Netanjahu i kërkoi OKB-së tërheqjen e menjëhershme të paqeruajtësve nga Libani

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu i ka bërë thirrje OKB-së të tërheqë menjëherë paqeruajtësit nga Libani, raporton Portalb.mk.

Ky reagim i tij vjen pas dy incidenteve ku u plagosën disa paqeruajtës të OKB-së nga forcat izraelite.

“Ne nuk po luftojmë popullin libanez. Ne po luftojmë degën e terrorit iranian, Hezbollahun, që ka marrë Libanin nën kontroll. Dua t’i drejtohem Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së drejtpërdrejt: Është koha që t’i largoni paqeruajtësit nga bastionet e Hezbollahut dhe nga zonat e luftimit”, tha Netanjahu.

Ushtria izraelite konfirmoi se dy paqeruajtës të OKB-së u plagosën nga një sulm izraelit.

Në sulmet izraelite gjatë kësaj jave u plagosën të paktën pesë paqeruajtës të OKB-së dhe dy ushtarë libanezë.

Dje 34 vende që janë pjesë e misionit të Kombeve të Bashkuara në Liban nënshkruan një deklaratë të përbashkët duke riafirmuar nevojën për të mbrojtur paqeruajtësit e UNIFIL dhe duke dënuar sulmet e fundit ndaj tyre.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve Lloyd Austin ka shprehur shqetësim lidhur me sulmet izraelite ndaj Forcave të Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL) në Libanin jugor.

Forca e Brendshme e OKB-së në Liban aktualisht ka rreth dhjetë mijë paqeruajtës nga 50 vende.

Në mesin e paqeruajtësve të OKB-së marrin pjesë edhe tre pjestarë nga Maqedonia e Veriut.

Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski ka thënë se tre oficerët e ushtrisë së Maqedonisë së Veriut që janë pjesë e misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) ndihen mirë, por nëse rrezikohet siguria e tyre do të ketë reagim të menjëhershëm.

Izraeli ka kryer sulme në gjithë Libanin që nga 23 shtatori kundër atyre që ai pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, duke vrarë mbi një mijë njerëz, duke plagosur mbi katër mijë të tjerë dhe duke zhvendosur më shumë se 1,3 milion njerëz.

Benjamin Netanjahu (Netanyahu)IzraeliLibani