Komuna e Tetovës njofton se nga sot është vënë në funksion linja e re e transportit publik falas për banorët e fshatrave Brodec, Veshallë dhe Bozovcë, duke theksuar se ky projekt ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve të Malësisë së Tetovës, duke mundësuar qarkullim më të lehtë dhe lidhje më të mirë me qytetin e Tetovës, shkruan Portalb.mk.
“Orari i qarkullimit të linjës është: Nisja nga Bozovca në ora 07:00, nisja nga Tetova në ora 17:30. Vendosja e këtij shërbimi përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve, në mbështetjen e familjeve dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave malore. Komuna e Tetovës mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve që përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve dhe forcojnë lidhjen mes vendbanimeve të Malësisë dhe qytetit”, thuhet në njoftimin e komunës.
Gjatë fushatës parazgjedhore, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami premtoi transport publik falas për të gjithë qytetarët.
Të njëjtin premtim ai e përsëriti edhe në daljen e tij të parë pas marrjes së mandatit.
Ndërsa më 30 dhjetor 2025 Këshilli Komunal vendosi që transporti publik të jetë falas për nxënësit, shoqatat dhe institucioneve që do të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi me Komunën e Tetovës, si dhe të gjithë qytetarët që i kanë shlyer detyrimet ndaj komunës.
Kujtojmë që mandatin e kaluar Kasami premtoi gjithashtu parking pa pagesë, por kjo nuk u realizua, parkingu ishte pa pagesë vetëm dy javë.
- LEXO: Para zgjedhjeve Kasami premtoi transport publik falas për gjithë qytetarët, pasi i mori votat i ndryshoi fjalët (Video)
- LEXO: Nxënësit në Tetovë do mund ta shfrytëzojnë transportin publik pa pagesë
- LEXO: Këshilli komunal e votoi, transporti publik në Tetovë do të jetë falas për qytetarët që nuk i kanë borxh komunës
- LEXO: Kasami nuk e mban ritmin e premtimeve: Transporti falas nuk u fut në rend dite as pas katër seancave