“Siç e dini, ne tashmë kemi të hapura negociatat e anëtarësimit. Siç përmenda, Mali i Zi dhe Shqipëria, si edhe Serbia. Po presim, e dini, të fillojmë me Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën, ndërsa Kosova, sigurisht, vjen në fund. Nga ana tjetër, në lindje kemi Ukrainën dhe Moldavinë, të cilat kanë bërë përparim shumë të madh dhe së fundmi kanë realizuar reforma të rëndësishme. Pra, ka katër vende për të cilat shohim mundësi reale që të bëhen anëtare të reja, me kusht që të zbatojnë reformat e nevojshme”, ka deklaruar eurokomisionerja për Zgjerim, Marta Kos, duke folur për rrugën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, transmeton Portalb.mk.
Në një intervistë për Euronews Bulgaria, e pyetur për aspiratat e Maqedonisë dhe nëse gjithçka varet nga ndryshimet kushtetuese, Kos tha se në procesin e anëtarësimit të vendit ka dy pika të rëndësishme.
Sipas saj, vendi tashmë ka zbatuar disa reforma të domosdoshme për fazën pas hapjes së negociatave. Megjithatë, procesi zyrtar, faza fillestare, ende nuk ka përfunduar plotësisht, sepse, siç theksoi ajo, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese.
“Sapo vendi t’i miratojë ndryshimet në Kushtetutë, pa vonesa të mëtejshme apo kushte shtesë, ne do të mund të organizojmë atë që e quajmë Konferencë Ndërqeveritare. Presim me padurim këta hapa të rëndësishëm”, deklaroi Kos.
Nga ana tjetër, shtoi ajo, Maqedonia e Veriut është pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe tashmë ka disa rezultate pozitive.
“Për shembull, nga tetori Maqedonia e Veriut është pjesë e mekanizmit SEPA. Javën e kaluar u takova me kryeministrin Mickoski në Tiranë. Qytetarët dhe kompanitë e Maqedonisë së Veriut kursejnë 62 milionë euro për shkak të përfshirjes në SEPA. Një element tjetër pozitiv është marrëveshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për Korridorin 8, i cili do të mundësojë lidhjen e Detit Adriatik me Detin e Zi. Kjo lidhje transporti është me rëndësi të madhe strategjike.”
Ajo shtoi se ka lëvizje pozitive, por kur bëhet fjalë për procesin e anëtarësimit, Maqedonia e Veriut duhet ta ndryshojë Kushtetutën.
“Ajo që shohim tani,” përfundoi Kos, “është se ekziston vullnet në Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE.”
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, kuadër i VMRO-DPMNE-së në lidhje me ndryshimet kushtetuese, tha se nuk ka asgjë të re, duke bëre me dije se nuk po punohet në këtë drejtim.
“Sqaruam qartë qëndrimet tona, nëse lidhen me kontinuitetin historik dhe politik të popullit tonë, me veçantinë e gjuhës maqedonase, apo me tentimet që historia të përdoret si mjet për bllokimin e negociatave. Gjithashtu kemi thënë qartë se Bullgaria nuk i zbaton vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe se kërkojmë zbatimin e tyre. Kërkojmë që Bullgaria të njohë pakicën maqedonase dhe ta përfshijë në Këshillin për Pakicat Kombëtare. Qëndrimet tona janë të njëjta siç ishin edhe kur ishim opozitë”, tha Nikolloski.
Sa i përket zgjidhjes së ngërçit, Nikolloski vlerëson se situata e Ukrainës ka gjeneruar një “optimzëm të ri” për zgjerimin e BE-së dhe se disa shtete të mëdha dhe më të fuqishme të Unionit mund të mbështesin zgjerimin dhe të ushtrojnë presion ndaj Bullgarisë që të mos e bllokojë Maqedoninë e Veriut.
Në të kundërtën, ai tha se nuk sheh vullnet te Sofja për të ndërmarrë një hap pozitiv vetë.
“Të jem shumë i saktë: nuk po flas për Komisionin Evropian, as për Brukselin. Flas për disa nga shtetet më të mëdha dhe më të fuqishme të BE-së. Vetëm nëse ato bien dakord për zgjerim, mund të ushtrojnë presion ndaj Bullgarisë që të mos na bllokojë. Nga ato që di, shtetet që ishin kundër zgjerimit dy apo tre vite më parë, janë kundër edhe sot, thjesht tani kanë retorikë më të butë për shkak të zhvillimeve në Ukrainë”, tha Nikolloski.
Ndërkaq, jo më larg se dje ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në vend, Ozlem Canel, tha se Holanda e ndan qëndrimin me Komisionin Evropian se ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen dhe zbatimi i reformave të nevojshme në fushat kryesore duhet të përfundojë.
Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Në fund të muajit tetor, presidentja Gordana Siljanovska – Davkova deklaroi se marrëveshja me Bullgarinë nuk përmban nen për ndryshimin e Kushtetutës.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.