Në vitin 2024, pothuajse gjysma e popullsisë së botës do të shkojë në votime. Megjithëse teknologjia është përdorur në proceset zgjedhore për shumë vite, avancimi i inteligjencës artificiale mund të ndikojë në zgjedhje duke nisur sulme kibernetike, duke përhapur dezinformata, duke destabilizuar proceset demokratike, duke kërcënuar integritetin e diskursit politik dhe duke minuar besimin e publikut, shkruan Zëri i Amerikës, transmeton Portalb.mk.
Takimi i tretë i teknologjisë së inteligjencës artificiale u mbajt së fundmi në Shkup. Filip Avramçev, i cili është një nga organizatorët e këtij evenimenti thotë se një pjesë e madhe e të rinjve në Maqedoninë e Veriut përdorin mjete të inteligjencës artificiale, por nuk është kështu me kompanitë e vendit.
“Në korporatat më të mëdha, në nivel organizatash, në nivel kompanish nuk përdoret, nuk inkorporohet. Të paktën jo kudo. Është inkorporuar diku, por ka interesim të madh, për të vijnë një numër i madh i kompanive jo vetëm maqedonase por edhe rajonale. Pra kemi një numër të madh vizitorësh nga Serbia, nga Kosova, po flasim nga kompani dhe institucione serioze, nuk po flasim për startup-e por fjalë për fjalë korporata serioze, banka, kompani që janë liderë rajonalë dhe janë të interesuar të dëgjojnë më shumë sepse mund të kenë zgjidhje, ata mund të dëshirojnë të blejnë (dhe) të integrojnë disa zgjidhje. Pra, mendoj se gjithnjë e më shumë do të shohim përdorimin e inteligjencës artificiale në procese të ndryshme sepse një organizatë mund ta përdorë atë në aspektin ligjor, në aspektin organizativ, por jo në prodhim ku është aktiviteti i tyre kryesor, por prandaj ndoshta të gjitha aktivitetet dytësore duhet të përdorin ndihmën e inteligjencës artificiale”, thotë Filip Avramçev, organizator i Samitit të Inteligjencës Artificiale në Shkup.
Ekspertët besojnë se inteligjenca artificiale është një mënyrë më e lehtë për të manipuluar votuesit. Një prej tyre është Majkëll Ramenzi, menaxher i Qendrës Gjermane për Cilësinë dhe Testimin e Inteligjencës Artificiale.
“Siç mund ta shihni, ka shumë ndikim të mundshëm që grupet mund të kenë në zgjedhjet në mbarë botën, pasi bëhet shumë më e lehtë të ndikohet në opinionin publik përmes platformave të mëdha dhe veçanërisht me mjete tani me gjuhë dhe tekst të përgjithshëm dhe modalitete të tjera manipulimi në këto zgjedhje”, tha Majkëll Ramenzi.
Mark Maret, i cili është bashkëthemeluesi dhe CEO i kompanisë zvicerane Vector 8, ndan një pikëpamje të ngjashme.
“Po, sigurisht që mund të ketë ndikim. Kjo është diçka për të cilën duhet të jeni shumë të kujdesshëm në mënyrë që të fitoni kontrollin dhe të siguroheni që IA nuk korrupton apo prish realitetin, por në fakt i shërben njerëzimit”, tha Mark Marett.
Se inteligjenca artificiale është veçanërisht e rëndësishme në ditët e sotme dhe imponohet në jetën e përditshme në vendet moderne dhe të zhvilluara, tregon edhe ndarja e çmimit Nobel në fizikë këtë vit dy pionierëve të inteligjencës artificiale, John Hopfield dhe Geoffrey Hinton për “zbulimet dhe shpikjet themelore të cilat mundësojnë mësimin e makinerive duke përdorur rrjete nervore artificiale”.
Zyrtarët dhe ekspertët e inteligjencës amerikane kanë paralajmëruar prej kohësh se si Kina dhe kundërshtarët e tjerë të huaj po përdorin inteligjencën artificiale gjeneruese në përpjekjet e tyre të dezinformimit për të prishur dhe ndikuar në zgjedhjet presidenciale të 2024-ës.
Por kohët e fundit, videot e rrejshme, shpesh duke shfaqur liderë të lartë amerikanë, përfshirë presidentin Joe Biden, duke kënduar këngë pop kineze, janë bërë virale në internet. Disa nga videot kanë gjetur rrugën e tyre në platformat e mediave sociale që nuk janë të disponueshme në Kinë, si Instagram, TikTok dhe X.
“Ka pasur përdorim në rritje të përmbajtjes kineze të gjeneruar nga IA në muajt e fundit, duke u përpjekur të ndikojë dhe të shkaktojë ndarje në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë”, thuhet në raportin e fundit të Microsoft.