Një kryeprokurore, një prokurore dhe 11 zyrtarë policorë u pezulluan për rastin e Arlinda Zekajt

Kuvendi i Kosovës e ka themeluar një komision parlamentar për të hetuar nëse kishte mungesë veprimesh nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt ditë më parë, ndërkohë që autoritetet i kanë pezulluar 13 zyrtarë që ishin marrë me rastin e saj për dhunë në familje, raporton Radio Evropa e Lirë.

Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj më 25 tetor, ndërsa bashkëshorti i saj po mbahej në ndalim për kanosje ndaj saj. Vrasja e saj, e cila ndodhi pavarësisht thirrjeve të saj të vazhdueshme për mbrojtje, ka nxitur zemërim të madh dhe protesta në vend.

Në një seancë të enjten, Kuvendi e miratoi me 90 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim komisionin hetimor me 11 anëtarë, i cili ka për detyrë të zbardhë lëshimet e dyshuara zinxhirore të institucioneve në rastin e 49-vjeçares nga Vitomirica e Pejës.

Komisioni detyrohet që ta përpilojë një raport përfundimtar me gjetjet e hetimit dhe t’ia paraqesë atë Kuvendin brenda një afati prej gjashtë muajve nga data e themelimit. Ky komision buron nga një rezolutë që Kuvendi e miratoi të hënën për hetimin e vrasjes së Zekajt dhe parandalimin e dhunës ndaj grave.

Pezullimet

Një kryeprokurore, një prokurore dhe 11 zyrtarë policorë janë pezulluar të enjten lidhur me mënyrën se si ishin marrë me rastin e Zekajt.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) i pezulloi nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe prokuroren e rastit të Zekajt, Arlinda Nallbani Gacaferi.

KPK-ja tha në një njoftim për media se ka themeluar panel hetimor për trajtimin e rastit të Zekajt.

Si ndaj Vuçetajt, ashtu edhe ndaj Nallbani Gacaferit, KPK vendosi që të iniciohen procedura disiplinore dhe për këtë u themelua panel hetimor, thuhet në njoftim.

Duke komentuar vendimin e KPK-së, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se për herë të parë në dekadën e fundit, ky këshill i tha “jo kulturës së pandëshkueshmërisë”.

Miftaraj tha se shembullin e KPK-së për llogaridhënie duhet ta ndjekin edhe institucionet e tjera, përfshirë policinë, gjyqësorin, shërbimet sociale, Komuna e Pejës, Ministria e Drejtësisë dhe ajo për Punë të Brendshme.

Ndërkohë, Policia e Kosovës tha më vonë se i ka pezulluar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Zekajt.

Ndaj këtyre zyrtarëve policorë është duke u zhvilluar një hetim paraprak nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), lidhur me veprimet apo mos veprimet e tyre në rastin në fjalë, tha Policia.

Bazuar në rekomandimin e IPK-së, Policia e Kosovës pezulloi ushtruesin e detyrës së drejtorit Rajonal në Pejë, Agron Hasanaj, komandantin e Stacionit Policor në Pejë, Faik Jahmurataj, zëvendëskomandantin, shefin e Sektorit të Hetimeve etj.

Në mesin e të pezulluarve janë edhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë.

IPK-ja, e cila kërkoi pezullimin e tyre, tha se kishte dështim të zinxhirit përgjegjës komandues në trajtimin e rastit të dhunës në familje, vlerësimit të nivelit të rrezikut dhe ekzekutimit të vendimit të Gjykatës kompetente nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, Stacioni Policor në Pejë, Nënstacionin policor në Vitomiricë dhe njësitë e hetimeve nga niveli rajonal dhe në nivel stacioni.

Ajo tha se ka gjetur se policia nuk e kishte ekzekutuar urdhri mbrojtës të 7 shtator 2026 për Zekajn. Ndërsa, urdhri i dytë mbrojtës i 16 tetorit 2026 ishte ekzekutuar me 6 ditë vonesë, më 22 tetor 2026, dhe atë pas vetëm ndërmarrjes së veprimeve zyrtare nga IPK-ja, e cila kishte pranuar fillimisht ankesë nga Zekaj.

IPK-ja zbuloi se zinxhiri komandues e kishte shpërfillur një kërkesë zyrtare të 23 tetorit 2026, të dërguar nga hetuesi policor. Hetuesi kishte vlerësuar se gjatë kohës që Arlinda Zekaj ndodhej në shtëpi, të vizitohej nga patrulla policore dhe të kishte komunikim të shtuar me të, me qëllim të shmangies së situatës brenda shtëpisë.

Policia tha se i pezulloi ata bazuar në udhëzimin administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore. Ky udhëzim thekson se pezullimi nga puna mund të zgjasë më së shumti gjashtë muaj. Pas kësaj periudhe punëdhënësi është i obliguar që të punësuarin ta kthejë në punë ose t’ia shkëpusë kontratën e punës.

Dhuna ndaj graveKosovaPolicia e Kosovës