“Nëntori i Dytë” në Gostivar hapi “Javën e Filmit Shqip”, ambasadori Meidani: Filmi është arti që na bashkon përtej kufijve

Në kuadër të festave të nëntorit, filloi projekti “Java e Filmit Shqip” me shfaqjen e filmit “Nëntori i Dytë” mbrëmë në Qendrën për Kulturë në Gostivar. Ky film është një homazh për shpirtin e pathyeshëm të shqiptarëve dhe për përpjekjet e tyre të palodhura për një jetë të lirë e të denjë, njofton Portalb.mk.

Në këtë aktivitet prezent ishte edhe ambasador i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani i cili tha se përmes artit dhe kinemasë, jo vetëm që ruhen kujtimet e së kaluarës, por dhe ndërtohet një e ardhme ku krenaria për gjuhën dhe kulturën shqiptare mbetet e palëkundur.

“Është një kënaqësi e veçantë të jem sot këtu, në qytetin tuaj të bukur, për të festuar së bashku kinematografinë shqiptare në këtë ngjarje të filmit shqiptar. Kjo ngjarje, që sjell bashkë artistët dhe publikun shqiptar, është një shprehje e dashurisë sonë të përbashkët për artin dhe kulturën. Filmat tanë janë më shumë se kujtime të së shkuarës, janë histori të jetuara, ndjesi që na përkufizojnë, një pasqyrë për të parë veten në dritën e trashëgimisë sonë”, tha ambasadori Denion Meidani.

Foto nga shfaqja e filmit shqiptar “Nëntori i Dytë”, nga Qendra për Kulturë në Gostivar

Ai shtoi se kinemaja shqiptare ua jep mundësinë atyre të ndiejnë emocionet e përbashkëta dhe të thellojnë lidhjet me trashëgiminë kulturore.

“Filmi është arti që na bashkon përtej kufijve, duke na bërë të reflektojmë mbi atë që kemi qenë dhe mbi atë që duam të bëhemi. Sonte, shijojmë filmin “Nëntori i Dytë”, një vepër e paharrueshme që sjellë sakrificat dhe përkushtimin e brezave për lirinë dhe identitetin tonë”, tha Meidani.

Foto nga shfaqja e filmit shqiptar “Nëntori i Dytë”, nga Qendra për Kulturë në Gostivar

Sonte do të shfaqet filmi shqiptar “Lulëkuqet mbi Mure”, një film epokal, një nga majat e piramidës së kinematografisë shqiptare, kompleks, i arrirë në të gjitha elementet. Filmi “Lulëkuqet mbi Mure” mori shkas nga romani “Bonjakët”, shkruar nga Petraq Qafëzezi, botuar në vitin 1972. Petraq Qafëzezi është i njohur më së shumti në opinionin publik shqiptar si autor tekstesh dhe pjesëmarrës i të gjithë festivaleve në Radiotelevizionin Shqiptar. Në subjektin e tij, filmi flet për përpjekjet dhe ndihmën që dhanë “debatikasit” dhe të rinjtë shqiptarë në luftën kundër fashistëve italianë.

Ky aktivitet organizohet nga Ambasada e Shqipërisë në Shkup në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit.

Foto nga shfaqja e filmit shqiptar “Nëntori i Dytë”, nga Qendra për Kulturë në Gostivar
Filmat shqiptarëKultura shqiptareKulturë lajme