Një grua amerikane u lirua pas 43 vitesh burg për vrasje që nuk e kishte kryer

Një grua që kishte kaluar 43 vjet në burg për një vrasje që nuk e ka kryer është liruar. Sandra Hemme ishte 20 vjeçe dhe kurohej për shëndetin mendor, kur u shpall fajtore për vrasjen e punonjëses së librarisë Patricia Jeschke në Missouri, në nëntor 1980. Ajo u dënua me burgim të përjetshëm, raporton BBC.

Hemme, përveç pranimit të fajit në gjendje të rëndë në një klinikë psikiatrike, nuk kishte asnjë provë tjetër që e lidhte atë me vrasjen. Ajo tani është 64 vjeçe dhe ka të ngjarë të jetë dënimi më i gjatë me burg, për një grua të dënuar gabimisht në historinë amerikane.

Ekipi i saj ligjor në Projekt Innocence tha që Hemme më në fund është me familjen e saj dhe do të vazhdojë të luftojë për të pastruar emrin e saj.

Gjykata kompetente tha në vendimin e ri se avokatët e Hemmes kanë prova të qarta për pafajësinë e saj, përfshirë provat që nuk i janë dhënë mbrojtjes së saj në gjykimin fillestar.

Policia lokale thuhet se ka injoruar provat që drejtonin drejtpërdrejt një oficer policie të atëhershëm, i cili më vonë shkoi në burg për një vepër tjetër dhe vdiq në 2015. Automjeti i oficerit u pa në zonë ditën e vrasjes, alibia e tij nuk u konfirmua dhe ai përdori kartën e kreditit të viktimës për të pretenduar se e kishte gjetur në një kanal.

Asnjë nga këto nuk iu zbulua mbrojtjes së Hemme gjatë gjyqit, thuhej në vendimin e ri.

Më pas ajo u mor në pyetje nga policia disa herë nën ndikimin e barnave antipsikotike dhe qetësuesve të fortë pasi u shtrua në një spital psikiatrik kundër dëshirës së saj.

Sipas dokumenteve të gjykatës, përgjigjet e saj ishin të shkurtra dhe ajo nuk ishte plotësisht në dijeni të asaj që po ndodhte. Për më tepër, gjykata thotë se nuk ka asnjë provë të vetme mjeko-ligjore që e lidh Hemen me vrasjen. Ajo nuk kishte asnjë motiv dhe asnjë dëshmitar se ajo ishte vrasësi.

Burg - BurgimShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)