Nga dashuria fluide te filofobia

Bauman kritikon marrëdhënie sipërfaqësore mes një mashkulli dhe një femre, kulturën e bashkëjetesës, të nxitur nga pasioni, ku dy persona të pamartuar jetojnë së bashku duke imituar një çift të martuar, duke e identifikuar veten si “partnerë” dhe jo si bashkëshortë. Objektivi i bashkëjetesës është modest, pa premtime, pa solemnitet, pa dëshmitarë dhe pa autoritete për ta shenjtëruar bashkimin. E aty ku nuk ka shenjtëri njerëzit nuk kanë tabu, s’respektojnë kufij dhe ndalesa, janë më liberalë, më të lirë për të prishur lidhjen. Në këto lidhje njerëzit janë të kënaqur me më pak, kanë një marrëdhënie të cunguar për nga përgjegjësitë dhe kohëzgjatja (shkon aq sa shkon, s’ka për jetë e mot apo deri në vdekje) gjithçka qëndron në këmbë të qelqta, është stihike.

Kultura ka lindur nga takimi i sekseve. Fëmijët apo prokrijimi është investimi më i rëndësishëm, por mi i vështiri në ditët e sodit kur të gjithë jemi të preokupuar dhe ku kërkojmë më shumë liri dhe kohë, kur jemi individualizuar skajshmërisht, kur s’kemi kohë për t’i kushtuar tjetrit, madje as fëmijës tonë. Kursë fëmijët përmirësojnë cilësisht jetën e familjes, krijojnë atmosferë dhe arsye plus për t’u përpjekur dhe t’u kënaqur me jetën. Fëmijët në ta ardhmen mund të avancojnë prindërit dhe familjen edhe materialisht. Pra ata ndihmojnë si në aspektin emocional-shpirtëror, ashtu edhe në atë financiar, ekonomik. Ata janë element përmbushës i jetës së bashkëshortëve, prindërve por edhe i brezave më të vjetër, deri te fqinjësia e përtej.

Dikur seksi ka qenë riprodhim brenda kufijve, kurse sot është shndërruar në sport (Carlini, 2014) pa konture fikse, është reduktuar në kënaqësi çasti, minutash, ditësh… deri në “zënkën” e parë kur ndahen rrugët pa një pa dy. Analizat sociologjike tregojnë se shndërrimet radikale në jetën e dashurisë krijojnë varfëri sociale dhe mungesë vlerash, anomi, krizë.

Dashuria e sodit ndiqet nga më pak mendim, reflekton më shumë tolerancë dhe impakt nga globalizimi. “Kjo fotografi poetike por ndërkohë edhe defetiste, ngërthen të vërtetën që sot është shumë e shpeshtë: thyeshmëria e lidhjeve emocionale”. Sipas psikanalistit, filozofit lakanian Jacques Allen Miller, sot “stereotipet socio-kulturore të feminitetit dhe maskulinitetit janë në proces transformimi rrënjësor. Burrat janë të ftuar të hapen ndaj emocioneve të tyre, të duan dhe ta feminizojnë veten. Nga ana tjetër, femrat po përjetojnë një lloj “presioni drejt maskulinizimit”. Në emër të barazisë ligjore, ata inkurajohen të thonë “Edhe unë mund ta bëj këtë”. Në të njëjtën kohë, homoseksualët kërkojnë të njëjtat të drejta dhe simbole si heteroseksualët, si martesa dhe birësimi. Që këtej rrjedh paqëndrueshmëria e madhe në role, rrjedhshmëria e gjerë në teatrin e dashurisë, që bie në kontrast me botën fikse të së djeshmes” (Var, 2008) dhe me konvencionalen.

Në këtë epokë virtuale, shumë gjëra na ikin duarsh. Dashuria fluide simbolizon fragjilitetin e lidhjeve sentimentale. Nuk janë të lëngëta dhe të dobëta vetëm lidhjet dashurore, por edhe ato mes miqve, kolegëve. Lidhjet e sodit fillojnë në rrjetet sociale dhe kur duam që të përfundojmë lidhjen që s’na intereson, thjesht shypim butonin “blloko” ose “shmiqëso” (unfriend). Bauman thotë se për të qenë i lumtur duhen mbajtur parasysh dy vlera themelore: liria dhe siguria. Siguria pa liri është skllavëri, kurse liria pa siguri është kaos total. Ne të gjithë kemi nevojë për të dy dimensionet për të gjetur ekuilibrin në jetën tonë. Sot çdo njeri është i thirrur që të shpikë stilin e vet të jetesës, të marrë përgjegjësi për llojin e vet të kënaqësisë dhe dashurisë. Presioni social për t’u përshtatur nuk është zhdukur, por është në rënie e sipër. Njerëzit e shëndoshë dinë që të lexojnë dhe dallojnë Facebook apo Instagram dashuritë fluide nga klasikja e bekuar, serioze dhe afatgjate.

Hulumtimet mësojnë se lidhjet e çastit shkaktojnë edhe fenomenin e quajtur filofobi, urrejtje të dashurisë, gjendje psikologjike kur individë që kanë përjetuar përvoja të hidhura dashurie frikohen nga lidhja me dikë, nga dashuria për dikë, që paralizon ardhmërinë dhe jetën në përgjithësi, që i bën rë rinjtë, dhe jo veç ata, të ndjehen të izoluar dhe të padashur nga askush. Dashuritë fluide përveç që shkaktojnë ulje demografike, i bëjnë njerëzit ekstremisht anksiozë dhe nervozë lidhur me dashurinë ose të qenët i përkushtuar në një lidhje. Pamjet dhe storjet nga mediat për “lidhje që ndryshojnë vazhdimisht” dhe të tjera nga rrethi jonë ku kemi të rinj apo më të moshuar me ekseperiencë afatshkurtër ose negative në dashuri që s’mendojnë të martohen, që arrijnë të dyzetat dhe refuzojnë bisedat për kurorëzim/martesë flasin për fenomenet e dashurisë fluide dhe të filofobisë, për aventurat dashurore që shpien në çojnë në një lloj të celibatit apo të “murgërisë shekullare” – qoftë reale ose fiktive – për pasojat e të cilës shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit