“Muzeu i dëgjimit” solli për nostalgjikët gramafona e pllaka dhjetëra vjeçare në Shkup

Dje në hapësirat e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut – “Çifte hamam” u organizua organizoi ekspozita “Muzeu i Dëgjimit” nga koleksionuesi i gramafonave dhe pllakave, Bekim Fera, njëherit mjek me profesion. Në këtë ngjarje u prezantuan qindra pllaka nga koleksioni personal, ndërkaq fjalë rasti iu dha edhe profesorit Blerim Grubi, dirigjentes Agona Çupi si dhe profesorit Ariton Rama, transmeton Portalb.mk.

Gramafonat dhe pllakat si teknologji i përkasin shekullit 19, ndërkaq ata mbijetuan deri në ditët e sotme falë koleksionuesve që i ruajnë të njëjtat, apo vazhdojnë e prodhohen për nostalgjikët.

Krijimtaria shqiptare e regjistruar në këtë lloj teknologjie, daton që në vitet e para të shekullit të kaluar, mirëpo pas Luftës së Dytë Botërore vërehet interes i veçantë për prodhimin e pllakave, mirëpo pak prej tyre u mbijetuan viteve.

Profesori Bekim Fera, koleksionues i qindra pllakave gramafonit dhe organizator i kësaj ngjarje, për redaksinë e Portalb.mk tha se “Muzeu i dëgjimit” është një përmbledhje dhjetë vjeçare që ndau me të rinjtë dhe nostalgjikët e muzikës.

“Muzeu i Dëgjimit është një përmbledhje e koleksionit personal dhjetë vjeçar të muzikës tradicionale shqiptare, përkatësisht diskografisë shqiptare pas luftës së dytë botërore e gjer më sot. Ideja në fillim ka qenë që të njëjtat të ekspozohen për gjeneratat e reja, si dhe ato të vjetra që ndjejnë nostalgji. Si projekt u mbështet nga Ministria e kulturës. Një intelektual nuk mund të jetë i denjë, vetëm atëherë kur dashuron artin, madje vetë endikronologjia vitet e fundit vërteton se arti përkatësisht muzika ndikon në ekuilibrimin e hormoneve në trupin e njeriut”, tha Bekim Fera.

Profesori Blerim Grubi për Portalb.mk tha se është i entuziazmuar nga pjesëmarrja e të rinjve në ngjarje. Pavarësisht sfidave ndër shekuj, Grubi shton se të rinjtë duhet të ndjekin artin që përmban shpirt brenda tij.

“Fakt është që dekadat e para të shekullit të kaluar, kanë qenë sfidë për ekzistencë identitare, aty pas Luftës së Dytë Botërore shohim regjistrimet e para të artit shqiptar. Rinia sot është e defokusuar nga arti afat shkurtër, ngase brenda tyre mungon shpirti”, tha Blerim Grubi.

Agona Çupi, dirigjente dhe profesoreshë për Portalb.mk thotë se regjistrimet e para të krijimtarisë shqipe janë anashkaluar, por pavarësisht kësaj, disa prej tyre janë ruajtur dhe sot paraqesin vlera. Çupi më tej shton se krijimi i individëve me vlera është i lidhur me prejardhjen e tyre.

“Ngjarjet si “Muzeu i Dëgjimit” na bëjnë të kujtojmë vlerën e regjistrimeve të hershme origjinale të cilat koha nuk ju ka bërë drejtësi dhe njeriu padrejtësisht i ka anashkaluar. Pavarësisht këtyre sfidave dhe mangësive që janë paraqitur gjatë regjistrimeve, nismëtarët e regjistrimeve të hershme kanë arritur të kapin disa performanca të jashtëzakonshme që janë ruajtur dhe vlerësuar për vlerën e tyre historike. Është shumë e rëndësishme të vetëdijesohemi dhe të promovojmë një vetëdije për ruajtjen e vlerave dhe trashëgimive tona kulturore pavarësisht formës, stilit apo fushës që i takojnë sepse për tu ndërtuar në individë me vlera sot duhet të dihet se nga vijmë, çfarë bartim me vete dhe mbi çfarë bazash ne do të vazhdojmë të ndërtojmë gjëra të bukura dhe me vlera”, tha Agona Çupi.

Profesori Ariton Rama gjatë fjalimit të tij rikujtoi se gjurmë në jetën e tij, kishte lënë gjyshi. Gjatë kohës që kalonte me të, shpesh i kishin shoqëruar këngët qytetare. Ky i fundit më vonë qe edhe udhërrëfyes për idealet e tij në jetë, ndaj rekomandoi të pranishmit të duan artin.

“Unë kisha fatin që jetova me gjyshin. Ai shpesh gjatë kohës që kalonim bashkë, më lëshonte këngë të lehta qytetare, të familjes Qena, Hoxha por edhe Jusuf Gërvallës. Mbaj mend se në shkollë të mesme prej nesh kërkuan të sjellim një CD me këngët që dëgjojmë ne në shtëpi, dhe unë dërgova një përmbledhje të Jusuf Gërvallës. Profesoresha e cila na kishte dhënë detyrën më shtyu të lexoj më shumë rreth figurës së tij, e ai ndërtoi timen sot. Unë ju drejtohem të pranishmëve sot, arti mund të kahëzoj edhe drejtimin profesional, ndaj si intelektual të ardhshëm ju rekomandoj të dashuroni artin”, tha Ariton Rama.

Kujtojmë se gramafonat u zbuluan në vitin 1887 nga Emile Berliner, që jetoi në ShBA me prejardhje gjermane. Pllakat dhe gramafonat u zëvendësuan nga teknologjitë që pasuan ndër vite. Sot, kompani të ndryshme vazhdojnë e prodhojnë gramafona e pllaka për nostalgjikët e kësaj teknologjie.

Çarshia e ShkupitKultura shqiptareKulturë lajme