Netanyahu: Qëllimi i Izraelit është “fitorja ndaj Hamasit dhe përmbysja e sundimit të tij”

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Izraeli synon të mund grupin palestinez Hamas dhe t’i japë fund sundimit të grupit në Rripit e Gazës, transmeton Anadolu.

Siç raporton ‘Times of Isreal’, duke folur në parlamentin e Izraelit, përpara një operacioni tokësor që pritet gjerësisht, Netanyahu tha se “qëllimi është fitorja ndaj Hamasit, duke e rrëzuar atë nga sundimi”.

“Ne do të fitojmë, sepse ekzistenca jonë këtu është në rrezik”, tha Netanyahu, duke e përshkruar grupin Hamas si “Hamasi nazist”.

Kryeministri izraelit gjithashtu paralajmëroi Iranin dhe Hezbollahun që të mos përfshihen në rrjedhën e luftimeve midis Izraelit dhe grupeve palestineze në Gaza.

Ai gjithashtu tha se ka filluar të mësojë nga ato që ai i përshkroi si “dështime” që çuan njerëzit e armatosur të Hamasit të arrinin të depërtojnë në Izraelin jugor më 7 tetor.

Dhjetë ditë pas konfliktit me grupin palestinez Hamas, bombardimet izraelite dhe bllokada e Rripit të Gazës kanë vazhduar, me mbi 1 milion njerëz të zhvendosur, pothuajse gjysma e popullsisë së Gazës.

Gaza po përjeton një krizë të tmerrshme humanitare pa energji elektrike, derisa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë, ndërsa civilët ikin në jug pas paralajmërimit të Izraelit për të evakuuar zonat veriore.

Luftimet filluan kur Hamasi më 7 tetor nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm shumë-dimensional, përfshirë një breshëri lëshimesh të raketave dhe infiltrimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit. Grupi tha se sulmi ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa dhe rritjes së dhunës së kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi një operacion kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet ajrore izraelite në Gaza është rritur në 2.750, përfshirë 750 fëmijë, ndërkohë në Izrael janë vrarë 1.300 persona.

IzraeliPalestina