Në një botë ku muzika ndryshon me ritmin e kohës, zërat që mbeten janë ata që kanë ditur ta kthejnë talentin në kulturë dhe krijimtarinë në trashëgimi. Pranvera Badivuku është një prej atyre emrave që nuk kujtohen vetëm për meloditë e bukura, por për të gjithë gjurmët që ka lënë në zhvillimin e muzikës shqiptare. Me një karrierë të gjatë, me qindra kompozime dhe dhjetëra këngë që u bënë pjesë e memories kolektive, ajo vazhdon të jetë një figurë e pazëvendësueshme për disa breza. Në intervistë për Portalb.mk, ajo rikthehet në kohë, në fillimet e saj, në sfidat, inspirimet dhe momentet që e kanë formësuar si artiste dhe si njeri.
Portalb.mk: Që fëmijë keni qenë e lidhur me muzikën, si e përjetoni sot, si dhuratë apo si përgjegjësi që e mbani gjithë jetën?
Panvera Badivuku: Muzika është jetë: pa të cilën bota do të ishte e shurdhër! Kot s’kanë thanë se “muzika është ushqim i shpirtit”. Është kënaqësi, disponim, emocion, shprehje ndjenjash etj etj. Me fjali tjera: Pa muzikë vet jeta do të ishte tepër e zbrazët. Për mua muzika ka qenë gëzim, lumturi, në çdo çast të jetës. Në fëmijëri, vitet shkollore, të përmbushura me këngë e programe për festa të ndryshme. Pastaj shkolla e mesme ishte me ranolesi të veçantë sepse nga afër me pedagog tepër profesionist, zgjerova horizonin tim me njohuri të shumta nga arti muzikor. Prandaj e konsideroj veten me shumë fat që kam zgjedhë muzikën si profesion e cila mi ka hap rrugët e afirmimit si në punën pedagogjike ashtu edhe atë si krijuese.
Portalb.mk: Si është të jesh ndër gratë e para që jeni përfshirë në këtë fushë?
Panvera Badivuku: Unë nuk jam gruaja e parë në këtë fushë, kanë qenë shumë para meje, por që kryesisht kanë dhënë kontributin me punë pedagogjike. Në fushën e krijimtarisë e para grua me shkollim të lartë (Akademi të muzikës), është Sevime Kabashi- Gjinali që është autore e shumë këngëve të krijuara për fëmijë dhe atyre në melos popullor. Pos si autore e shumë këngëve, si profesioniste në muzikë ka ushtruar edhe detyra të larta me përgjegjësi. Si drejtoreshë e Ansamblit “Shota”, Drejtoreshë në produksionin muzikor të RTP-së, Dekane në Fakultetin e Arteve. Bashkë me prof. Seniha Spahiun kanë dhënë kontribut të posaçshëm me vite të tëra në Akademinë e Arteve- dega e muzikës duke krijuar kuadro cilësore për fushën e artit muzikor.
Portalb.mk: Cila ka qenë pengesa më e madhe që keni hasur në fillimet tuaja?
Panvera Badivuku: Gjuha, po gjuha. Unë kam një shkollim në Shkup dhe për mua ishte e panjohur gjuha maqedonase, por meqë e zotëroja gjuhën serbokroate, nuk e pata shumë vështirë ta përvetësoja edhe këtë. Pra vështirësite e gjuhës zgjatën vetëm në gjysëmvjetorin e parë. Vështirësi tjetër e madhe ishte se unë vija nga Peja, ku atë kohë 1958-tën, në qytetin tim të lindjes nuk ekzistonte asnjë shkollë muzike (vetëm qyteti i Prizrenit kishte). E unë pa kurrfarë përgatitje paraprake nuk e kisha bash të lehtë me u gjind në atë mes. Me vullnetin që kisha, me talentin që posedoja, me dashurinë e madhe për muzikën, asgjë s’ishte pengesë për mua. Shumë shpejt arrita të jem në mesin e nxënësve më të dalluar. Isha e vetmja shqiptare në klasë dhe në tërë shkollën. Drejtor ishte Ilija Nikolovski-Luj që sot shkolla e mban emrin e tij.
Portalb.mk: A keni ndjerë ndonjëherë se muzika juaj po thoshte gjëra që të tjerët nuk guxonin t’i thonin?
Panvera Badivuku: Këngët e mija në shumicën e rasteve, kanë karakter lirik. Duke ju përmbajtë formës dhe veçorive tjera që i kishte kënga popullore në ato vite. Jam munduar që këngët e mija të kenë melodi të bukura, tekst përmbajtjesor, ritëm e harmoni po ashtu duke u mbështetë në melosin tonë shumë të pasur popullor.
Portalb.mk: Si ju kanë pritur kolegët kur keni filluar të kompozoni dhe të dirigjoni?
Panvera Badivuku: Isha ende nxënëse në shkollën e muzikës kur fillova të thurr meloditë e para. Ishin ato këngë për fëmijë dhe sa më kujtohet, nga shoqet e shokët e klasës kisha përkrahje. Këngët e para të këtij lloji, fillova ti dërgoj në gazetën “Flaka e Vllaznimit”- në faqen e fëmijëve kur prezantoheshin punime të ndryshme nga shkrimtar për fëmijë të kohës dhe po ashtu tregime e vjersha të fëmijëve të talentuar. Po në fillim ishtë njëfar mosbesimi nga anëtarët përgjegjës të redaksisë se a jam unë autore e atyre këngëve, por shumë shpejtë mendimi i tyre në redaksi ndryshoi dhe unë u bëra bashkëpuntore e rregullt në faqen e fëmijëve me këngët e mija. Ma vonë kur fillova të krijoj këngë me melos popullor i dërgoja me postë në Radio Prishtinë. Kishte raste edhe kur refuzohej pranimi i këngës nga komisioni por unë nuk ndalesha vazhdojsha të punoj dhe krijoj këngë tjera.
Portalb.mk: A është e lehtë të jesh pionere, apo peshon kjo mbi supe me kalimin e viteve?
Panvera Badivuku: Që nga fillimi e di që me shumë pasion kam krijuar këngën për fëmijë e pak më vonë edhe atë popullore. Që të dyja këto zhanre edhe disa melodi të muzikës së lehtë kam vazhduar ti’ kultivojë shumë vite deri në ditët e sotme (me ndërprerje të herë pas hershme ndër vite). Gjithmonë një këngë e re, më ka sjell gëzim dhe me kënaqësi kam pritë realizimin e plotë. Deri në vitet e 90-ta (të shekullit të kaluar), kishim “Programi muzikor”në kuadër të RTP-së (Radiotelevizioni i Prishtinës), ku realizoheshin vepra të ndryshme nga kompozitor të vendit. Tani janë në funksion shumë studio private, mjaft të kushtueshme, ndërsa “Programi muzikor” si institucion (në Kosovë), nuk ekziston.
Portalb.mk: Çfarë ka qenë më e vështirë: të shkruani një këngë të bukur apo të bindni të tjerët se një grua mund të shkruajë hite?
Panvera Badivuku: Unë krijimin e këngës e kam pasion që nga mosha e hershme rinore, që gjithmonë ka lind nga ndonjë frymëzim. Asnjëherë se kam menduar se ndonjë këngë e imja do të këndohet për shumë vite siç është rasti me këngën “E kujtoj atë takim” e krijuar enkas për festivalin “Akordet e Kosovës. Në vitin 1974 e kënduar nga Esat Bicurri dhe e shpërblyer me çmim të parë nga juria profesionale dhe me: “Okarinën e Artë” nga publiku. Disa vite më vonë është kënduar nga ikona jonë e këngës Nexhmije Pagarusha. E këndojnë shumë këngëtarë cilësor dhe të njohur nga të gjitha trojet shqiptare. Kjo më gëzon pa masë. Me fjalë tjera, kjo këngë tani, lirisht mund të thuhet se është gjithë popullore.
Portalb.mk: Si e kujtoni herën e parë që keni hyrë në një studio çfarë keni ndjerë atë moment?
Panvera Badivuku: Unë shumë vite kam kaluar në arsim, kam qenë arsimtare e lëndës së ed.muzikore në tre shkolla (ateherë ishin tetë vjeçare), bile edhe në Saraj të Shkupit i kam kaluar tre vite të para të punësimit tim. Nuk i harroj ato vite, pritjen e përzemërt nga drejtoria dhe kolegët dhe dashurinë e sinqertë të nxënësve (isha 18 vjeçe), (1963- 1966). Në shkollën “Vuk Karaxhiq” në Prishtinë kam punuar shumë vite. Këtu formova një orkestrinë me “Orfinskumente” ku përfshihen: ksilofone, metalafone, blok flauta, melodika e shumë instrumente tjera ritmike. Prezantimet e shumta me grupin këngëtarë dhe këtë ansambel bëri jehonë dhe pata ftesë nga drejtori i Produksionit muzikor. Kështu në studion e Radio Prishtinës të Produksionit Bomeu 20 inazine. Pas një kohe të shkurtë kalova edhe me një detyrë në RTP- si Redaktore-Producente e muzikës për fëmijë (1979) dhe aty mbeta deri në dëbimin tonë nga puna, nga pushteti i atëhershëm serb -Korrik 1990.
Portalb.mk: Kur e keni kuptuar se jeni bërë pjesë e historisë së muzikës shqiptare?
Panvera Badivuku: Se kam menduar asnjëherë se jam pjesë e historisë së muzikës shqiptare: Unë thejsht kam adhuruar këngën që nga fëmijëria. Më kujtohet, nga një radio që kishim në shtëpi me sa interesim dhe dashuri dëgjoja këngët që transmetoheshin nga Radio Prishtina, Radio Tirana. Pastaj pasurimi im me njohuri të shumta nga muzika gjatë shkollimit, përzgjedhja për temë të maturës “Folklorin muzikor shqiptar” ku kam përfshi 100 këngë popullore, duke i deshifruar me nota muzikore, duke dhanë karakteristikat dhe analizat ritmike, melodike, formën etj. Ndoshta të gjitha këto kanë ndikuar që nga unë të shpërthejnë tinguj për këngët e mia që janë burim deri në ditët e sotme.
Portalb.mk: A është e vërtetë që disa nga këngët tuaja më të bukura janë shkruar natën vonë?
Panvera Badivuku: Është e vërtetë se shumica e krijueseve frymëzimin e gjejnë në orët e vona, por jo edhe unë. Kur krijoj kam nevojë për qetësi, koncentrim, analizë të tekstit etj. Më duket se për çdo krijues është i rëndësishëm një motiv që më pastaj gradualisht zhvillohet. Te unë konkretisht, shpesh këto motive lindnin edhe gjatë punëve të rëndomta të shtëpisë, përgatitjes së ushqimit apo larjes së ndonjë pjatë…
Portalb.mk: Si ndiheni kur dëgjoni këngët tuaja të këndohen sot nga brezi i ri?
Panvera Badivuku: Janë disa nga këngët e mija që këndohen ndër vite nga breza të ndryshëm. Kjo, kuptohet më gëzon pa masë dhë më m’sjëll kënaqësi të posaçshme.
Do ti përmend disa si:
- “Eja, eja e bardha verë”
- “Kur ta falë një tufë gërsheti”
- “Për ty vuaj, për ty këndoj”
- “Më ndihmo të të harroj”
- “Je kujtimi im i vetëm” etj.
Si dhe kënga:
- “E kujtoj atë takim” që është prezente vazhdimisht dhe këndohet nga breza të ndryshëm kudo, në të gjitha trojet shqiptare.
Portalb.mk: A ka qenë më e vështirë për një grua të dëgjohej në vitet ’70 e ’80 apo sot është më vështirë të dëgjohet arti i vërtetë mes zhurmës?
Panvera Badivuku: Vitet ’70, ’80-ta lirisht mund të them, për mua kanë qenë vite të krijimtarisë time më të vrullshme, të kurorzuara me shumë suksese. Çmime të para në festivale 5 “Okarina të arta”, çmime tjera të dyta e të treta. “Okarina e artë” ishte symbol “Akrodeve” punuar shumë bukur nga mjeshtri i filigranit z.Simon Shiroka.
Sa për njoftim po i shkruaj tutujt e këngëve të shpërblyera:
- 1973-Kënga “Eja, eja e bardha verë”- Esat Bicurri- çmimi i parë dhe Okarina e artë.
- 1974- “E kujtoj atë takim”-Esat Bicurri-çmimi i parë, Okarina e artë.
- 1983– “Njëzet vjet të festivalit”- Bashkim Paçuku (këngë kushtuar 20 vjetori të Akrodeve) dhe Okteti “Kosovarët”, poashtu çmimi i parë, Okarina e artë, Penda e artë nga Gazeta “Rilindja” për tekst.
- 1984 – “Je kujtimi im i vetëm” – Sebahate Bervajolli -çmimi i parë Okarina e artë.
- 1984– “Vallja popullore”- këngë për fëmijë- çmimin e parë Okarina e artë, solist fëmijë 4, 5, 6 vjeç, Emine Vala, Tringa Gjikolli, Teuta Grajçevci dhe Visar Aliu me çifteli.
Portalb.mk: Kur e dëgjoni muzikën e re shqiptare sot ndjeni më shumë krenari apo zhgënjim?
Panvera Badivuku: Jemi si popull shumë të talentuar, të pasur me kompozitor-krijues dhe këngëtarë të mrekullueshëm, realizime të shkëlqyeshme, cilësor, me tekologji të përsosur modern. Të gjitha këto janë për admirim, prandaj duke dëgjuar muzikën që unë përzgjedh ndjej përherë krenari.