Ngjarje të rëndësishme që tregojnë kontraste në gjeopolitikë

Vitin e kaluar në artikullin me titull “Deformimet analitike gjatë vlimeve gjeopolitike dhe korrigjimi i tyre”, Portalb, dt. 18/6/2023, kemi paraqitur disa vlerësime për këtë çështje, duke dhënë shembuj konkret nga përditshmëria, dhe nga historia për gabimet në vlerësimet analitike gjatë zhvillimeve gjeopolitike. Ndërsa artikulli i sotëm ka të bëjë me paraqitjen e kontrastit në mes gjeopolitikës klasike dhe kritike në sytë dhe mendjet e publikut nga një botë dinamike, ku aktorë të fshehur po kërkojnë hapësirë dhe fuqi. Dhe më e rëndësishmja, në epiqendër të analizës, përveç kontrastit qëndron analisti ose vëzhguesi i cili është “ingranazhi” kryesor i studimit të dukurive në veçanti të ngjarjeve gjeopolitike.

Në një kohë të ngarkuar me ngjarje të paparashikueshme botërore, kombëtare dhe lokale, lexuesi dhe shikuesi janë në mes realitetit dhe konfuzionit. Në disa raste, një lajm shpërndahet si i verifikuar, dhe ndonjëherë i paverifikuar e deri diku me përmbajtje të rreme. Përveç strategjive të kontrollit të përhapjes së propagandës, në këtë kohë kur duhet të rishikohet gjithçka që publikohet, një mënyrë tjetër është që në zhanret analitike të vendoset një metodë e besueshme ose thënë shkurt të bëhet aplikimi i metodologjisë në analizën gjeopolitike për të mënjanuar kontrastin që vjen jo vetëm nga dezinformimi, por edhe nga mungesa e ndërlidhjes në mes gjeopolitikës klasike dhe kritike. Le të fillojmë me ngjarje konkrete me ndikim në mbarë globin dhe në Ballkan.

Zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, 2024 në SHBA, për BE-në, dhe Ballkanin pa i lënë anënsh, dhe ngjarjet në pjesë tjera të botës, sjellin një pamje të mjegulltë për situatën në Ukrainë, Bosnjë, Kosovë etj etj. Pët të pasur një ide dhe pamje më të qartë, e vetmja mundësi që na lejon të shohim përtej, dhe në thellësi është zbatimi i një metode të përshtatshme në parashikimin e ngjarjeve me karakter gjeopolitik dhe ekonomik që vinë nga SHBA, BE, Kina, India, Rusia dhe shtetet e Lindjes së Mesme.

Në veçanti, me mundësinë e rënies së rendit aktual ndërkombëtar ose zbehjen e tij, çdoherë si pikë refermi i një vëzhguesi, duhet të jetë filozofia e historisë qoftë evropiane dhe lindore, për të parë se si do të përfundojnë ngjarjet në fazat në të cilat kalojnë shoqëritë. Në trendet e mëdha globale, është e pamundur për një vëzhgues të përqëndrohet në të gjitha lajmet dhe ngjarjet ndërkombëtare. Andaj në raste të tilla kërkohet ngushtimi i fokusit të analistit në një fushë dhe rajon, pasi “ideologjizimi i politikës ndërkombëtare dhe zbehja e vlerave themelore demokratike” kanë kontribuar në ndërtimin e një peizazhi gjeopolitik kompleks që kërkon aplikimin e metodologjisë si kriter minimal për të parë më tej. Thjeshtë duhet të bëhet ndërlidhje në mes gjeopolitikës kritike dhe klasike, ku si qasje na paraqitet konstruktivizmi gjeopolitik.

Ndyshimet në arenën globale, kontinentale, rajonale, kombëtare dhe lokale dihet se kanë implikime të rëndësishme për të ardhmen e shteteve, pasi këtu kemi një lidhje në mes pozitës së shteteve në sistemin ndërkombëtar. Fuqitë në rritje si Kina, India, shtetet e Lindjes së Mesme, pa lënë anësh Indonezinë dhe Malajzinë, kërkojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre global, me potencial që nesër të bëhen bazë për shpërthime të luftërave.

Andaj një analist gjeopolitik i ngarkuar me lajme nga të gjitha anët nuk duhet të dëshprohet dhe humbë besimin në hulumtimin e tij. Analisti siç thamë më lartë, duhet të ngushtojë hapësirën e vëzhgimit, me një plan hulumtimi që bazohet jo vetëm në lajmet ditore dhe kumtesat qeveritare, por e rëndësishme është që analisti të vendosë në vepër aplikimin e filozofisë së historisë, dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare (qasjet e lartëpërmenduara), si raste për të vrojtuar jo vetëm trendet rajonale e globale.

Kontrasti i vrojtimit nuk duhet të jetë i lartë krahasuar me paradigmat tradicionale të vendosura më herët gjatë shekujeve 19-20. Nëse arrimë t’i kuptojmë këto paradigma, dhe natyrisht t’i studijojmë më mirë variablat që ndërveprojnë në dinamikat në mes gjeografisë, dhe politikës në arenën ndërkombëtare, atëherë është shumë lehtë të lundrojmë në analizën gjeopolitike e cila edhe mund të ketë përfundime jo të sakta, por të paktën e mban publikun/lexuesin në kurs të drejtë informimi. Një analist e ka patjetër tu përmbahet këtyre rregullave (qasjeve) që janë thelbësore në punën e tij hulumtuese.

Pasi në politikën ndërkombëtare kemi një fushë të gjërë ndërveprimi të aktorëve shtetërorë dhe jo shtetërorë, me rëndësi gjithashtu është të njihen edhe raportet e brendshme të shteteve, historia e tyre, dhe si ato marrëdhënie manifestohen në diskurset publike me vlerë për analizën gjeopolitike klasike dhe kritike.

Këtu si shembull përsëri mund të marrim rastin në mes Kosovës dhe Serbisë, Maqedonisë së Veriut me fqinjtë, ose rastin Rusi- Ukrainë me mundësi se si mund të manifestohen më tej këto histori në raportet ndërshtetërore dhe globale. Obligimi kryesorë i një analisti është t’i zbërthejë këto ndërveprime komplekse që kanë ndikim në proceset e brendshme dhe të jashtme të shteteve. Prandaj kur paraqiten kontraste të tilla në media, me margjina të gabimeve të mëdha, atëherë këtu kemi mungesë të zbatimit të metodës që është dashur ta ndjekë një studiues.

Analiza gjeopolitike e mbështetur në një metodologji, në vëzhgim të përhershëm e objektiv, në filozofinë e historisë dhe në aktualitet, do të jetë me siguri një produkt i duhur jo vetëm për opinionin publik, por edhe për institucionet qeveritare. Për më tepër, kontrasti në analizën gjeopolitike nuk duhet të jetë i madh nga vrojtimi i drejtpërdrejtë i analistit. Kombinimi metodologjik dhe vëzhgimi mbetën si bazë për studime objektive të besueshme gjeopolitike.

Kontrasti gjeopolitik në publikimet e dekadës së fundit në hapësirën ballkanike dhe posaçërisht në atë shqiptare ka qenë i lartë, për arsye të mungesës së traditës universitare shqiptare në gjeopolitikë, dhe mungesës së instituteve të specializuara. Andaj edhe gabimet në gjykime, dhe vlerësime në shtypin dhe politikën shqiptare janë të mëdha rreth rrjedhës së ngjarjeve në botë e në veçanti në shtetet me ndikim, qoftë mike dhe armike. Si shembull mund të vrojtohet përsëri rasti Tramp në SHBA dhe efektet në Evropë, Rusi apo në Ballkan, dhe shumë shembuj tjerë që hynë në domenin e analizës gjeopolitike klasike dhe kritike, ku po aty nevojiten gjithashtu qasje të reja për të analizuar ngjarjet me rëndësi për kohën tonë.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi