Një ditë para se institucionet të merrnin mostrat, “Komunaleci” i Gostivarit hapi tenderë për klor dhe analiza të jashtëzakonshme të ujit

Ndërsa qytetarët e Gostivarit kërkonin ndihmë te mjekët për shkak të diarresë dhe shqetësimeve në stomak, pa e ditur se problemi mund të ishte uji, NP “Komunalec” po përgatitej për ndërhyrje. Vetëm një ditë para se Prokuroria të kërkonte marrjen e mostrave të ujit për shkak të dyshimeve për ndotje, ndërmarrja kishte shpallur dy procedura urgjente që lidhen me sistemin e furnizimit me ujë – furnizimin me klor dhe analiza të jashtëzakonshme të cilësisë së ujit, raporton Kolegium.mk, transmeton Portalb.mk.

Kronologjia e dokumenteve ngre pyetje të reja se kur institucionet morën për herë të parë sinjal se diçka nuk ishte në rregull.

Sipas informacioneve zyrtare të ndara nga drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, Prokuroria më 16 korrik, në orët e pasdites, i kishte kërkuar institutit të merrte mostra nga uji i dyshuar si i ndotur.

Simptomat e para të helmimit te një pjesë e qytetarëve ishin vërejtur më 13 korrik, tha ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në një intervistë për TV Sitel. Ai deklaroi në konferencën e djeshme për media se më 14 korrik mjekët në Gostivar kishin kontrolluar tashmë 360 pacientë me shqetësime gastrointestinale.

Dokumentet e publikuara në Byronë për Furnizime Publike tregojnë se më 15 korrik, NP “Komunalec” e Gostivarit shpalli një tender publik për furnizim me klor të gaztë. Bëhet fjalë për klor në formë gazi (Cl₂), i cili përdoret zakonisht për dezinfektimin e ujit, përkatësisht për shkatërrimin e baktereve, viruseve dhe mikroorganizmave të tjerë në sistemet e furnizimit me ujë. Sipas shpalljes, e cila ende është aktive, kërkohet furnizimi me 3,6 ton klor.

Klori është material harxhues i zakonshëm në çdo sistem ujësjellësi, por në këtë rast dyshime shtesë ngjallin edhe rezultatet e analizave të mostrave të ujit, të publikuara dje nga Prokuroria.

“Gjithashtu është analizuar një mostër e marrë nga një çezmë në rrugën JNA në Gostivar, ku është konstatuar prani e lartë e klorit në ujë, me përqendrim të klorit rezidual prej 1,1 mg/l, që paraqet tejkalim të vlerës maksimale të lejuar sipas rregullores në fuqi, e cila parashikon një interval prej 0,2 deri në 0,3 mg/l, por jo më shumë se 0,5 mg/l”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, duke iu referuar analizave të Institutit të Shëndetit Publik.

Tenderi i vitit të kaluar për furnizim me klor ishte zhvilluar në muajin gusht, me vlefshmëri njëvjeçare dhe për furnizimin e 3,6 tonëve klor, në vlerë prej rreth 11 mijë eurosh. Sipas dokumentit të publikuar në Byronë për Furnizime Publike, në kohën kur është shpallur tenderi i ri, kontrata e vitit të kaluar ishte ende në fuqi.

Datat hapin dilema nëse institucionet kompetente kishin ndërmarrë masa edhe para konfirmimit zyrtar të ndotjes. Dokumenti i dytë i publikuar në Byronë për Furnizime Publike tregon se më 16 korrik – ditën kur Prokuroria kreu inspektimin në terren – ndërmarrja publike shpalli edhe një tender tjetër për analiza shtesë të cilësisë së ujit.

Bëhet fjalë për një analizë bazë, një analizë të jashtëzakonshme dhe një analizë periodike të zgjeruar të ujit. Tenderi është i hapur deri më 23 korrik. Data e shpalljes, 16 korriku, përkon me inspektimin në terren të Prokurorisë, e cila atë ditë konstatoi se dy nga tre pompat e vendosura vazhdonin të ishin në funksion.

Në një takim informues me gazetarët në Prokurorinë e Gostivarit, prokurorët që punojnë në rast thanë se do ta shqyrtojnë të gjithë dokumentacionin, duke shtuar se është e mundur që këto furnizime të lidhen edhe me funksionimin e rregullt të ndërmarrjes.

Në njoftimin e djeshëm të Prokurorisë thuhej se tre të punësuar të “Komunalec”-it – ushtruesja e detyrës së drejtoreshës, udhëheqësi teknik dhe përgjegjësi i sektorit të ujësjellësit – më 25 qershor kishin urdhëruar vendosjen e pompave në të njëjtin kanal të ndotur për të “testuar presionin”. Problemi, sipas Prokurorisë, është se gjatë kontrollit të kryer tre javë më vonë, pompat vazhdonin të punonin dhe po e transferonin ujin e ndotur drejtpërdrejt në sistemin e ujit të pijshëm të qytetit.

“Më 16 korrik, gjatë inspektimit në vendngjarje, u konstatua se dy nga pompat zhytëse ishin ende në përdorim dhe përmes gypave të presionit, të vendosur nëpër hapjen e tejmbushjes, transportonin ujë me substanca të dëmshme – baktere koliforme – nga një sistem i hapur (kanali) në dhomën ku ndodhet uji i sistemit të pijshëm me cilësi të përcaktuar, në një sistem të mbyllur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Drejtoresha e “Komunalec”-it, Artana Asani, menjëherë pasi në opinion u bë e ditur se pompat mund të ishin shkaktari i ndotjes së ujit, deklaroi për disa media se numri i shtuar i të sëmurëve në Gostivar nuk ishte pasojë e ujit të ndotur. Ajo hodhi poshtë dyshimet e institucioneve kompetente, të cilat ndaluan përdorimin e ujit të pijshëm në Gostivar për shkak të dyshimeve se ai ishte burimi i epidemisë që u përhap në qytet. Asani deklaronte se “mes të sëmurëve ka edhe persona që kanë pirë vetëm ujë të ambalazhuar” dhe se, sipas saj, shkaku i sëmundjeve mund të ishte ushqimi i konsumuar ose temperaturat e larta.

Për momentin nuk ka konfirmim se këto furnizime lidhen drejtpërdrejt me problemin, por datat përkojnë dhe ngjallin dyshime. Nga Prokuroria priten informacione shtesë lidhur me rastin.

Ndryshe, Prokuroria ka propozuar që të shqiptohet masa e paraburgimit 30 ditor ndaj tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Paraprakisht, tre personat e dyshuar në hetimin për ndotjen e ujit të pijshëm në Gostivar sot janë paraqitur para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Gostivarit, pasi Prokuroria Publike hapi hetim për veprën penale “vepra të rënda kundër mjedisit dhe natyrës, të shkaktuara me ndotje të ujit të pijshëm”.

Prokuroria Publike mbrëmë rreth orës 22 doli me informacione për situatën me epideminë e ndotjes së ujit në Gostivar. Nga aty njoftuan se kanë filluar hetimet kundër tre zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Komunale ‘Komunalec’ të cilët tani më janë të arrestuar. Ndërkaq, rezultatet e analizave tregojnë se në ujë ka 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.

EpidemiGostivariUji - ujë