Njëmbëdhjetë të arrestuar në përleshje masive midis emigrantëve nga Maqedonia dhe Shqipëria në Itali

Një fotografi e bërë pa leje me një telefon celular shkaktoi përleshje të dhunshme midis emigrantëve nga Maqedonia dhe Shqipëria, e cila çoi në arrestimin e njëmbëdhjetë personave në Itali të dielën në mbrëmje dhe ngritjen e kallëzimeve penale kundër një djali 17-vjeçar i cili tashmë është kthyer te prindërit e tij. Dy grupe rivale u përleshën me shkopinj, shishe, karrige dhe madje edhe tavolina përpara barit të një stacioni benzine, vetëm pak hapa larg spitalit në Perugia, transmeton Portalb.mk.

Të gjithë të ndaluarit janë shtetas të huaj, shqiptarë, maqedonas dhe rumunë të moshës midis 19 dhe 31 vjeç, që jetojnë në pjesë të ndryshme të Italisë. Sot, është caktuar seancë dëgjimore për të gjithë për të konfirmuar ndalimin e tyre para një gjyqtari.

Pas mbërritjes së karabinierëve dhe patrullave të policisë, dy nga pjesëmarrësit në përleshje, të cilët i kishin shpëtuar arrestimit, goditën një maqedonas 27-vjeçar ndërsa ata largoheshin me një makinë.

“E bënë me qëllim”, pohon burri i plagosur, i cili përfundoi në spital me gju të thyer.

Sistemi i kamerave të sigurisë nuk e regjistroi aksidentin me makinë, por pamjet filmike rezultuan të dobishme në rindërtimin e ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësisë. Kamera, për shembull, regjistroi një nga pjesëmarrësit në sherr duke u përpjekur të hiqte qafe një dozë kokaine të fshehur në një varëse çelësash duke e hedhur atë në një vazo, gjë që mund të hapte rrugë të tjera hetimore.

ItaliaMaqedonia e Veriut RMVRrahjeShqipëria