Ofendimet ndaj maqedonasve, vjen dënimi i parë për Dakun

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku, është në pritje të vendimit të UEFA-s për ofendimet ndaj maqedonasve në përfundim të ndeshjes Shqipëri-Kroaci. Ndërkohë që dënimi i parë ka ardhur nga Rubin Kazan, klubi ku ai luan në Rusi. Në një reagim zyrtar klubi njofton se dënon koret ofenduese të tifozëve të iniciuara nga Daku dhe shton se në vijim do të ketë dhe një masë disiplinore dhe gjobë ndaj futbollistit, transmeton Euronews.

“Sulmuesi Mirlind Daku ka kryer thirrje ofenduese pas ndeshjes së EURO 2024 të ekipit kombëtar të Shqipërisë ndaj Kroacisë.

Klubi jonë merr përgjegjësinë për çfarë ka ndodhur. FC Rubin përfaqëson një ekip multinacional, dhe gjithmonë i përputhet parimeve të respektit dhe barazisë, duke dënuar në mënyrë kategorike çdo formë diskriminimi aspo fyerje në bazë kombëtare, fetare apo racore.

Pas kthimit në ambientet e klubit, ndaj futbollistit do të aplikohen sanksione disiplinore dhe financiare. Një bisedë shpjeguese do të mbahet gjithashtu me lojtarin në klub, për të shmangur incidente të tilla në të ardhmen”, shkruhej në njoftimin e klubit të Rubin Kazan.

Kujtojmë se në një video të shkurtër që ka qarkulluar në rrjetet sociale, Daku shihet me megafon në dorë duke sharë maqedonasit, ndërsa pas tij dëgjohen të thonë të njëjtën gjë edhe tifozët e pranishëm në stadium për ndeshjen me Kroacinë.

Në një reagim të dhënë ditën e premte, futbollisti shqiptar kërkoi ndjesë dhe tha se sjellja e tij erdhi si pasojë e mos-kontrollit të emocioneve pas ndeshjes me Kroacinë.

“Ndjesë nëse kam fyer dikë pas ndeshjes me Kroacinë, afekti i lojës e bën të vetën, unë vazhdoj të punoj së bashku me gjithë grupin rreth ëndrrave tona. Falja është burrërore, dhe e ndiej obligim moral dhe profesional ta bëj një gjë të tillë, për gjithë ata që janë lënduar”, ka shkruar ai në Facebook.

Në postimin në Facebook, Daku ka shprehur falënderime për përkrahësit e Shqipërisë.

“Si çdo futbollist, në ato momente emocionet janë në një nivel tjetër, ku vetëm brenda fushës mund të kuptohen, është e vështirë të përshkruash ndjenjën e të luajturit për këtë Kombëtare, për këta tifozë të mrekullueshëm që na japin dashni pa kufi, ashtu siç është dhe moto jonë, ‘Shqipëri dashni pa kufi’”, ka shkruar ai.

Kupa Evropiane Futboll Euro 2024Reprezentacioni i Shqipërisë Futboll