Në tortat e ngrëna nga nxënësit në Shkup u gjetën baktere stafilokoke

Stafilokokus aureus dhe enterotoksina janë gjetur në mostrat e marra nga ushqimi në shkollën “Gjorgija Pulevski” në Aerodrom të Shkupit, ku javën e kaluar rreth 140 fëmijë kanë raportuar simptoma të helmimit. Bakteret kanë qenë prezente në tortat (bombica) e ngrëna nga nxënësit, transmeton Portalb.mk.

Kështu ka informuar sot drejtoresha e Institutit për Shëndet Publik (ISHP), Marija Andonovska.

“Ekipi i epidemiologëve ka dalë menjëherë në terren dhe janë marrë mostrat”, tha Andonovska.

Nga tamponët e marra nga sipërfaqet dhe enët, vetëm në një pjatë është konstatuar numër i shtuar i baktereve mezofile aerobe, gjë që, siç theksoi Andonovska, tregon për kushte johigjienike.

“Tamponët e duarve të të gjithë punonjësve plotësojnë standardet e higjienës. Tamponët e fytit dhe hundës së punonjësve janë negative. Pas rezultateve të marra, ISHP menjëherë i ka përcjellë këto rezultate, në përputhje me procedurat ligjore pozitive, në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor (DSZI) dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AFV)”, tha Andonovska.

Kujtojmë që të premten, drejtori i shkollës, Aleksandar Filipçev tha se rreth 140 kanë raportuar simptoma të njëjta ose të ngjashme, si dhimbje barku, diarre dhe të vjella.

HelmimInstituti i Shëndetit Publik (ISHP)Nxënës të shkollave fillore - filloristë