Natë përkujtimore: Nuhi Vinca do të ”rikthehet” në Strugë përmes kujtimeve të atyre që e njohën 

Në përkujtim të ndarjes nga jeta të prof. dr. Nuhi Vinca, organizohet ceremoni përkujtimore e cila do të mbahet në Strugë në Teatrin Poshka me datë 18 gusht, në orën 18:00, njofton Portalb.mk.

Prof. dr. Nuhi Vinca ia kushtoi jetën e tij edukimit dhe krijimtarisë, duke kontribuar në avancimin e arsimimit në periudha të vështira për shqiptarët në rajon. Me vargjet e tij lirike, ai u bë pjesë e vargut të respektuar kombëtar e artistik.

Në mbrëmjen përkujtimore janë të mirëpritur gjithë miqtë, të afërmit dhe bashkëpunëtorët nga Struga dhe Maqedonia e Veriut dhe më gjerë për të ndarë kujtime dhe për të nderuar jetën dhe veprën e tij të jashtëzakonshme.

Prof. dr. Nuhi Vinca ndërroi jetë më datë më datë 9 korrik në Prishtinë, ku jetonte dhe vepronte prej vitesh.

Mbledhje përkujtimore për veprën dhe jetën e tij u mbajt edhe në Institutin Albanologjik në Prishtinë.

Kush ishte Nuhi Vinca?

Nuhi Vinca lindi në Veleshtë të Strugës. Është i njohur si pedagog, poet, studiues e përkthyes letrar. Vëlla i profesorit e studiuesit Agim Vinca dhe baba i aktores e profesoreshës së nderuar IIire Vincës.

Ka punuar në arsimin fillor që nga dita e parë e hapjes së Gjimnazit të Strugës (1 shtator 1960) si profesor i parë i atij gjimnazi për nëntë vite ku më pas u largua dhe u përndoq politikisht pa të drejt lëvizjeje e ushtrimi të profesionit të tij.

Nuhi Vinca njihet si poeti i parë me vepër të botuar lirike në gjithë trevën e Strugës me librin “Dallgë Jugu”. Ka botuar mbi 20 vepra me poezi për të rritur dhe për fëmijë të cilat janë përkthyer në gjuhë të ndryshme. Nuhi Vinca filloi punën në Institutin Albanologjik të Prishtinës me 1977, ku botoi 12 vepra diskursive të veçanta, nga të cilat tri janë monografi shkencore e tri antologji.

Ka të përkthyera romane, poema e poezi, tregime nga letërsia kroate, serbe, polake, maqedonase etj. Krijimtaria e këtij shkrimtari dhe studiuesi ka qenë objekt shqyrtimi nga ana e studiuesve të letersisë dhe shkencës si: Akademik Rexhep Qosja, Esad Mekuli, Prof. Dr. Shefqet Pllana, Prof. Dr. Zini Sako, Dr. Petro Janura, Hasan Mekuli, Vehap Shita, Ali Podrimja, e shumë të tjerë.

Veprimtaria:

1965:“Këngë pune e pushimi” (poezi)

1967 “Dallgë jugu” (poezi)

1971: “Vrulle lirike” (poezi)

1972: “Një ylber për ty” (poezi)

1978: “Legjenda e peshkatarit” (poemë)

1979: “Kënga e lahutarit” (poemë)

1986: “Aty buzë liqenit” (poezi)

1989: “Sa gjuhë i di Danubi” (pozia)

1999: “Shihni si vijnë dallgët” (poezi)

2000: “Te guri i kufirit” (poezi)

2003: “Te deum laudamus” (kurorë sonetike dhe poemë për N. Terezën)

2003: “Trilogji lirike” (poezi)

2003: “Aty buzë liqenit” (poezi)

2009: “Aty buzë liqenit” (Houston, shqip dhe anglisht)

2009: “Vjersha e tregime” (prozë dhe poezi)

2011: “Çaste jetike në vargje josatanike” (poezi)

2012: “Arketipe…” (poezi)

2016: “Monologët e mërgimtarit prespan” (poezi) etj.

Vepra diskursive:

1982: “Këngë të ndryshme popullore” (në pesë pjesë)

1989: “Lirika popullore shqiptare e dashurisë” (monografi)

1992: “Lirika popullore shqiptare në regjionin e Strugës” (monografi)

1996: “Mbi poetikën e folklorit shqiptar” (studime dhe artikuj)

2001: “Antologji e lirikës popullore shqiptare të dashurisë” (antologji)

2004: “Antologji e lirikës popullore shqiptare” (antologji)

2006: “Poetika e lirikës gojore strugane” (studim monografik)

2007: “Poetika e lirikës popullore shqiptare” (studim monografik)

2013: “Vështrime për krijimtarinë gojore e të shkruar” (vështrime shkencore)

2020: “Për lirikën gojore erotike si teori dhe ballkanike në veçanti” etj.

Kultura shqiptareKulturë lajmeStruga