Një i vdekur dhe shtatë të lënduar në një aksident trafiku në Kosovë

Një automjet është aksidentuar paraditen e 13 marsit në Vushtrri, duke lënë të vdekur shoferin dhe duke lënduar disa të tjerë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Policia e Kosovës tha se aksidenti raportohet se ka ndodhur rreth orës 08:00 në fshatin Galicë të Vushtrrisë, duke shtuar se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar njoftoi disa orë më vonë se shoferi, 59 vjeç, ndërroi jetë si pasojë e lëndimeve të marra.

Sipas autoriteteve edhe shtatë persona të tjerë janë lënduar gjatë këtij aksidenti trafiku, teksa zyrtarë të Vushtrrisë kanë thënë se të lënduarit janë nxënës.

“Nga hetimet e para të zhvilluara në vendngjarje, bëhet e ditur se si shkaktar i aksidentit dyshohet të ketë qenë pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës ku për pasojë vetura përfundon jashtë rruge”, u tha në njoftimin e Policisë.

Ndërkaq, kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se me veturën e aksidentuar po transportoheshin nxënës nga fshati Duboc i kësaj komune.

Ai tha se disa fëmijë të lënduar janë duke marrë mjekësor në emergjencën e spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri.

Aksident trafiku rrugor (veturë motor biçikletë bus)Kosova