Në Tiranë sot mbahet Samiti i SEECP: Në fokus konkurrenca dhe integrimi në BE, pjesëmarrëse edhe SIljanovska Davkova

Sot në Tiranë mbahet Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP). Tema e diskutimit do të jetë “Rritja e Konkurrueshmërisë së Rajonit dhe Rritjes Gjithëpërfshirëse si Rrugë drejt Integrimit në BE për Pjesëmarrësit Aspirantë të SEECP-së”. Më pas, parashikohet të mbahet deklarata e këtij samiti, transmeton Portalb.mk.

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ndodhet për vizitë pune në Tiranë dhe do të marrë pjesë në këtë Samit.

Ajo do të mbajë fjalim në seancën plenare me temën: “Promovimi i Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE”, si dhe në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentët e Shqipërisë dhe Bullgarisë, Bajram Begaj dhe Rumen Radev, në cilësinë e presidentëve të vendeve që janë kryesues të mëparshëm, aktualë dhe të ardhshëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Samiti është organizuar nga presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj. Përveç presidentes së Mqedonisë së Veriut Siljanovska-Davkova, pritet të marrin pjesë: Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar; Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq; Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu; Kryetarja e presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq; Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev; Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut, si dhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Moldavisë, Mihai Popsoi.

Në Samit do të marrin pjesë edhe ministrat e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan; Greqisë, Giorgos Gerapetritis; Rumanisë, Emilian Horatiu Hurezeanu; Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Franjo Matushiq; Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Amer Kapetanoviq dhe Shefi i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.

Si pjesë e vizitës së saj të punës në Shqipëri, Siljanovska-Davkova do të takohet në Tiranë me përfaqësues të pakicës kombëtare maqedonase në Shqipëri, Aleancën Maqedonase për Integrim Evropian, Shoqatën Maqedonase “Ilinden” – Tirana, si dhe me diplomatë dhe profesorë maqedonas.

Në mbyllje të samitit, presidenti Begaj do t’i kalojë homologut të tij bullgar Radev kryesinë e radhës të SEECP-së. Në fund, pritet të mbahet edhe një deklaratë për shtyp nga Begaj, presidentja e RMV Gordana Siljanovska-Davkova dhe ai i Bullgarisë Rumen Radev.

SEECP përbëhet nga 13 vende pjesëmarrëse, të cilat janë edhe anëtare të Bordit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), si: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Kosova dhe Turqia.

Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore është një forum i rëndësishëm politik që synon dialogun dhe bashkëpunimin në Evropën Juglindore, i cili përmbyll një vit të suksesshëm të Presidencës Shqiptare nën moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”.

Tirana mori Kryesimin e SEECP-së për periudhën Korrik 2024 – Qershor 2025, pas Kryesimit të mbajtur më parë nga Shkupi, dhe do t’i pasohet në vijim Sofjes.

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore u iniciua në vitin 1996 gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Sofje, ndërsa Samiti i parë i SEECP-së u zhvillua në Kretë në vitin 1997.

Gordana Siljanovska DavkovaMaqedonia e Veriut RMVShqipëria