Një hap përpara, dhe dy prapa

Parlamenti Evropian (PE), në raportin e tij të fundit, nuk i ka dha Maqedonisë së Veriut (MV) një notë të mirë në fushat thelbësore të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor.

“Maqedonia e Veriut ka nevojë për përparim më të shpejtë në rrugën e saj drejt BE-së. Parlamenti shpreh keqardhje për përparimin e kufizuar që nga raporti i tij i vitit 2025, veçanërisht në sundimin e ligjit, reformën gjyqësore dhe luftën kundër korrupsionit. Ndryshimet kushtetuese mbeten të nevojshme për të hapur grupin e parë të negociatave”, thotë raporti i fundit 2026 i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut.

Një muaj më parë, kur ky raport u publikua, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hrisitjan Mickoski, bëri komente të ndryshme se vendi ka marrë raportin më të mirë.

Dhe kjo zakonisht varet se si lexohet raporti dhe si përdoret për qëllime të brendshme politike.

Raporti është shumë i qartë, dhe ka vënë qeverinë në një pozicion të vështirë: të ecë me reformat dhe ndryshimin e emrit ose të ngecë për vite me radhë në të njëjtin vend.

Në këtë drejtim, opozita maqedonase LSDM ka akuzuar qeverinë në Shkup dhe ministrin e Jashtëm Timco Mucunski për bisedime sekrete për të zhbllokuar pozicionet aktuale me BE-në në kontekst të ndryshimeve kushtetuese. Kritikat kanë shkuar aq larg sa opozita në Shkup ka thënë se Sofja dhe Brukseli nuk janë duke lëvizur nga pozicionet e vjetra, është qeveria e cila ka shfaqur shenja të dorëzimit.

Realisht, qeveria e Mickoskit duhet të bëjë diçka, duke marrë në konsideratë raportet negative nga BE-ja.
Madje pas opinionit të fundit të PE-së është mirë të gjendet një zgjidhje për të zbutur pozicionin dhe ndoshta të shihet një përparim në negociata me shanset për ndryshime kushtetuese që mund të bëhen më të lehta me njëfarë diplomacie të mirëbesimi nga BE-ja dhe SHBA duke bërë presion mbi Bullgarinë të mos kërkojë më shumë nga Shkupi zyrtar.

Megjithatë, për të arritur të gjitha palët në të njëjtën pikë, do të jetë e vështirë, por është një qasje e mirë e nisur nga Shkupi zyrtar për të ndryshuar veten në mënyrë për të nxitur Bullgarinë, ShBA-në dhe BE-në që të aktivizohen më shumë në këtë problematikë.

Në këtë rast, është shumë e rëndësishme të përmendet se puna në fushën e diplomacisë, veçanërisht në atë të diplomacisë sekrete, nuk është e lehtë, sepse ajo kërkon të jesh larg publikut. Si shembull mund të marrim punën disa dekadëshe të diplomatit Metthew Nimetz në problematikën e Shkupit me Athinën e cila mori fund në vitin 2018.
Shumë takime e bisedime u zhvilluan jashtë mediave dhe syrit të opinionit.

Nga një diplomaci të llojit të tillë nuk pësoi askush.   Në fakt ai krijoi kushte dhe atmosferë që një ditë palët t’i tejkalonin dallimet e të nënshkruanin Marrëveshjen e Prespës (2018).

Në rastin konkret, të huajt nuk kanë caktuar ndonjë ndërmjetës special për kontestin Maqedoni e Veriut – Bullgari.
Shkupit i ka mbetur pesha kryesore që shumë punë tani t’i bëjë vetë.

Andaj pozicioni aktual i Shkupit zyrtar është i kuptueshëm, edhe pse opozita radikale e majtë Levica gjithashtu ka theksuar për shqetësime për kompromiset e mëdha sipas asaj që qeveria e Mickoskit dëshiron t’i bëjë në dëm të indentitetit maqedonas.

Ndërsa qeveria është e fokusuar në këtë problem, dhe ka një sukses deri diku solid me projektet infrastrukturore në lindje të vendit, politika e brendshme po ndotet, veçanërisht marrëdhëniet ndëretnike ku qeveria nuk ka treguar ndonjë përparim në raportet shqiptaro-maqedonase.

Ndërkohë që qeveria ka zvogëluar numrin e projekteve në reforma, sundimin e ligjit dhe politikën ndëretnike, qeveria mund ta mbajë temën e ndryshimeve kushtetuese (Bullgarinë), dhe dinamikën evropiane edhe për një kohë të gjatë.

Një vazhdimësi e tillë mund të sjellë njëfarë përparimi, ndoshta në të ardhmen e afërt duke u bazuar në bisedimet sekrete me shpresë se do të mund të ndihmonin në fund për të arritur ndonjë afrim pozicionesh. Dhe mund të sjellë, nëse të gjithë njerëzit e përfshirë në këtë proces janë seriozë.

Dhe kjo, sigurisht, duhet të bëhet pa asnjë hap prapa, siç ka ndodhur deri më tani me rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, pa injoruar në këtë kontekst çështjet ndëretnike që kanë marrë një drejtim të paparashikueshëm.

Sidoqoftë viti 2027 do të tregojë gjithçka nëse diplomacia sekrtete do të sjellë një pranverë tjetër në Maqedoniën e Veriut me shpresë për reforma serioze.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi