Ndërhyrjet politike: Ndikimi i tyre në qeverisjen demokratike

Me afrimin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, shqetësimet rreth manipulimit politik ose ndërhyrjeve nga aktorë të jashtëm gjeopolitikë mbeten gjithmonë legjitime. Ky ka qenë një problem në 2016, 2020 dhe vazhdon të mbetet kryesorja në fushatën aktuale të 2024-ës.

Pavarësisht ndikimeve dhe propagandës nga jashtë, veprimet me karakter përmbysës duhet të hetohen përpara se qeveritë të jenë në prag të zgjedhjeve ose në procese të ndërlikuara politike.

Në fushën e aksioneve të përmbysjeve politike ndërkombëtare ekzistojnë disa metoda politike, si ajo franceze, ruse britanike, gjermane, amerikane, kineze etj etj. Por ideja jonë konsiston në termat e përgjithshëm të kuptimit të veprimeve politike për të minuar rregullat, demokracinë dhe forma të tjera të organizimeve ekonomike dhe politike në demokracitë e lira veçanërisht në këtë dekadë.

Në një botim të Departamentit amerikan të Mbrojtjes (DOD) i titulluar “Joint Education and Doctrine Division (Nov. 2010)”, aksioni politik përmbysës shihet si “një seri e planifikuar aktivitetesh të dizajnuara për të përmbushur objektivat politike duke ndikuar, dominuar ose zhvendosur individë ose grupe që janë të vendosur në atë mënyrë që të ndikojnë në vendimet dhe veprimet e një qeverie tjetër”.

Në aspektin teorik, Çarles Tounshend (1727-67), ish- politikan anglez me ndikim në jetën politike, e ka sqaruar përmbysjen politike apo ndërhyrjen si një term “aq elastik sa të jetë praktikisht i lirë nga kuptimi, dhe përdorimi i tij që nuk bën asgjë më shumë sesa përcjell ndjenjën e zgjeruar të cenueshmërisë së sistemeve politike ndaj të gjitha llojeve të sulmeve të fshehta”.

Në hapësirën dhe nënndarjet politike në këtë kohë e sidomos pas zgjedhjeve të BE-së, dhe SHBA-së në nëntor që do të zhvillohen, është shumë e rëndësishme të mbahen në vëzhgim shtetet post-komuniste nga Evropa Lindore e deri në Ballkan, për arsye të mundësive të larta që ekzistojnë në ato rajone për trazira etnike, fetare, dhe shqetësime të tjera.

Duhet sqaruar se ndërhyrjet politike të shteteve në të gjitha kohërat ka qenë mjaft e praktikuar, dhe do të përdoret nga qeveritë pavarësisht se çfarë thonë zyrtarët në fjalimet publike. Për t’u shkëputur nga këndvështrimi teorik, në rajonin tonë të Ballkanit, mashtrimi politik dhe përmbysjet politike kanë qenë shumë të pranishme, duke filluar që nga Lufta e Parë Botërore, dhe vazhduar në kohë të trazuara dhe paqësore të Ballkanit.

Aktualisht, Serbia ka fuqinë ushtarake dhe financiare për të kryer aktivitete të tilla me ndikim të madh. Përveç operacioneve të fshehta dhe luftës psikologjike, në kutinë e aksioneve politike bëjnë pjesë disa metoda të tjera që qeveritë i përdorin për të arritur objektivat politike, si shfrytëzimi i mediave shtetërore, të tilla p.sh. mund të merren Zëri i Amerikës, RFERL, RFI, DW, Rusia Sot, Sputnik, RT Serbia etj etj. Edhe pse BE, NATO dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë kanë vendosur disa rregulla dhe norma, përsëri është e pamundur të parandalohen veprime të tilla sot dhe në të ardhmen. Siç e përmenda edhe më lartë, Serbia ka kapacitetet e duhura për të ndërmarrë veprime të tilla dhe ka ndërmarrë në të kaluarën si p.sh. në veri të Kosovës, dhe ka luajtur një rol të madh destabilizues para anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Po ashtu serbët në Bosnjë me veprimet e tyre kanë minuar shtetin boshnjak që mund të konsiderohet pjesë e hapur e një politike për të minuar rendin ndaj një shteti apo një grupi etnik. Ndërsa paqëndrueshmëria vazhdon në Ballkan, operacionet e ardhshme nga jashtë do të varen nga mënyra se sa të përgatitura janë shtetet, dhe sa elastike janë shoqëritë. Ata me një përzierje më të madhe etno-fetare do të jenë më të prekshme, pasi aksione politike do të ketë më shumë gjasa të realizohen në hapësirat me çështje të pazgjidhura që ekzistojnë midis shteteve të Ballkanit. Veçanërisht në muajt e ardhshëm duhet të presim veprime të tilla të ndërhyrjeve të karakterit politik, dhe të operacioneve klandestine që kanë për qëllim destabilizimin, dhe pengimin e punës së qeverive rajonale për të arritur objektivat që BE-ja dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë i kanë vendosur për rajonin.

Shtetet e Ballkanit dhe BE-ja duhet të punojnë së bashku për të rindërtuar shoqëri dhe shtete të forta. BE-ja ka miratuar një plan rritjeje afër 6 miliardë dollarësh, i cili mund të ndikojë drejtpërsëdrejti në Ballkan për një integrim të shpejtë dhe më pak konflikte. Por, duhet parë nëse qeveritë rajonale do ta lënë të shkuarën, duke e pranuar realitetin me marrëveshje pajtimi.

Pavarësisht nga afati kohor i pajtimit, demokracitë e brishta do të preken nga aktorë të tjerë të fortë gjeopolitikë. Këtu nuk duhet të përjashtohen as demokracitë e zhvilluara.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi