Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale informon se në vend po futet një metodologji e varfërisë energjetike, e cila do të ofrojë kritere të qarta për identifikimin e familjeve vulnerabël dhe mbrojtje të mëtejshme për këtë lloj konsumatorësh, transmeton Portalb.mk.
“Ne morëm përgjigje pozitive nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë për draft versionin e Metodologjisë për matjen e nivelit të varfërisë energjetike. Komenti i tyre konfirmoi se dokumenti është në përputhje me standardet evropiane dhe detyrimet që rrjedhin nga Direktiva (BE) e cila i detyron vendet të vendosin dhe publikojnë kritere për përcaktimin e varfërisë energjetike”, informon Ministria, duke shtuar se metodologjia është pranuar për botim.
Një metodologji e tillë, e cila po futet në vend për herë të parë, siç thotë ministria përkatëse, do t’u lejojë institucioneve të marrin pasqyrë të qartë të fushëveprimit dhe strukturës së varfërisë energjetike në vend dhe do të jetë baza për krijimin e masave për të mbrojtur familjet që përballen më shumë me vështirësi në sigurimin e energjisë. Përveç kësaj, theksojnë ata, kjo do të kontribuojë në harmonizimin me standardet evropiane.
Shtohet se Ministria e Energjisë tashmë po punon për përgatitjen e një programi vjetor për mbrojtjen e konsumatorëve vulnerabël, ku metodologjia do të jetë një mjet qendror për përcaktimin e prioriteteve.
Kujtojmë se Parlamenti së fundmi miratoi Ligjin e ri për efikasitetin energjetik. Kolektorët diellorë të detyrueshëm gjatë ndërtimit ose rindërtimit të shkollave, kopshteve dhe institucioneve publike, mbështetja financiare për investimet në panele diellore, sisteme gjeotermale dhe teknologji inteligjente, si dhe një strategji për rindërtimin e ndërtesave banesore, publike dhe komerciale në objekte me efikasitet energjetik janë disa nga risitë që sjell ligji.