Këshilli Veriatlantik ka dënuar ashpër Rusinë për sulmet kibernetike keqdashëse që synuan disa shtete anëtare të NATO-s dhe Ukrainës. Në një deklaratë të përbashkët, NATO i quajti këto aktivitete “një kërcënim serioz për sigurinë e Aleatëve” dhe akuzoi shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë, GRU, se qëndron pas tyre, raporton Portalb.mk.
Njoftimi thotë se Estonia, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të kanë atribuar së fundmi sulme specifike kibernetike ndaj GRU-së, të drejtuara kundër institucioneve të tyre shtetërore dhe partnerëve. Gjithashtu, në vitin 2024, Gjermania dhe Republika Çeke identifikuan veçmas aktivitetin e grupit të hakerëve APT 28, i cili besohet se mbështetet nga GRU.
NATO njoftoi se i njëjti grup kreu gjithashtu sulme kundër institucioneve shtetërore dhe infrastrukturës kritike në Rumani dhe vende të tjera aleate.
Aleanca konfirmoi se mbetet e bashkuar dhe e vendosur për t’u mbrojtur kundër sulmeve kibernetike ruse dhe se tashmë po investon në kapacitetet e saj përmes krijimit të Qendrës së Integruar të NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike dhe përmes angazhimeve nga Samiti i Hagës.
“Këto sulme dhe dëmi i shkaktuar në sektorë të shumtë tregojnë shkallën në të cilën kërcënimet kibernetike dhe hibride janë pjesë e fushatës së vazhdueshme ruse për të destabilizuar aleatët e NATO-s dhe agresionin brutal dhe të paprovokuar kundër Ukrainës”, thuhet në deklaratë.
Ata kërkuan nga Kremlin që menjëherë të ndalin sulmet destabilizuese kibernetike.