Nga shkollat fetare në RMV në çdo fakultet me amin nga shteti

Nxënësit nga dy shkollat ​​e mesme fetare në vend, ajo teologjike “Shën Kliment Ohridski” dhe medreseja “Isa Begu” do të do të mund t’i nënshtrohen provimit shtetëror të maturës dhe të regjistrohen në çdo fakultet në vend dhe jo vetëm në ato teologjike, siç ishte deri më tani, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Kjo risi është pjesë e projektligjit të përgatitur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, i cili i përmbush kërkesat shumëvjeçare të Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM-AO) dhe Bashkësisë Fetare Islame (BFI), që nxënësit e shkollave të mesme nga shkollat ​​e tyre të kenë qasje në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend.

Deri më tani ata nuk e kishin këtë mundësi sepse kurrikulat në shkollat ​​fetare dallojnë ndjeshëm nga ato në arsimin standard.

Një numër i madh i lëndëve, sidomos shkencat natyrore, nuk mësohen, si dhe nuk ka nota vjetore. Për shkak të kësaj nxënësit nuk mund të marrin diplomë të shkollës së mesme, si dhe as të aplikojnë për programe studimore të tjera përveç atyre teologjike.

Shkollat ​​do të financohen vetë, shteti do të ketë më pak kontroll

Projektligji i ri e definon statusin e shkollave fetare në një mënyrë hibride, d.m.th. ato nuk do të jenë as plotësisht në pronësi të shtetit, e as plotësisht private.

Sipas tekstit të projektligjit, i cili është i përbërë vetëm nga 12 nene të shkruara në dy faqe, shkollat ​​fetare do të financohen nga themeluesit e tyre, d.m.th. nga bashkësitë fetare, me mundësinë e marrjes së parave nga burime të tjera të padefinuara, gjë që ngre pyetjen se kush mund të financojë shkolla ​​fetare.

Kontrolli mbi origjinën e parave do të kryhet nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, si dhe nga institucione të tjera shtetërore, thanë nga Ministria..

Kur bëhet fjalë për shkollat ​​e mesme shtetërore mjetet financiare sigurohen direkt nga buxheti i shtetit.

Modeli i ri nënkupton edhe një shkallë më të dobët të kontrollit shtetëror, sidomos në raport me kurrikulat. E përderisa në shkollat ​​shtetërore kurrikulat krijohen nga Ministria e Arsimit dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit, në shkollat ​​private, dhe me ligjin e ri edhe në shkollat ​​fetare, kurrikulat i krijojnë vetë shkollat ​​dhe pastaj i dorëzojnë ato për inspektim në institucionet kompetente.

Nuk ka rekomandime për kurikulat

Projektligji nuk jep as edhe ndonjë udhëzim të saktë se si duhet të duket kurikula. Në të thuhet vetëm se shkollat ​​duhet të përfshijnë lëndë të përgjithshme, të zgjedhura nga kurikula për shkollat ​​e mesme, ndërsa lëndët teologjike do t’i propozojnë vetë ato.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thanë se “nëse këshilltarët në Byronë për Zhvillimin e Arsimit konstatojnë se kurikula për lëndët e përgjithshme nuk është kompatibile me kurikulën, ata do të përcjellin korrigjimet e duhura”.

Kjo zgjidhje është krejtësisht ndryshe nga propozimi ligjor paraprak i vitit 2022, kur grupi parlamentar i BDI-së propozoi që shkollat ​​fetare të financohen nga shteti, por me kusht që kurikula 55% të përbëhet nga lëndë të arsimit të mesëm dhe 45% nga përmbajtje fetare, me një minimum prej 18 lëndëve nga arsimi i mesëm.

Sipas burimeve të BIRN që kanë qenë të përfshirë në përpjekjet e mëparshme të pasuksesshme për t’i rregulluar ligjërisht shkollat ​​fetare, një nga problemet ka qenë rezistenca e komuniteteve fetare ndaj përfshirjes së lëndëve të caktuara në kurrikulat e tyre, siç është biologjia.

Nxënësit në Shkollën e Mesme Teologjike “Shën Kliment Ohridski” tani mësojnë pesë vjet. Sipas kurikulës së publikuar në uebfaqen e tyre ata mësojnë lëndë si gjuha, shkenca kompjuterike, teori muzikore, psikologji, logjikë, histori dhe pedagogji. Por, shkencat natyrore si biologjia, kimia dhe fizika nuk mësohen.

Në medresenë “Isa Begu” arsimi zgjat katër vjet, ndërsa nxënësit mësojnë gjithsej 30 lëndë. Për dallim nga shkolla e mesme teologjike, në medrese tashmë mësohen lëndë natyrore dhe matematikore, si matematika, biologjia, kimia dhe fizika.

Pa dallim nëse kanë mësuar apo jo lëndë natyrore, nëse duan të regjistrohen në fakultet, nga MASH thonë se në vend të maturës shkollore, ata duhet të zgjedhin maturë shtetërore, me çrast do të duhet t’i nënshtrohen provimit të lëndës përkatëse të nevojshme për regjistrim në fakultet. Për shembull, nëse një nxënës i një shkolle fetare dëshiron të vazhdojë studimet në fakultetin e mjekësisë, do të duhet t’i nënshtrohet provimit nga lënda e biologjisë.

“Kjo do të thotë se duhet të përgatitet dhe për provimin ta zotërojë materialin në atë lëndë”, thonë nga Ministria.

A do ta pranojë Gjykata Kushtetuese modelin e ri?

Nga ana tjetër, nga Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi vlerësojnë se propozimi është një “përpjekje jokushtetuese, ligjërisht e pa harmonizuar dhe e rrezikshme për ta minuar karakterin sekular të shtetit dhe për ta institucionalizuar arsimin fetar në sistemin e arsimit formal”.

Ata gjithashtu referohen edhe në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e rrëzoi vendimin e qeverisë së mëparshme të udhëhequr nga Talat Xhaferi, me të cilin u lejua që medreseja të bëhej shkollë e mesme private.

Gjykata vlerësoi se kjo është në kundërshtim me Ligjin ekzistues për Arsimin e Mesëm, i cili e ndalon organizimin, veprimin dhe theksimin fetar të simboleve fetare në shkollat ​​shtetërore. Përveç kësaj, gjykatësit iu referuan edhe Kushtetutës, sipas së cilës bashkësitë fetare mund të krijojnë vetëm shkolla në të cilat mësohet arsimi fetar, pra një fe konkrete.

Nga Ministria tani janë të bindur se propozimi i tyre është “në përputhje me dispozitat kushtetuese që u lejojnë bashkësive fetare të themelojnë shkolla, si me sugjerimet e marra deri më tani nga Ministria “.

Përfshirja e shkollave fetare në sistemin formal të arsimit ka qenë një temë që po hapet tashmë për dy dekada, sidomos pas prezantimit të maturës shtetërore në vitin 2007, e cila u bë një parakusht për regjistrimin në universitet. Meqenëse nxënësit nga shkollat ​​fetare nuk i plotësonin kushtet për dhënien e provimit, ata u përjashtuan nga ky proces.

Përpjekja e parë serioze për ta rregulluar statusin e tyre u bë në vitin 2009 kur Fakulteti Teologjik dhe ai Islam tashmë ishin pjesë e sistemit shtetëror. Ministri i atëhershëm i arsimit, Pero Stojanovski, formoi një grup pune për ta përcaktuar modelin e funksionimit të shkollave të mesme fetare. Por, procesi nuk u finalizua.

Kjo temë u riaktualizua në vitin 2015 kur Ministri Abdylaqim Ademi realizoi një takim me bashkësitë fetare me qëllim përgatitjen e një zgjidhjeje ligjore. Por, edhe kjo përpjekje mbeti pa përfundim.

Bashkësia Fetare Islame RMV (BFI)Byroja për Zhvillimin e Arsimit RMV (BZHA)DiskriminimGjykata Kushtetuese RMVKishaKisha Ortodokse MaqedonaseLigji për Arsim të MesëmMatura shtetërore RMVMaturantëMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Reporting Media Diversity (RDN)Shkolla fetareShkolla të mesme