa të tjera. Dhe këtu në vazhdim parashtrohet pyetja se si mund Kosova dhe një qeveri demokratike të jenë në anën e gjërave reale, kur veriu në Kosovë mbetet ende nën grupet serbe të ndikuar nga Beogradi? Nëse vendosim një paralele të ndodhive globale, mund të nxjerrim një përfundim se përderisa Ukraina do të vazhdojë të mbetet e pushtuar nga Rusia, çështjen serbo-kosovare Perëndimi nuk do ta shohë ndryshe. Do ta shoh me sytë e të fortit e jo të së drejtës.

Në mes tre rasteve kemi dallime në trajtimin e shteteve, pavarësisht se Ukraina, dhe Kosova janë viktima të përhershme të sulmeve të Rusisë dhe Serbisë, qëndrimi i Perëndimit mbetet pozitiv për Kievin, negativ për Prishtinën dhe pozitiv për Beogradin. Këtu BE-ja dhe SHBA-të vazhdojnë të godasin qeverinë e Kosovës, ndërkohë që politika e butë perëndimore vazhdon ndaj Serbisë me gjasa të vogla që situata në terren të përmirësohet. Në veçanti, marrëdhëniet e Kosovës me fuqitë perëndimore janë ulur përshkak të zhvendosjes së politikave të tyre drejt Beogradit. Në këtë lëmsh sigurisht se përgjigje ka, dhe ajo dihet, të tre rastet ndërkombëtare kanë qasje të ndryshme nga fuqitë perëndimore. Përgjigjja ende bëhet më e thjeshtë pasi nuk është vetëm angazhimi për të tërhequr Serbinë nga Rusia, aty është edhe Ukraina, ku SHBA-ja ka përgëzuar sërish politikën e Beogradit zyrtar në kuadër të ndihmës ndaj Kievit, e cila është një politikë e hapur që fuqitë perëndimore e kanë lejuar. Në faza të ndryshme, me vendet e Ballkanit e njëjta politikë mund të perceptohet si vazhdimësi e dobësimit të ndikimit të BE-së dhe SHBA-së në rajon.

“SHBA e vlerëson partneritetin e Serbisë në luftën kundër agresionit rus në Evropë dhe faktin që ajo ofron ndihmë humanitare për popullin ukrainas”, ka njoftuar Departamenti i Shtetit. Po ashtu BE-ja i ka përsëritur disa qëndrime të vjetra duke ritheksuar se “mbajtja e lidhjeve të Beogradit me Rusinë gjatë luftës së saj kundër Ukrainës nuk është në përputhje me vlerat e BE-së dhe procesin e anëtarësimit.” Këto pikëpamje që vijnë nga Uashingtoni dhe Brukseli mund të konsiderohen si “shakaja” më e keqe që dikush mund ta dëgjojë në diplomaci. Sinjalet e BE-së dhe SHBA-së ndaj aleatëve dhe vendeve të Ballkanit përveç Serbisë duken se janë të komplikuara.

Në këtë kontekst, politika ballkanike duhet ta ketë të qartë se SHBA-ja ka ndryshuar shumë nga viti 1999. Këtu ka nevojë për mendësi, energji dhe njohuri të ndryshme për të kapur hapin me zyrtarët e lartë perëndimorë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për udhëheqjen e Kosovës. Zyrtarët e Maqedonisë së Veriut së fundi e morën veten ose e kopjuan palën serbe në politikën e jashtme duke u përqendruar në Kongres dhe në degët tjera të rëndësishme të qeverisë me njerëz që kanë zë në politikën amerikane. Andaj përveç dy rasteve të njohura ndërkombëtare, atë të Kosovës dhe Ukrainës, që herë përplasen e herë mbeten të pavarura, në Ballkan në vazhdimësi krijohen lidhje në mes shteteve mbi baza kombëtare dhe fetare.

Një bosht në ngritje në mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut po vazhdon të ngjallë frikë te disa shtete fqinje. Forcimi i linjës Athinë, Shkup, Beograd, dhe Budapest në dhjetë vitet e ardhshme do të tronditë Ballkanin Perëndimor. Për shkak të pozitës së fortë të katër shteteve, nga Evropa Qendrore në Juglindje, Bullgaria dhe Shqipëria kanë gjasa të mbeten jashtë korridoreve, si ai i X, i cili korridor ka të bëjë më shumë me politikën dhe nacionalizmin sesa një projekt që përpiqet të integrojë të gjithë popujt e Ballkanit. Në veçanti, çështjet mund të përkeqësohen nëse lufta në Ukrainë zgjatet dhe loja e njëjtë në rajon me provokimet ndëretnike si në Bosnjë, Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut do të mbetet e pandryshuar.

Siç vërehet, shqetësimet në Ballkan nuk mbeten vetëm për ballkanasit, ata janë pjesë e BE-së dhe SHBA-së bashkë me të mirat dhe të këqijat. Lidhur me qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare rreth Kosovës, Ukrainës, dhe Serbisë aktualisht do të mbeten të njëjta si emergjencë e tyre diplomatike me qasje jo të drejtë sidomos ndaj Kosovës. Nëse si komb ëndërrohet vazhdimisht për barazi dhe drejtësi në politikën ndërkombëtare, kjo mund të jetë një shenjë e keqe, sepse është sfiduese për ta gjetur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi