Organi i BE-së për standardet etike, në kohë ose “pak si shumë vonë”

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Pak më shumë se një vit më parë Bashkimi Evropian u trondit nga skandali “Qatargate”. Ndër masat të cilat atëkohë u aktualizuan për parandalim më efikas në luftën kundër korrupsionit ishte propozimi për formimin e një organi të posaçëm.

Pak kohë më parë, në seancën e prillit, Parlamenti Evropian dha pëlqimin për krijimin e një organi ndërinstitucional për standardet etike të anëtarëve të institucioneve dhe organeve këshilldhënëse të Bashkimit.

Nuk ka qenë aspak e lehtë që të harmonizohet teksti i Marrëveshjes ndërinstitucionale për formimin e këtij organ, i cili ishte subjekt i reagimeve të ashpra ndërpartiake dhe akuzave të ndërsjella. Grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian – Grupi i Partisë Popullore Evropiane (PPE) ishte kundër propozimit, por ai u mbivotua nga socialdemokratët, të gjelbërtit, liberalët dhe të majtët. E përderisa këto grupe politike e akuzonin PPE-në se po e bllokon luftën për parandalimin e korrupsionit, ky grup politik e arsyetoi kundërshtimin e tij me disa argumente. Fillimisht argumentoi se nuk ka bazë ligjore.

Pastaj që Këshilli i BE-së nuk është “plotësisht” pjesëmarrës në marrëveshje, por merr pjesë në zbatimin e saj. PPE gjithashtu vuri në dukje se me vendosjen e Sekretariatit të organit në Komisionin Evropian, ekzekutivi evropian vendoset mbi Parlamentin Evropian, i cili, nga ana tjetër, paraqet një precedent që mund të kontribuojë në dobësimin e rolit të parlamenteve në përgjithësi. Në fund, u reagua edhe se hetimet e mundshme të anëtarëve individualë do të ishin të ndjeshëm ndaj abuzimeve politike.

Përkundër pikëpamjeve të tilla, koalicioni i organizatave joqeveritare (i udhëhequr nga Transparency International) në reagimet dhe adresimet e tij drejtuar institucioneve evropiane, këmbëngulte që pikërisht ai organ të ketë kompetenca për hetimin e pavarur dhe sanksionimin e institucioneve të BE-së, të cilat mungojnë në versionin final. Sipas tyre, pa kompetenca të tilla organi nuk do të përmbante asnjë nga elementet thelbësore “të nevojshme për ta pastruar sistemin e integritetit në BE”. Pra, ata mbeten në vlerësimin se ajo që BE-ja po bën në luftën kundër korrupsionit është “pak si shumë vonë”.

Të shohim më nga afër se cilat institucione janë pjesë e Marrëveshjes, si është i përbërë dhe çfarë do të bëjë ky organ. Pjesëmarrës në marrëveshjen ndërinstitucionale, krahas Komisionit dhe Parlamentit Evropian, janë edhe Këshilli i BE-së, Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, Banka Qendrore Evropiane, Gjykata Evropiane e Revizorëve, Komiteti Evropian Ekonomik dhe Social dhe Komiteti Evropian i Rajoneve. Është lënë hapësirë ​​edhe për bashkëngjitjen e Bankës Evropiane të Investimeve. Megjithatë, jo të gjithë anëtarët e këtyre institucioneve janë të përfshirë dhe i nënshtrohen standardeve që duhet të hartohen nga ky organ. I tillë është rasti me Këshillin e BE-së dhe me Gjykatën Evropiane, e cila ka vetëm rolin e vëzhguesit.

Organi do të përbëhet nga një përfaqësues i pjesëmarrësve – në parim në nivelin e zëvendëspresidentit, i cili do të ketë edhe një zëvendës. Krahas tyre, anëtarë do të jenë edhe pesë ekspertë. Detyra kryesore e organit do të jetë vendosja dhe përditësimi i standardeve minimale etike për anëtarët e pjesëmarrësve të Marrëveshjes. Çdo pjesëmarrës do mund të kërkojë mendim nga ekspertët e pavarur. Zbatimi u është lënë vetë institucioneve, të cilat çdo vit do të duhet të vetëvlerësohen, ndërsa organi do të dorëzojë raport vjetor. Reagimi i Transparency International është veçanërisht i ashpër në lidhje me vetëvlerësimin, duke theksuar se “vetë-monitorimi dhe integriteti politik janë një kontradiktë në termat”.

Përndryshe, pothuajse një vit e gjysmë pas zbardhjes së skandalit “Qatargate”, ende jemi larg epilogut. Gjykytësi i njohur belg Michel Claes u tërhoq nga çështja pasi dyshohej se kishte konflikt interesi. Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Eva Kaili, nuk është më nënkryetare dhe është përjashtuar nga grupi socialdemokrat. Ajo është ende deputete e Parlamentit Evropian dhe ka kohë që është liruar nga paraburgimi. “Truri” i operacionit, Panzeri, ish-deputeti i Parlamentit Evropian, vendosi të bashkëpunojë me prokurorinë belge, dhe siç pritej ua hodhi fajin të tjerëve.

Se organi i ri, dhe sigurisht – standardet e ardhshme të përbashkëta të etikës – në BE do të kontribuojnë në luftën kundër korrupsionit, përkëtë nuk ka aspak dyshim. Por, nuk ka dyshim edhe se ende mungojnë shumë hallka të rëndësishme në zinxhirin e luftës kundër korrupsionit.

Bashkimi Evropian (BE)Eurointegrime Negociata RMV-BEKorrupsion - RyshfetMalinka Ristevska Jordanova