NPK ‘Sharri’ Tetovë: Kush bën lidhje ilegale në rrjetin e ujësjellësit do dënohet, këto janë dënimet e parashikuara

Ndërmarrja Publike për Ujë dhe Kanalizim “Sharri” – Tetovë ka njoftuar se duke filluar nga e hëna, më 01.12.2025, do të hyjnë në fuqi masat e reja ndëshkuese ndaj keqpërdoruesve të ujit dhe kyçjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit, transmeton Portalb.mk.

Nga aty thonë se çdo lidhje e paligjshme dhe çdo formë keqpërdorimi të ujit do të sanksionohet sipas ligjit.

“Dënimet e parapara: Për amvisëri dhe persona fizik: nga 500 € deri në 2,000 €. Për biznese, persona juridik, si dhe ndërtues të ndërtesave banesore që kryejnë kyçje ilegale: deri në 5,000 €”, thanë nga NPK ‘Sharri’.

Ata thonë se pasi kanë hasur në shumë raste të keqpërdorimit, ku qytetarë kanë ndërhyrë dhe kanë prekur orëmatësit e ujit, njoftojnë se çdo manipulim i tillë do të trajtohet si shkelje serioze dhe për të gjithë shkelësit që do të konstatohen nga ekipet e NPK “Sharri”, do të bëhet ç’kyçja nga rrjeti i ujësjellësit pa paralajmërim.

Javë më parë, për shkak të reshjeve dhe turbullirave, qyteti u përball me ndalesa dhe restrikcione për disa ditë, të cilat shkaktuan revoltë të madhe te qytetarët.

Defektet e ujit janë bërë përditshmëri dhe tetovarët shpesh ngelin pa pikë uji në çezmat e tyre.

Viteve të fundit, qyteti është përballur vazhdimisht me restrikcione të ujit, sidomos gjatë verës dhe dimrit, të cilat kanë shkaktuar revoltë te qytetarët.

Përndryshe, Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra.

Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte. 

Premtimet e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit nuk janë realizuar siç ai ka premtuar.

Pavarësisht se ka pasur intervenime, qytetarët në këto katër vite janë përballur me mungesa, restrikcione dhe probleme të ndryshme të furnizimit me ujë. Kasami është arsyetuar se punët që nuk janë bërë brenda dyzet viteve nuk mund të bëhen brenda një viti apo katër viteve.

Para zgjedhjeve lokale 2021 në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të kenë që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.

Në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premtoi rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Ndërsa edhe në programin e tij zgjedhor 2025-2029 për menaxhimin me Tetovën, te pjesa e urbanizmit vazhdon të premtojë rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Komuna e TetovësNPK "Sharri"UjësjellësiUji - ujë