Në Tetovë promovohet romani artistik i Arflet Selmanit, “Gjuha e Gjarpërit”

Në kuadër të Festave të Nëntorit, Biblioteka “Koço Racin” në  Tetovë, organizon promovimin e librit “Gjuha e Gjarpërit” nga autori Arflet Selmani botuar nga shtëpia botuese “Libri im”. Ngjarja mbahet në ora 16:00 në hapësirat e Teatrit të Tetovës. Në promovim do të marrin pjesë edhe panelistët Prof.Dr. Vehbi Bexheti, Prof.Dr. Enver Abdullahi dhe M.r Valdeta Dulahi, njofton Portalb.mk.

Autori ka zgjedhur simbolin e gjarprit për të personifikuar kundërshtarët e kauzës. Diku në roman ai shkruan: ”Ne respektonim edhe gjuhën e atyre si komb. Por grupi që kishim përballë përdorte ndaj nesh gjuhën e gjarprit, për të vjellë helm e vrerë kundër gjuhës, historisë e traditave tona”.

Nëpërmjet personazhesh të tillë, me emra domethënës, si Kolosi, Besa, Ideali, Shpresa etj., autori na sjell figurat e atyre të rinjve që përbëjnë frontin kryesor përbrenda vendit për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe gjithë atyre vlerave që përmbledh dosja simbolike e romanit. Ndërsa me të rinj si Flamuri, Qëndresa, Artani e Shqipja, ai sjell figurat e atyre të rinjve emigrantë, që në momentin e duhur e lanë emigracionin dhe erdhën e iu bashkuan çështjes kombëtare, të gatshëm për të rrezikuar edhe jetën e tyre. 

Recensenti i Librit, Ndue Lazri për librin “Gjuha e Gjarpërit”, thotë se  autori ka ndërthurur bukur ngjarjet që përshkruhen në roman.

“Mund të jetë e lehtë për një simpozium apo konferencë shkencore, por jo për një roman artistik. Megjithatë autori ka ditur ta kapërcejë këtë vështirësi, duke ndërthurur bukur, me forcën e penës e të talentit të tij, pasazhet meditative me karakter filozofik, me ngjarjet dramatike apo me karakter tragjik, që përshkruhen në roman. Përgjatë historisë populli ynë ka luftuar me penë dhe me shpatë për të mbrojtur territorin, historinë e kulturën e tij. Por instrumenti më i rëndësishëm për mbrojtjen e identitetit kombëtar është gjuha”, ka thënë Ndue Lazri.

Autori i librit, Arflet Selmani për Portalb.mk tha se “Gjuha e Gjarpërit” është një roman artistik, ku brenda vetes ngërthen ngjarje nga e kaluara historike, tentativat për bashkim kombëtar, pengesat që janë bërë përgjatë historisë tonë kombëtare në përgjithësi.

Gjuha e Gjarpërit” kryesisht e ka kuptimin e atyre personave të cilët kanë qenë armiq të idesë ose çështjes tonë madhore kombëtare. Megjithatë krahas shumë pengesave ne kemi pasur goditje të dy anshme nga pushteti Jugosllav, ne kemi pas shumë dëme që na kanë sjellë edhe spiunazhet, ka pasur edhe njerëz nga ana jonë të cilët janë infiltruar në kuadër të shërbimeve sekrete  jugosllave, kanë ngrënë supën e tyre dhe ju kanë shërbyer ideve të atyre dhe kanë qenë pengesë për ne. Ky titull u mendua  kryesisht duke u bazuar në këto ngjarje, Gjarpëri është një lloj simbolike e pickimit, e atyre që godasin në mënyrë tinxare në këtë konotacion është paraparë që të vihet ky titull”, tha Arflet Selmani.

Ky është libri i dytë i autorit pas librit “Roli i Diplomacisë së Shqipërisë në Procesin e Njohjes së Pavarësisë së Kosovës”

Libri “Gjuha e Gjarpërit”, nga autori Arflet Selmani
Biblioteka dhe Teatri i TetovësKultura shqiptareKulturë lajmeLibra