Teki Dërvishi (16.01.1943 – 29.06.2011) është pa mëdyshje njëri ndër krjiuesit tanë më të veçantë, veprat e të cilit janë lexuar, lexohen dhe do të lexohen edhe në të ardhmen. Ndër to, po përmend me këtë rast përmbledhjet poetike: ”Shtëpia e sëmurë”, “Thashë”, “Nimfa”…; romanet: “Herezia e Dervish Mallutës”, “Palimpsest për Dush Kusarin”… dhe veçmas dramat brilante: “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi”, “Bregu i Pikëllimit”, “Pranvera e Librave”, “Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit” etj.
Ky krijues dhe intelektual mendjelirë, sfidoi herët pushtetin e hurit dhe të litarit rankoviqian, që synonte shkombëtarizimin e shqiptarëve nëpërmjet akulturimit. Qysh në shkollën fillore Tekiu u akuzua për gjoja poezitë me përmbajtje shoviniste. Si 17 vjeçar ra në burgjet e diktaturës jugosllave, kurse pak vite më pas, u bë njëri prej të burgosurve më të rinj të Goli Otokut famëkeq, nga i cili, edhe përkundër dhunës çnjerëzore, doli shpirtpathyer, i vendosur të mos bëjë kurrë kompromise me të vërtetën.
Në kujtim të 83 vjetorit të ditëlindjes së këtij Prometeu, po sjell sot për ju disa copëza domethënëse të intervistës, që pata fatin ta realizoj me Tekiun, për revistën “BREZI 9”, të cilën e dha me këtë arsyetim: “Kjo pse u jap këtë intervistë, në të cilën po derdhi mund, më tepër është një vullnet që më shtyri ta bëj këtë punë, pasi e pashë se edhe në Tetovë botohet një revistë, që vërtet është dhe pretendon të jetë kaq estetike, e jo folklor-politike e arriviste, siç i kemi gati të gjitha revistat tona…”.
Në vijim janë fragmentet e shkëputura nga intervista e sipërpërmendur:
– Letërsitë e kombeve të robëruar nuk mund të çlirohen asnjëherë nga një fakturim, së paku, alegorik i gjuhës artistike që shpreh mesazhe edhe politike.
– Është diçka që moralisht nuk i lejon krijuesit të shkruajnë tekste p.sh. erotike, kur brenda ditës që mund të botohej ai tekst, në shtypin e ditës lexon se si terrorizohet, nënçmohet dhe përulet kombi yt.
– Sistemi krijon koniunkturën e vet artistike për nevojat politike, që merr rolin të bëjë me program konkret politik akulturimin dhe shkombëtarizimin e kombeve të robëruara.
– Shembull: nëse i takon një kombi të robëruar, si mund të kesh pushtet tëndin, që do të thotë se robi i përshtatet pushtetit të tjetrit, që do të të shkombëtarizojë, të të pastrojë etnikisht, të të bëjë qytetar të rendit të dytë.
– Shkrimtarët obortarë janë pasardhës të palaçove të oborrit, njerëz që e argëtojnë mbretin. Bukuria e artit të tyre është e ngjashme me bukurinë e prostitutës, që kënaq vetëm atë që e paguan.
– Serbia dhe Greqia nuk na zhdukin duke na vrarë (ndonëse edhe pa këtë nuk e lënë mangut), por ekskluzivisht duke na akulturuar, duke na nxjerrë nga rrënja ilire, rrënja shiptare, nga tradita shqiptare, nga karakteri tipizues shqiptar… që do të thotë duke na nxjerrë përjashta faktit të autoktonisë, origjinalitetit, për këtë rast identitetit, pra identitetit kombëtar.
– Më së shumti na kanë nxjerrë nga ky identitet kombëtar (dhe përpjekjet e qeverive antishqiptare janë ende në vazhdim e sipër) me keqpërdorimin dhe instrumentimin e religjionit, duke e shndërruar fenë nga besimi shpirtëror intim i njeriut, në një besim ideologjik, në një përmbajtje thjesht politike. Folk-intelektualët tanë, disa prej tyre, ose shumica, rëndom, po pa të keq flasin për shkollën shqipe, për flamurin kombëtar, për kulturën shqiptare, për gjuhën shqipe, për lirinë e shqiptarëve… po, dhe mirë që flasin, por pse nuk flasin kush është kundër flamurit shqiptar, kundër shkollimit shqiptar, kundër kulturës shqiptare, kundër gjuhës shqipe.
– Ne bëjmë dasma të shtrenjta, blejmë raritete banale, bëjmë gjithçka që nuk i shkon në dobi kulturës shqiptare. Kështu akulturohen shqiptarët, që do të thotë dalin nga rrënja e tyre, nga tradita, nga trashëgimia, dalin nga karakteri i tyre tipizues shqiptar… dhe, kështu, natyrisht, shkombëtarizohen.
– Gjuha shqipe nuk përdoret si duhet në administratë dhe në entet e institucionet kulturure-arsimore, barbarizohet, ndaj vjen duke u varfëruar, mbushet barbarizma, merr sintaksën e përkthyer, tonalitetin fonetik e bën me krahinarizma të tepeve mesjetare dhe, kështu, dalëngadalë humbet edhe vetëdija kombëtare, njerëzit përcaktohen nga identiteti fetar e jo nga ai kombëtar…
– Pushtetet antishqiptare nuk e pengojnë kurrë organizimin institucional të klerit, por e pengojnë organizimin institucional të arsimit (universitetin shqiptar) dhe pengojnë organizimin institucional të kulturës, (shtypin, masmediat, televizionin, shtëpitë produksionare të arteve multimediale, shtëpitë botuese, etj., etj).
– Identitetin e një kombi e bën kultura e tij. Pa kulturë nuk ka identitet. Që do të thotë, pa kulturë institucionale (të organizuar) një grumbull njerëzish mund të shndërrohen nga kombi në grup etnik…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.