“New York Times” për Aleksandar Vuçiqin dhe Belivuk: Zonë gri mes shtetit dhe mafies

Gazeta prestigjioze amerikane “New York Times” ka publikuar të mërkurën një artikull të gjerë, me fokus presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Storja gjurmon zhvillimin politik të Vuçiqit, që nga fillimet si tifoz, përmes marrjes së pushtetit nga ai në Serbi, deri te lidhjet e mundshme me bandën kriminale të Veljko Belivuk, së bashku me detajimin e krimeve për të cilat akuzohen anëtarët e bandës së Belivuk, transmeton Portalb.mk.

“Një të shtune në mbrëmje në fillim të marsit 2021, presidenti serb Aleksandar Vuçiq u shfaq drejtpërdrejt në televizion, i ulur në një tavolinë të gjatë prej druri, së bashku me kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. Vuçiq tha se kishte njoftim të rëndësishëm për arrestimin e një bande kriminale përgjegjëse për vrasje të shumta. Ministri i Brendshëm paralajmëroi shikuesit që të largojnë fëmijët e tyre nga televizioni. Ekrani pas tij shfaqi fotografitë: një kokë e prerë, një trup pa kokë, një bust. Vuçiq foli ngadalë, duke u ndalur shpesh dhe duke parë me mendime tavolinën përballë, trupin e tij paksa të përkulur 2 metra të gjatë. Ai lavdëroi policinë dhe hetuesit që udhëhoqën hetimin, duke thënë se rrezikonin të vriteshin vetë”, fillon tregimi i gjerë i New York Times për Aleksandar Vuçiqin.

Për hulumtimet e tij Serbinë e ka vizituar edhe autori i tekstit, Robert Worth, i cili në disa vende të storjes sqaron se nuk ka marrë përgjigje nga zëdhënësit e Aleksandër Vuçiqit për kërkesat për koment.

Gazetari i New York Times shprehet se “nuk ka dyshim që Belivuk dhe banda e tij janë në burg, sepse Europol zbuloi kodin” në aplikacionin Sky, të cilin kriminelët e përdornin për të komunikuar me njëri-tjetrin.

“Ajo që mbetet e paqartë është se çfarë dinin dhe çfarë planifikonin të bënin për këtë autoritetet serbe”, shkruan autori.

Gazetari Worth e përshkruan Belivuk-un si figurë të njohur në Beograd, i cili “përflitet se ka marrëdhënie të mira me policinë dhe shërbimet e inteligjencës serbe. Ai dhe njerëzit e tij janë fotografuar së bashku me njerëz të fuqishëm, përfshirë djalin e presidentit, Danilo Vuçiq”.

Sipas artikullit të New York Times, lidhjet e Belivuk dhe bashkëpunëtorëve të tij me policinë janë të dokumentuara mirë:

“Me afrimin e gjyqit, filluan të rrjedhin fakte për lidhjet e gjata midis bandave dhe anëtarëve të ndryshëm të administratës së Vuçiqit, të cilët duket se e kanë mbikëqyrur, ndihmuar dhe mbështetur atë”.

Autori i tekstit thekson se e gjithë kjo nuk mund të ndodhte pa dijeninë e Vuçiqit, duke dhënë një kontekst më të gjerë:

“Para se të bëhej president, Vuçiq ishte kryeministër dhe dhjetë vjet më parë ai riorganizoi shërbimet e sigurisë së Serbisë. Tani ka pothuajse kontroll total mbi pothuajse të gjitha aspektet e jetës publike”.

Teksti i New York Times kujton edhe karrierën e tifozëve të Aleksandër Vuçiqit, dhe një nga bashkëbiseduesit, identiteti i të cilit është i mbrojtur dhe që e njeh Vuçiqin që nga koha kur të dy ishin pjesë e botës së tifozëve, shpjegon lidhjet mes autoriteteve dhe tifozëve në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, duke përmendur shembullin e Zheljko Raznatoviq Arkan, si dhe mbështetjen dhe kundërshtimin e mëtejshëm të tifozëve ndaj Sllobodan Millosheviqit.

“Nuk është rastësi që edhe Vuçiq edhe Belivuk kanë filluar në grupet e tifozëve të futbollit. Ndoshta më shumë se kudo tjetër, stadiumet e futbollit në Serbi janë vende për shfaqjen e fuqisë në formën e saj më të keqe, një terren rekrutimi për paraushtarakët dhe kriminelët. Stadiumet ishin terreni pjellor i nacionalizmit etnik që shkatërroi Jugosllavinë dhe ato emocione të dhunshme i dhanë formë Vuçiqit dhe bashkëkohësve të tij”, thuhet në tekst.

Teksti flet gjithashtu për rolin e Vuçiqit në shtypjen e lirisë së medias kur ai u bë Ministër i Informacionit gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviçit në vitet 1990.

“Ky ishte fillimi i preokupimit të mediave, të cilat do të ndihmojnë në formimin e karrierës politike të Vuçiqit”, shkruan autori i tekstit.

Përndryshe, një pjesë e rëndësishme e rrëfimit të gjerë të New York Times i kushtohet ardhjes në pushtet të Aleksandër Vuçiqit dhe forcimit të Partisë Progresive Serbe.

New York Times thekson se me kalimin e kohës, stili i qeverisjes së Vuçiqit është bërë gjithnjë e më autokratik, si dhe se ai është bërë gjithnjë e më i hapur në lidhjet e tij me liderët autokratë në Rusi, Hungari dhe Kinë. Në të njëjtën kohë, liderët evropianë vazhduan të jenë të përzemërt ndaj Vuçiqit, duke mos treguar asnjë shenjë se ekziston rreziku për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Arsyeja për këtë nuk është sekret: statusi i Kosovës mbetet i pazgjidhur”, shkruan Worth.

Evropianët shpresonin se me Vuçiqin do të pasonte zgjidhja e marrëdhënieve me Kosovën.

“Ai është shumë i fuqishëm, është dikush që mund të bëjë gjëra nëse dëshiron”, tha një diplomat gjerman.

Më tej ai thekson se mesazhet që presidenti serb u dërgon evropianëve janë të ndryshme nga ato të bashkëpunëtorëve të tij, si Aleksandar Vulin dhe atyre që dërgojnë nacionalistë serbë në vendet e tjera të rajonit – BeH, Kosovë dhe Mal të Zi – duke shtuar se e gjithë kjo do të mund të çonte sërish në trazira në Ballkan.

“Evropianët janë shumë të vetëdijshëm për këtë, ashtu si Vladimir Putin, i cili ka arsye të reja për t’i përçarë dhe shpërqendruar ata. Kremlini ka një histori të gjatë të mbështetjes së nacionalistëve serbë (…) dhe më shumë motive se kurrë më parë – falë luftës në Ukrainë – për të nisur telashe në Ballkan”, thuhet në artikullin e New York Times.

Aleksandar Vuciq VuçiçSerbia
Comments (0)
Add Comment