Ndërmarrjet publike komunale në RMV me humbje milionëshe (Infografik)

Hulumtimi i fundit të Qendrës për Komunikime Qytetare (QKQ) për borxhet e ndërmarrjeve publike lokale tregoi se ato po mbyten në borxhe, edhe pse nuk i arrijnë shumat e mëdha për të cilat fliste kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, në kulmin e zgjedhjeve, transmeton Portalb.mk nga Prizma.

Sipas të dhënave të QKQ-së në fund të vitit 2024 ndërmarrjet publike të Shkupit kishin borxh prej rreth 90 milionë eurosh, si detyrime afatshkurtra, prej të cilave më shumë se gjysma janë bërë nga “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”. Kryetari i Qytetit të Shkupit, menjëherë pas marrjes së detyrës, deklaroi se ndërmarrjet publike kanë një borxh prej 300 milionë eurosh, pa thënë më konkretisht se çfarë përfshin ky borxh.

NP “Ujësjellësi dhe kanalizime” i Shkupit është rekorder për borxhe , e cila vitin e kaluar e mbylli me një borxh prej 53 milionë eurosh, që është dyfishi i të ardhurave vjetore të kësaj ndërmarrjeje. Përndryshe, detyrimet afatshkurtra kryesisht janë borxhet që ndërmarrjet i kanë ndaj furnitorëve të tyre dhe të cilat, nëse nuk paguhen me kohë, mund të rezultojnë në padi, duke e rrezikuar kështu bllokimin e llogarisë së ndërmarrjes.

Për këtë arsye, ndër hapat e parë të administratës së re të qytetit në Shkup ishte shkarkimi i drejtuesve në ndërmarrjet më borxhe më të mëdha. Muajin e kaluar, “Ujësjellësi” u bë me drejtor të ri – i pesti me radhë në tre vitet e fundit.

Drejtori i ri, Ivan Mitrovski, për BIRN shpjegoi se këto 53 milionë euro nuk janë grumbulluar për ekzekutimin e investimeve më të mëdha, kapitale, por ekskluzivisht si pasojë e punës rrjedhëse dhe blerjes së pajisjeve të nevojshme për mirëmbajtjen e sistemit në kryeqytet.

“Ujësjellësi” ka humbje të mëdha të ujit, kështu që vetëm vitin e kaluar nuk është faturuar 60% e ujit që ka hyrë në sistemin e ujësjellësit, tregoi raporti i fundit vjetor i ndërmarrjes. Në të është shënuar gjithashtu se ka pasur edhe shpenzime të mëdha për energji elektrike, pasi gjithë verën është dashur të pompohet ujë nga puset.

“Ujësjellësi” vitin e kaluar e mbylli edhe me një humbje prej 4 milionë eurosh, me çka u gjet në vetë majën e listës së humbësve në mesin e ndërmarrjeve publike lokale.

“Inflacioni po rritet, pagat po rriten, energjia elektrike është një problem i madh, materialet janë shtrenjtuar, ndërsa çmimi i ujit mbetet i pandryshuar prej vitesh. Është e pamundur që ndërmarrjet publike të funksionojnë kështu”, thotë Mitrovski.

Me një problem të ngjashëm përballet edhe NQP Shkup çmimi i biletave të së cilës për herë të fundit është ndryshuar në vitin 2016. Edhe kjo ndërmarrje është në krye të borxhlinjve dhe vitin e kaluar e mbylli me një borxh prej 16 milionë eurosh. Rezultati i kësaj pune ishin autobusë të pasigurt që vononin me orë të tëra, rrëmujë e padurueshme dhe qytetarë që nuk mund të arrinin nga një pikë e qytetit në tjetrën.

Investime nuk janë bërë as në “Komunalec” të Shkupit, ndërmarrja për shkak të mosazhurnimit të së cilës kryeqyteti po mbytej në mbeturina, një gjendje që kulminoi pak para zgjedhjeve lokale. Kjo ndërmarrje vitin e përfundoi me një borxh prej mbi 8 milionë eurosh.

“Rritja e borxhit i atribuohet punës së papërgjegjshme të ish-drejtuesve të ndërmarrjes gjatë 3,5 viteve të fundit , nga kur daton edhe fillimi i grumbullimit të detyrimeve. Në kuadër të periudhës së përmendur nuk janë bërë kurrfarë investimesh afatgjata, as blerje të automjeteve speciale komunale, por përkundër kësaj nuk janë kryer pagesa me kohë ndaj kompanive furnitore” , thonë nga ndërmarrja komunale për BIRN.

Borxh prej 193 milionë eurosh në 126 ndërmarrje

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk. Burimi: Prizma

Në nivel shtetëror, 126 nga 128 ndërmarrjet publike lokale, aq sa ka në vendin tonë, kanë bërë një borxh të përgjitshëm prej 193 milionë eurosh, tregoi kështu hulumtimi i QKQ-së. Shumat e detyrimeve të tyre dallojnë nga ndërmarrja në ndërmarrje dhe sillen nga disa mijëra deri në dhjetëra miliona euro.

Ndërmarrjet publike lokale janë themeluar nga komunat ose Qyteti i Shkupit dhe kryesisht merren me shërbime komunale, nga mbledhja e mbeturinave ose shpërndarja e ujit, e deri te shënjimi dhe pagesa e parkimit.

Rreth 40% e borxhit të përgjithshëm është bërë nga vetëm dhjetë prej tyre. Përveç ndërmarrjeve të Shkupit, në dhjetëshen e borxhlinjve më të mëdhenj bën pjesë ujësjellësi në Kavadar, Strugë dhe Ohër, por edhe ndërmarrjet komunale në Tetovë dhe Strumicë.

QKQ i ka analizuar edhe llogaritë përfundimtare vjetore të ndërmarrjeve lokale , të cilat tregojnë se më shumë se gjysma e tyre kanë punuar me humbje.Vitin e kaluar kanë qenë në minus prej gjithsej 17 milionë eurosh, e vetëm dhjetë ndërmarrjet me performancë më të dobët kanë realizuar deri më 77% të humbjeve të përgjithshme.

Në tri vendet e para me humbjet më të mëdha në vend janë tri ndërmarrje publike të Shkupit – “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, “Rrugët dhe rrugicat” dhe “Higjiena Komunale”. Në vendin e katërt dhe të pestë janë “Ujësjellësi” dhe “Komunalec” të Manastirit.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk. Burimi: Prizma

Nëse bëhet një krahasim i të ardhurave dhe shpenzimeve të përgjithshme të ndërmarrjeve në tre vitet e fundit, vihet rritje në të dyja anët, por më e madhe në anën e shpenzimeve.

Vitin e kaluar të ardhurat janë rritur për mbi 6 milionë euro, krahasuar me vitin paraprak, ndërsa shpenzimet janë rritur për rreth 12 milionë euro.

Në të njëjtën kohë ka një rënie të lehtë të numrit të të punësuarve. Në vitin 2024 këto ndërmarrje raportuan 12.009 të punësuar , që është për 462 më pak se në vitin 2022.

Hulumtimi i QKQ-së nxorri në pah edhe se parkimi është veprimtaria më fitimprurëse për ndërmarrjet publike lokale, veçanërisht për ato të Shkupit. “Parkimi i Qytetit të Shkupit” vitin e kaluar ka realizuar një fitim prej pothuajse gjysmë milioni euro, ndërsa mbi 300 mijë euro fitim kanë realizuar edhe “Parkingjet e Komunës Qendër”.

Pagesa e parkimit ka qenë një biznes fitimprurës edhe në Kavadar , por që ka shënuar humbje në ndërmarrjet në Tetovë, Veles, Kumanovë, Strumicë dhe Negotinë.

Borxh - BorxhmarrjeNdërmarrja Qarkulluese (Transportuese) Publike Shkup (NQP) (JSP) (NTP)Qyteti i Shkupit