Një dhjetëvjeçar me Portalbin

Këtë tetor mbushen dhjetë vjet bashkëpunim me Portalb-in. Gjatë kësaj decennalie kam botuar qindra shkrime për probleme të ndryshme shoqërore, politike, ekonomike, kulturore ose ndërkombëtare, me mëtimin që shkrimet të ishin himne për lirinë, demokracinë, barazinë, dashurinë dhe mirëkuptimin ndërnjerëzor e ndëretnik.

Në shkrimet që kam botuar në Portalb, nuk gjeni asnjë fyerje personale, etnike, religjioze ose racore. Asnjëherë nuk e kam cenuar kodin e etikës mediale. Nuk kam bërë zhurmë për çështje protagonizmi. As nuk e kam keqpërdorur hapësirën mediale për interesa personale.

Deri sot asnjë shkrim nuk më është censuruar dhe as nuk më është “sugjeruar” të shkruaj për ndonjë personalitet apo dukuri. Po të ndodhte e kundërta, atëherë, me siguri, bashkëpunimi kaherë do të ishte ndërprerë.

Përvjetorët na shërbejnë për të bërë bilance. E kthejmë kokën pas që të shohim nëse e kemi bërë gjënë e duhur ose jo. Nga kjo distancë kohore, nuk mund të vetëvlerësoj cilësinë e shkrimeve të mia, por nuk turpërohem nga shkrimet që i kam botuar në Portalb, prandaj jam në paqe me ndërgjegjen.

Gjatë këtij dhjetëvjeçari kam shkruar për tema të ndryshme. Kam shkruar kundër çdo dhunimi të demokracisë. Kam shkruar kundër demagogjisë, hipokrizisë dhe kundër kalorësve të ligësisë. Kam shkruar për zgjedhjet ku fitojnë numëruesit e votave. Kam shkruar kundër retorikës nacionaliste, që është shumë e rrezikshme në një shoqëri shumetnike. Kam shkruar kundër çdo forme të mbizotërimit kombëtar, kulturor, gjuhësor, religjioz, që një shoqëri shumëkulturore e bëjnë vatër armiqësish e krizash të paparashikueshme. Kam shkruar edhe për “tjetrin”, të cilin nuk duhet ta perceptojmë si “element rrezikshëm” dhe as të tentojmë ta mbajmë nën kontroll të vazhdueshëm.

Kam botuar edhe shkrime kundër instrumentalizimit të patriotizmit për qëllime të mbrapshta politike; kundër atdhetarëve të rrejshëm që duan të bëjnë luftëra me gjakun e huaj; kundër keqbërësve që mëkatet tentojnë t’i hijezojnë nëpërmjet diskurseve folklorike.

Kam shkruar kundër gjyqësisë së kontrolluar nga politika, por edhe për proceset e montuara gjyqësore, ku u dënuan njerëz të pafajshëm.

Kam shkruar për pabarazinë sociale, për mungesën e investimeve të jashtme, por edhe për shpopullimin e frikshëm, që do të ketë pasoja me dhjetëvjeçarë.

Kam shkruar për logjikën provinciale, tiraninë e turmës, diktaturën e banalitetit, për kiçin kulturor dhe politik, si dhe për shoqërinë e spektaklit që na ofron “bukë e lojëra”, siç thanë romakët.

Kam botuar edhe shkrime afirmative për personalitete të hapësirës shqiptare e botërore, por edhe shkrime për libra, ekspozita, koncerte, shfaqje teatrore dhe filma…

Më vjen keq që shumë dukuri negative, për të cilat kam shkruar, ende janë aktuale në shoqërinë tonë.

Të shpresojmë që do të vijnë ditë më të mira, kur secili do ta bëjë punën që i pëlqen dhe për të cilën është i aftë. Dëshiroj sa më shpejt të dalim nga kjo shkretëtirë shterpësie e ligështimi. Dëshiroj që brezi i ri të ketë më shumë hapësirë për ta shprehur kreativitetin dhe mos t’i paguajë këstet e dështimeve tona, ndonëse kam një dyshim gërryes. Gjithashtu, dëshiroj që Portalbi dhe mediat tjera të ngulmojë në ruajtjen e profesionalizmit dhe të korrektësisë profesionale, sepse vetëm kështu janë të dobishme për shoqërinë dhe lexuesit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu