Nga Oslo në Tetovë, Zana Ahmedi: Qyteti mund të zhvillohet pa e humbur natyrën, duhet qasje e re në zhvillimin urban

Tetova edhe pse ndër qytetet më të mëdha në vend vazhdon të mos ketë park të qytetit, ndërsa ndërtimet e reja shfaqen si ‘kërpudhat pas shiut’, duke anashkaluar shpesh hapsirat e gjelbra dhe natyrën. Por, a mund të zhvillohet qyteti pa e humbur lidhjen me natyrën? Sipas arkitektes së peizazhit, të diplomuar në Norvegji, Zana Ahmedit, përgjigja është po, por vetëm nëse natyra vendoset në qendër të planifikimit urban dhe jo të anashkalohet. E rritur midis Tetovës dhe Oslos, Zana përmes një bisede për Portalb.mk sjell përvojën e saj ku flet për potencialin se si Tetova mund të zhvillohet në harmoni me natyrën, si dhe për mangësitë që sipas saj ende mund të përmirësohen.

Ahmedi thotë se Tetova ka një kombinim të veçantë të peizazhit natyror, trashëgimisë bujqësore dhe strukturës urbane, por se këto vlera nuk janë shndërruar ende në bazë të planifikimit të qytetit.

Foto: Zana Ahmedi (arkivi privat)

Sipas saj, hapi i parë duhet të jetë hartimi dhe kategorizimi i hapësirave të gjelbra dhe ujore, në mënyrë që ato të mbrohen dhe të integrohen në zhvillimin urban.

Zana thotë se Tetova, qyteti i saj i frymëzimit, është në një moment vendimtar, ku zhvillimi urban ndodh vazhdimisht dhe në çdo cep, ndërsa ekologjia urbane kërkon gjithnjë e më shumë vëmendje.

“Qyteti përfaqëson një ndërthurje të veçantë të gjeografisë fizike, kulturës së pasur shoqërore dhe trashëgimisë bujqësore, elemente që formësojnë identitetin dhe potencialin e qytetit”, tregon Zana.

Për të siguruar një qytet të qëndrueshëm, sipas saj, është e domosdoshme gjithnjë të kthehemi te natyra për njohuri.

“Kjo fillon me studimin dhe kuptimin sistematik të proceseve të saj, në mënyrë që t’i japim hapësirën që i takon. Një nga qëllimet kryesore të programeve të arkitekturës së peizazhit në Norvegji është të formojnë profesionistë që planifikojnë përmes “infrastrukturës kaltër-gjelbër”. Ky term i ri i lëndës nënkupton një rrjet të ndërlidhur të ujërave (shtretër shiu, lumenj, përrenj, ligatina) dhe hapësirave të gjelbra (parqe, livadhe, pyje, korridore ekologjike). Njëkohësisht, kjo është sfida së cilës arkitektët e peizazhit duhet t’i gjejnë përgjigje, duke i përkthyer njohuritë mbi natyrën në zgjidhje fizike për mjedisin urban”, thotë Ahmedi.

Më tej ajo sqaron se hapi i parë për zhvillimin e arkitekturës së peizazhit në Tetovë është regjistrimi, hartimi dhe kategorizimi i hapësirave me struktura ujore dhe bimësore, si bazë për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e tyre.

Ky proces më tej, thekson Zana, do të ofrojë njohuri për llojshmërinë e specieve vendore, faktorët abiotikë që kërkojnë për t’u zhvilluar, si dhe për zonat ku natyra duhet të rikthehet ose të zgjerohet për të përmbushur funksionet e saj ekologjike dhe shoqërore.

“Kjo përbën shtyllat për të projektuar me natyrën dhe për të përfituar nga shërbimet e ekosistemit”, thotë Ahmedi.

Më tutje ajo thekson se në kushtet e ndryshimeve klimatike, infrastruktura kaltër-gjelbër luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në uljen e rrezikut nga përmbytjet, zbutjen e efekteve të valëve të të nxehtit dhe kufizimin e degradimit të mjedisit urban.

“Prandaj, hapësirat kaltër-gjelbër përbëjnë një infrastrukturë natyrore që përmirëson sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e shoqërisë. Njëkohësisht, ato janë investim i rëndësishëm për komunën, pasi ndihmojnë në parandalimin e rreziqeve natyrore, veçanërisht në zonat me dendësi të lartë urbane”, thotë Zana.

Ilustrim nga Zana Ahmedi: Ndërveprimi ekologjik mes bimësisë, tokës, ujit dhe organizmave, në themel të projektimit me natyrën.

Sipas këndvështrimit të saj, integrimi i infrastrukturës kaltër-gjelbër tregon se planifikimi urban nuk varet nga një profesion i vetëm, por nga bashkëpunimi ndërmjet disiplinave.

“Institucionet arsimore, profesionistët e fushave urbane dhe natyrore, strukturat komunale dhe populli kanë role të ndryshme, por një qëllim të përbashkët: zhvillimin e një qyteti që menaxhon pasuritë natyrore dhe u përshtatet fuqive natyrore. Edhe Norvegjia vazhdon të punojë për ta forcuar këtë bashkëpunim, sepse qyteti zhvillohet në mënyrë më cilësore kur secili kontribuon me ekspertizën e vet”, tregon Ahmedi.

Po aq i rëndësishëm siç thekson ajo është edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve, pasi mbrojtja dhe zhvillimi i hapësirave të gjelbra nuk varen vetëm nga planifikimi institucional, por edhe nga mënyra se si këto hapësira përdoren, mirëmbahen dhe respektohen nga komuniteti.

“Një praktikë pozitive që mund të marrim nga Norvegjia është pasqyrimi i këtij bashkëpunimi në rregulloret e planifikimit. Meqenëse parcelat më të mëdha në qendrën e Tetovës zhvillohen kryesisht për ndërtime, nevojiten rregulla që çdo projekt të kompensohet me hapësira të reja kaltër-gjelbër, të dimensionuara sipas madhësisë dhe ndikimit të tij”, thotë Zana.

Ajo si shembull konkret e përmendi ndërtimin e stadiumit të ri të Tetovës.

“Sipas planit urbanistik, hapësira ekzistuese e gjelbër përreth, e cila më parë shërbente si park aktivitetesh për fëmijë dhe si habitat natyror, është planifikuar të zëvendësohet pothuajse tërësisht me objekte komerciale dhe parkingje. Këto funksione janë të nevojshme, por në një nyje kaq të rëndësishme urbane, kjo hapësirë përfaqëson një nga mundësitë e fundit për krijimin e një parku të madh publik në Tetovë që zgjeron qendrën dhe lidhshmërinë e qytetit”, thotë Zana.

Foto nga arkivi personal i Zana Ahmedit (09.07.2021,05:30):“Bashkëjetesa mes natyrës së egër dhe peizazhit urban”

Në planifikimin urban skandinav, arkitektja e peizazhit tregon se hapsira të tilla zakonisht trajtohen si infrastrukturë publike kaltër-gjelbër me vlerë të lartë ekologjike dhe shoqërore, pasi ofrojnë mundësinë për zhvillimin e një mjedisi natyror-publik që gjeneron gjallëri urbane gjatë gjithë ditës dhe në çdo periudhë të vitit.

“Në këto raste, parkingjet dhe funksionet komerciale integrohen si pjesë e parkut dhe stadiumit përmes ndërhyrjeve të arkitekturës së peizazhit, duke mbështetur funksionimin e hapsirës pa dominuar karakterin e saj”, thotë Zana.

Gjithsesi, ajo tregon se ende nuk është vonë që ky potencial të integrohet në zhvillimin e projektit të stadiumit dhe kësaj hapësire t’i jepet një funksion më i madh publik dhe ekologjik.

“Zgjidhjet e bazuara në natyrë janë më ekonomike në afat të gjatë, sepse ekosistemet e projektuara sipas proceseve natyrore janë vetërregulluese dhe kërkojnë më pak mirëmbajtje. Kjo na rikthen te parimi themelor i arkitekturës së peizazhit: të kuptojmë natyrën për të mundur të projektojmë në përputhje me proceset e saj. Tetova ka potencialin të zhvillohet në harmoni me natyrën; sfida është ta shohim natyrën jo si pengesë për zhvillimin, por si partnerin më të rëndësishëm të tij”, tha Ahmedi.

Ajo momentalisht po e punon tezën e masterit “Si të ulë komuna kostot për arkitekturën e peizazhit përmes zbulimit të mundësive në hapësira të anashkaluara, me ndërgjegjësim për vlerat e fshehura të peizazhit dhe ndërhyrje nxitëse për ndryshim”.

Zana e përmbylli bisedën me shpresën se pasi të përfundojë studimet e masterit në Oslo, synim e ka që të kthehet dhe të kontribuojë për Tetovën.

Kujtojmë që pavarësisht paralajmërimeve dhe premtimeve të autoriteteve për vite me radhë, Tetova vazhdon të mbetet pa park të qytetit. Aktivistët e mjedisit me vite kërkojnë që autoritetet lokale të gjejnë zgjidhje, por kjo nuk ka qenë prioritet për pushtetin lokal. Sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, qyteti pritet të bëhet me park me planin gjeneral urbanistik të ri, i cili pritet të miratohet këtë vit, por nuk ka ende datë konkrete se kur.

ArkitekturëNdërtimtariNorvegjiOslloTetova