Një oligark rus ka ndihmuar në financimin e dasmës së djalit të presidentit amerikan Donald Trump, Donald Trump Jr., ka raportuar portali hulumtues ProPublica, transmeton DPA.
ProPublica bën të ditur se bëhet fjalë për Umar Kremlev, president i Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit (IBA), për të cilin thuhet se mban marrëdhënie të mira me presidentin rus Vladimir Putin. Sipas portalit, Kremlev ka paguar qindra mijëra dollarë për festimin në Bahamas. Vetëm marrja me qira e ishullit privat thuhet se ka kushtuar rreth 100 mijë dollarë në ditë, ndërsa fishekzjarrët kanë kushtuar rreth 70 mijë dollarë.
“Miqësia nuk duhet të jetë domosdoshmërisht e motivuar politikisht. Bujaria nuk nënkupton automatikisht motive të fshehta. Dhe, ndonjëherë, një dhuratë dasme është thjesht një dhuratë dasme”, ka shkruar nusja e Trumpit, Bettina Trump, në Instagram, pasi u publikua artikulli.
“Miku ynë i dashur Umar na organizoi me shumë bujari dy mbrëmje të jashtëzakonshme festimi PAS dasmës sonë”, ka shkruar ajo. Ajo e ka përshkruar këtë si “një dhuratë jashtëzakonisht bujare dasme nga një mik, për të cilën ishim dhe mbetemi jashtëzakonisht mirënjohës”.
Sipas portalit, Kremlev është takuar me Trump Jr. pak para dasmës në maj, por megjithatë ka marrë pjesë në festim së bashku me një grup më të madh të ftuarish të tjerë rusë. Bettina Trump në postimin e saj e ka përshkruar dasmën si “një dasmë private familjare, një fundjavë të mrekullueshme me miq dhe shumë argëtim”.