Njohje të reja përballë narrativës serbe se “Kosova nuk është shtet”

Procesi i njohjeve ndërkombëtare të Kosovës në vetëm dy javë hyri në një fazë të re pas më shumë se katër vjetësh stagnim. Kenia dhe Sudani janë dy shtetet afrikane që zyrtarisht e njohën pavarësinë e Kosovës, duke i dhënë një dinamikë të re afirmimit në arenën ndërkombëtare. Derisa këto zhvillime u përshëndetën nga institucionet vendorë dhe diplomatët perëndimorë në Kosovë, në Serbi pati reagime të ashpra nga nivelet më të larta të pushtetit, shkruan Sbunker.

Njohjet nga Kenia dhe Sudani vijnë pas një rënie të ritmit të njohjeve në vitet e fundit. Shteti i fundit që e kishte njohur Kosovën është Izraeli në vitin 2020, në kuadër të Marrëveshjes së Washingtonit.

Në një video bashkë me ministrin e Jashtëm të Sudanit, Ali Yousuf al-Sharif, në Forumin e Diplomacisë në Antalia të Turqisë, Presidentja Vjosa Osmani tha se u njoftua nga ai për vendimin e presidentit të Sudanit për ta njohur Kosovën dhe për të lidhur marrëdhënie mes dy vendeve.

Osmani e përshkroi njohjen si “fillim të një partneriteti madhështor”.

Paraprakisht u konfirmua njohja nga Kenia, në një ceremoni që u bë publike nga ish zëvendës/kryeministri dhe ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli, para se presidentja Osmani të konfirmonte zyrtarisht se ka pranuar njohjen nga homologu i saj kenian, William Ruto.

Njohjet nga shtetet afrikane rikthyen në Serbi narrativën anti-Kosovë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka cilësuar njohjen nga Kenia “një akt të rëndë dhe goditje politike ndaj Serbisë”. Ai madje e ka përsëritur se Serbia do të vazhdojë fushatën e saj të “çnjohjeve” dhe se duhet të përgatitet për një përballje intensive me, siç e quajti ai, “lobimin e fuqishëm të Prishtinës”.

Kjo retorikë del hapur kundër marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023 e arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në të cilën palët janë zotuar të mos e pengojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare.

“Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra prej tyre nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, thotë neni 4 i marrëveshjes.

Pavarësisht marrëveshjes që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, kjo e fundit vazhdon të kultivojë narrativën se “Kosova nuk është shtet” dhe se “çdo njohje duhet kundërshtuar me fushata të organizuara për anulimin e tyre”. 

Madje media serbe pro pushtetit për t’i delegjitimuar njohjet spekuluan se ato janë blerë me para. Sipas “Kurir” për të siguruar njohjen nga Kenia, autoritetet kosovare kanë “paguar 100 mijë dollarë”. Kjo, sipas zyrtarëve serbë, pretendohet të jetë një shkelje e rëndë e normave ndërkombëtare, megjithëse nuk ofrohet asnjë provë për këtë shumë apo mekanizmin përmes të cilit ajo është realizuar.

Në një tjetër artikull tjetër, shkruan se Serbia duhet të reagojë me kundër-kampanjë për çnjohjen e Kosovës, ndërsa përmendet se “në veprim është një lobim serioz nga Prishtina”. Aty thuhet se Serbia po përgatit një fushatë të re ndërkombëtare për të kundërshtuar çdo njohje të re të Kosovës dhe për të rritur presionin mbi vendet që tashmë e kanë njohur.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë. Në MPJD thanë se kundërshtimi i fundit nuk është një rast i izoluar.

“Fushata e vazhdueshme e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës tashmë është cilësuar nga Bashkimi Evropian si shkelje e Marrëveshjes së Brukselit, siç është reflektuar në deklaratat publike të kohës se fundit pas votës së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në prill 2023. Zgjerimi i kësaj fushate në kontestimin e njohjeve bilaterale si ajo nga Sudani, zbulon sërish që Serbia përdor një strategji të qëllimshme për të minuar shtetësinë e Kosovës dhe ka një mospërfillje të vazhdueshme ndaj parimeve të dialogut konstruktiv dhe stabilitetit rajonal”, shkruan në deklaratë.

Sipas MPJD-së, vendimi i Sudanit për të njohur pavarësinë e Kosovës është politikisht i përgjegjshëm, historikisht i justifikuar dhe ligjërisht i qëndrueshëm, në përputhje me Mendimin Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, i cili konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare. “Kjo njohje pasqyron konsensusin në rritje global për shtetësinë e Kosovës, me 119 shtete që tashmë qëndrojnë në solidaritet me sovranitetin tonë”. 

Kundërshtimi i vazhdueshëm i Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës rrjedh nga politika shtetërore e mosnjohjes së pavarësisë e shpallur më 17 shkurt 2008. Serbia e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj, duke u mbështetur në Kushtetutë dhe duke zhvilluar një fushatë të ashtuquajtur “çnjohjesh” në përpjekje për ta zbehur mbështetjen ndërkombëtare ndaj Kosovës.

Kjo politikë përkrahet edhe nga aleatët e saj si Rusia dhe Kina ku në të kaluarën është penguar anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare si INTERPOL, UNESCO dhe Këshillin e Evropës.

DisinfohubKosovaSbunkerSerbia