Osmani në takime me ministrat e Armenisë dhe Azerbajxhanit: Përdorimi i forcës për të zgjidhur kontestet është i papranueshëm

Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, zhvilloi takime të veçanta me Ministrin e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, Xhejhun Bajramov dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Armenisë, Ararat Mirzojan, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, transmeton Portalb.mk.

Gjatë takimeve, ai shprehu shqetësimin e tij të thellë për operacionet e sotme ushtarake në rajon, si dhe për rrezikun dhe ndikimin në popullatën e prekur civile. Duke bërë thirrje për deeskalim urgjent, ai shprehu sërish shqetësimin për pasojat serioze për njerëzit, veçanërisht grupet e prekura.

“Duhet të mbizotërojnë aspektet humanitare dhe të sigurohen nevojat humanitare të popullatës vendase”, nënvizoi Osmani gjatë takimeve.

Kryesuesi theksoi gjithashtu se përdorimi i forcës për zgjidhjen e kontesteve është i papranueshëm dhe se dialogu i qëndrueshëm dhe konstruktiv mes palëve është e vetmja rrugë drejt paqes së përhershme.

Ai e përsëriti gatishmërinë e tij për angazhimin personal dhe aktiv dhe theksoi se OSBE-ja si organizatë është e gatshme që t’i ndihmojë Armenisë dhe Azerbajxhanit në rrugën drejt paqes.

“OSBE-ja ka përvojën, ekspertizën dhe mjetet e nevojshme për lehtësimin e dialogut dhe ndërtimin e besimit, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve relevante,” tha Osmani në takimet e tij të veçanta me ministrat e Punëve të Jashtme të Armenisë dhe Azerbajxhanit, Mirzojan dhe Bajramov.

Kujtojmë se ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, më 18 shtator në kuadër të Debatit të Përgjithshëm të OKB-së, në Nju Jork, mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani.

Takimi u mbajt në kontekst të fokusit të shtuar të Italisë drejt përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe inkurajimit të bashkëpunimit rajonal.

ArmeniaAzerbejxhaniBujar OsmaniMinistria e Punëve të Jashtme (MPJ)